Sërish për censusin, legjendat urbane e rrugën përpara

Feb 27, 2011 | 10:52
SHPËRNDAJE

GENC POLLO

Para 12 muajsh, në faqet e kësaj gazete u botua një artikull imi me titull: “Censusi dhe 10 legjendat urbane”, përmes të cilit kisha synuar të jepja informacione kon-krete e faktike për këtë sipërmarrje të madhe dhe kisha shpresuar se një debat pasionant që, tok me një tymnajë plot të pavërteta, ishte shfaqur nga java e dytë e janarit të vitit të shkuar, do të mund të orientohej drejt një shtrati më objektiv. Një vit më vonë, historia përsëritet, si gjithmonë në një nivel tjetër, por të pavërtetat në debatin publik janë sërish të pranishme. Mendoj se është detyra ime si ofiqari përgjegjës të jap publikisht sqarimet përkatëse. Le të fillojmë me çështje që janë realisht të rëndësishme dhe të reja.
A do të shtyhet numërimi i popullsisë, i planifikuar për në prill të këtij viti?
Po, besoj se do të shtyhet. Komisioni Qendror për numërimin e popullsisë, të cilin unë kam privilegjin ta kryesoj, në korrik 2010 mori vendimin që  censusi të mbahej në prill 2011, duke e harmonizuar këtë periudhë me atë të censusit në shtete të tjera evropiane sipas traditës së BE-së. Disa muaj më vonë, dekreti presidencial përcaktoi datën 8 maj 2011 si ditë të zgjedhjeve për pushtetin vendor, pra muaji prill do të ishte ai i fushatës elektorale. Sipas legjislacionit, komunat e bashkitë, kryetarët e administratat e tyre kanë përgjegjësi kryesore në administrimin e censusit në terren. Meqë siç pritet, kryetarët aktualë në një masë të madhe do të rikandidojnë, është lehtë të imagjinohet që në bashkitë e komunat e tyre të kemi një proces zgjedhor shumë të mirë, por që do të sakrifikojë këtë akt të rëndësishëm që bëhet jo një herë në katër, por në dhjetë vjet dhe që është censusi. Por edhe sikur bashkitë e komunat tona të mos kishin asnjë rol në numërimin e popullsisë, ose po të supozonim që ato do të funksiononin në çdo rrethanë si një orë zvicerane, pavarësisht nga fushata, prapë mbajtja njëkohësisht e një procesi që përgjithësisht ndodh në qetësi me një fushatë elektorale, që tek ne e gjetiu shoqërohet me tone të nxehta, nuk do të ishte e këshillueshme.
Unë po pres që Instituti i Statistikave të më dorëzojë këto ditë një vrojtim e analizë të kësaj situate, në mënyrë që javën e parë të marsit të mund të thërresim Komisionin Qendror, ku do të vendosim për ta mbajtur censusin në vjeshtën 2011.
Modeli që kemi zgjedhur, a është siç e ka Europa?
Kemi dëgjuar se kritikët e censusit pohojnë se këto që po bëjmë ne, veçanërisht pyetjet për gjuhën amtare, përkatësinë fetare dhe etnike, bien në kundërshtim me normat evropiane, me standardet e BE-së dhe të vendeve të saj. Të gjithë e dimë që disave u është bërë huq që kur duan diçka për vete, nuk e kanë për gajle të thonë se atë diçka e do edhe Evropa. Por le t’u referohemi dokumenteve dhe të lexojmë Progres-Raportin 2009 për Shqipërinë të KE-së, te pika 2.2, fq 17, ku shkruhet se “Në Shqipëri vazhdon të mos ketë të dhëna të sakta mbi minoritetet. Censusi i ardhshëm i popullsisë, duke respektuar standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të dhënave personale, do të jetë vendimtar për të adresuar këtë çështje”.
Për më tepër, le të sqarojmë se vendet e BE-së i kanë të përfshira  pyetjet për fenë dhe etninë në pyetësorin e censusit të vet. E kam mbi tavolinë pyetësorin e Irlandës (census 2007, pyetjet 14, 15, 16, 17) Rumanisë (census 2002, pyetjet 15, 17), Hungarisë (census 2001, pyetjet 23.1, 23.2, 24), Lituanisë (census 2001, pyetjet 32, 33), Kroacisë (census 2001, pyetja 23), Sllovenisë (census 2002, pyetja 29, 30), Bullgarisë (census 2001, pyetja 14, 16), Britanisë së Madhe (census 2007, pyetja 12, 13, 14), e kështu me radhë me pyetjet përkatëse. Të tëra vendet, edhe ato me pakica etnike, shumë më të mëdha se ato të Shqipërisë, pa asnjë dyshim, mbledhin të dhëna për fenë dhe etninë. Madje, ndonjë vend si Britania e Madhe, përveç këtyre çështjeve, pyet edhe për racën. Por kuptohet që tek ne dhe në BE, këto janë pyetje opsionale, ose ndryshe e thënë, i anketuari ka të drejtë të mos përgjigjet.
Këto informacione dhe fakte ua kam përcjellë personalisht disa figurave publike që ishin të zëshëm në kritikën ndaj censusit. Një pjesë e tyre i mori parasysh këto gjatë angazhimit në vijim në këtë debat dhe unë gjej rastin t’i falënderoj ata. Të tjerë vazhduan të flasin njëlloj si të mos kishin parë e dëgjuar.
A ka vend për alarm se shqiptarët do të ndryshojnë fenë?
Konvertimi në një fe tjetër nuk është ndonjë diçka e re as për shqiptarët dhe as për popujt e tjerë. Nuk është e nevojshme të bëj këtu leksione historie dhe të tregoj për atë që ndodhi në shekujt apo në dhjetëvjeçarët e fundit. Feja para se të jetë një fenomen kolektiv me dimensionin e vet social e kulturor është në radhë të parë një çështje e brendshme shpirtërore e individit, një çështje e besimit personal dhe në përputhje me Kushtetutën tonë, por edhe me normat më të avancuara të ligjit ndërkombëtar, çdo njeri është i lirë të ruajë apo të ndryshojë besimin e tij. E rëndësishme është që askush, përfshi edhe autoritetet shtetërore, mos të detyrojë përmes trysninë konvertimin (fekthimin). E dimë të tërë që me emigrantët tanë në një shtet të caktuar kemi pasur probleme dhe shqetësime sidomos gjatë viteve ’90. Por, të ngresh alarmin e ndryshimit masiv të fesë në Shqipëri si një rrezik, për më tepër të bësh një lidhje të pabazuar midis ndryshimit të fesë dhe asaj të etnisë, është krejtësisht e pavend dhe e paduhur. Në fund të fundit, duke përfshirë fenë në census, ne nuk po bëjmë ndonjë novitet në traditën e shtetit shqiptar. Sepse është numërimi i parë i plotë, ai i vitit 1923, që mblodhi të dhëna edhe mbi përkatësinë fetare dhe sidomos numërimi më i mirë që është bërë në atë kohë, ai i vitit 1930, na kanë dhënë ato përqindje e  shifra, të cilat përdoren gjerësisht nga studiues, gazetarë, etj.
A ka vend për alarm se shqiptarët do të adoptojnë etninë e fqinjëve?
Ndoshta kjo nuk është një droje e shpikur rishtas, por një shqetësim i hershëm në marrëdhëniet jo të lehta me fqinjët që nga fillimet e shtetit modern shqiptar. Por megjithatë në censusin e vitit 1923 dhe në atë të mbajtur në vitin 1930, sipas dekret-ligjit mbretnuer të iniciuar nga Musa Juka, asokohe ministër i Brendshëm, ne kemi mësuar se sa është përqindja e minoritarëve grekë në Shqipëri. Një shifër që rezulton pak a shumë e njëllojtë në të gjithë numërimet e mëvonshme.  Edhe numërimet pilot të kryera nga INSTAT-i vitin e fundit në zona minoritare apo të përziera nuk japin asnjë shkak për alarm. Dhe kur ne nuk u druajtëm nga këto sfida në ’23-shin e ’30-n, atëherë kur ishim më të varfër, më të dobët e më të pambrojtur, pse duhet në 2011-n të kemi kaq pak besim te vetja jonë? Pse të hezitojmë kur argumentet e një dekade më parë, se do të instrumentalizoheshin vizat apo dhe pensionet selektive kanë rënë për arsye tashmë të njohura, ndërkohë që jemi në rrugën e prosperitetit dhe të anëtarësisë në BE si anëtar i NATO-s me kontribute në rajon e në botë. Atëherë, pse ky mosbesim ndaj qytetarëve tanë, apo e thënë më troç, akoma kompleks inferioriteti ndaj të tjerëve. Pse nuk kemi besim që secili qytetar shqiptar të shprehet lirshëm për atë që është, për atë që ndjen se është, një druajtje që të kujton deri diku refuzimin e regjimit në fund të viteve ‘80 për t’u besuar shqiptarëve pushtetin përmes votës së lirë. Apo si dhe herë të tjera, dikush tenton të politizojë një proces normal e të ngrejë alarme të rreme.
Këto ditë kemi edhe një debat mbi ndryshimin e kombësisë përmes gjykatave, çështje që nuk lidhet teknikisht me censusin. Unë nuk e di nëse shifrat e deklaruara janë reale, as nuk e di sesa raste të tilla përbëjnë abuzim nga ana e personave kërkues apo gjyqtarëve të çështjes. Nëse është e vërtetë, lë një shije të papëlqyeshme. Siç është e vërtetë që shifrat e deklaruara janë statistikisht insinjifikante. Por kjo problematikë më ka kujtuar një diskutim për raportin shtetësi/kombësi në mes të viteve ’90, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Deputetët nga Europa Perëndimore ishin të qartë për njësimin e shtetësisë e kombësisë, ndërsa kolegët e tyre nga vendet ish-komuniste ishin më konfuzë, pasi i referoheshin traditës së tyre të diferencimit të shtetësisë e kombësisë sipas një koncepti të ngjizur, me sa di unë në BRSS, e që është elaboruar më tej nga Jugosllavia titiste. Nëse në ligjet tona ka ende mbetje nga ajo kohë, do të lipsej, që pas një debati publik, legjislacioni ynë të sillej në përputhje me normën e demokracive të konsoliduara europiane.
P.S. Siç mund ta keni vënë re, në këtë artikull kam përdorur termin numërim dhe jo atë regjistrim, që është përdorur që nga vitet ‘20. Në fakt fjala latine census, në rrënjën e saj, do të thotë numërim. Census është termi që përdorin gjuhët neolatine e anglishtja. Të tjera gjuhë si gjermanishtja, hungarishtja, etj., kanë përkthyer togfjalëshin numërim i popullsisë. Asnjë gjuhë europiane nuk përdor fjalën regjistrim, pasi kuptimi i saj tregon një lidhje të pandashme identitare të të regjistruarit, p.sh. personi në regjistrin civil apo prona në regjistrin e pasurive të paluajtshme, ndërkohë që censusi është një numërim me rezultate statistikore dhe qartazi pa lidhje e përdorim identitar. Ndoshta edhe këtu ka vend për rishikim.

*Ministër dhe kryetar i
Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura