Sëmundjet ortopedike, hapet qendra e parë e fizioterapisë në ujë

Jun 30, 2011 | 10:05
SHPËRNDAJE
Zv.Ministri Spahia, duke përuruar qendrën e re

Është çelur në vendin tonë e para qendër që mundëson fizioterapinë në ujë, një nga metodat më moderne të rehabilitimit fizik. Inaugurimi i kësaj qendre u zhvillua ditën e djeshme në kompleksin spitalor universitar “Zoja e Këshillit të Mirë”, pranë së cilës u ngit ky investim. Të parët që mund të përfitojnë nga kjo risi në repartin e hidrokinezoterapisë janë ata që duan të kurohen nga sëmundjet e brendshme, ortopedike dhe neurologjike. Duke i dhënë rëndësinë e merituar kësaj risie për vendin tonë në inaugurim morën pjesë zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, zv.ambasadori italian në Tiranë, Giuseppe Berlendi, drejtori i Kooperacionit Italian për Zhvillim, Aldo Sicignano dhe shumë autoritete të tjera civile dhe fetare. Për zv.ministrin e Shëndetësisë, Spahia, çelja e këtij reparti është një ngjarje e rëndësishme për mjekësinë shqiptare, për vetë faktin e asaj çka do të ofrojë ky investim. “Ju siguroj se qeveria është e vendosur për të bërë gjithçka për rritjen e cilësisë së shërbimit në sektorin publik. Sikundër siguroj një garë të ndershme midis këtij sektori dhe sektorit privat për shërbimet për qytetarët shqiptarë. Falënderoj Ambasadën e Republikës së Italisë dhe mes saj qeverinë italiane dhe Kooperacionin italian për kontributin e vazhdueshëm në vite dhënë sistemit shëndetësor shqiptar”, tha Spahia.
Hidrokinezoterapia
Çfarë është hidrokinezoterapia? Në mjekësi kjo kulturë është duke u bërë pjesë e protokolleve rehabilituese në fushën ortopedike dhe sportive. Me kalimin e viteve, njohja e anëve pozitive dhe rezultatet e arritura e kanë bërë këtë mënyrë rehabilitimi ndër më të suksesshmet. Terapitë janë individuale dhe në grup. Kohëzgjatja e një trajtimi shkon rreth 40 minuta (përfshi këtu edhe kohën e përgatitjes. Hidroterapia këshillohet jo vetëm si mjet për përgatitje fizike para një ndërhyrjeje kirurgjikale, por edhe si një mjet rehabilitues pas kësaj ndërhyrjeje. Në këtë rast të fundit rehabilitimi në ujë fillon pas mbylljes së plagës, duke u parë si një trajtim i rëndësishëm kur ushtrimet tradicionale janë të pakëshillueshme. Lidhur me pishinën e ngritur pranë kompleksit spitalor universitar “Zoja e Këshillit të Mirë”, në funksion të hidrokinezoterpaisë mund të thuhet se ajo nuk ka asnjë pengesë arkitektonike, është studiuar me kujdes mënyra e futjes në vaskë e pacientëve, duke filluar nga ata me më pak të aftët, deri tek ata të aftët. Investimit në ndërtim i është bashkangjitur edhe investimi në burime njerëzore. Fizioterapistët e qendrës janë të specializuar dhe me eksperiencë pune të kryer jashtë shtetit. Gjithashtu qendra përfiton edhe nga bashkëpunimi me specialistë që vijnë nga Italia.

“Zoja e Këshillit të Mirë” tani Universitet Katolik

Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë” kthehet në Universitet Katolik. Kjo vjen menjëherë pas marrjes së titullit “Universitet Katolik” i dhënë me një dekret të Kishës Katolike. Në këtë universitet zhvilloi një vizitë së fundi kreu i Diplomacisë së Vatikanit, Sh. T. Arqipeshkvi Domenique Mamberti. Gjatë kësaj vizite ai pati mundësinë që të takohej me profesorë dhe studentë të këtij universiteti. Në takimin e zhvilluar, Sh. T. Mons Mamberti vlerësoi universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” për rëndësinë dhe nivelin e lartë të mësimdhënies. Një tjetër pikë ku u ndal fjala e tij gjatë takimit ishte ajo lidhur me titullin që universiteti mori së fundi. “Ky është një eveniment e vlerësim madhor për këtë universitet. Kjo gjë, pa dyshim, duhet të konsiderohet dhe si një vlerësim ndaj vendit tonë në tërësi. Futja e këtij universiteti në grupin e Universiteteve Katolike në botë është një vlerësim i lartë si dhe një nxitje e fortë për zhvillimet e ardhshme të Universitetit”, tha ai. Zoja e Këshillit të Mirë është i pari universitet katolik aktiv në Ballkan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura