Selimi, tabulatet dalin “të pastra”

Sep 30, 2011 | 11:57
SHPËRNDAJE

Grupi hetimor ka dështuar të përcaktojë ndonjë emër të dyshuari në hetimet 3-ditore për vrasjen e Armand Andonit, i njohur me emrin Arjan Selimi, i cili u qëllua të hënën me 5 plumba në Tiranë. Ndërkohë që Policia e kryeqytetit ka kryer një hetim operativ bazuar në informacionet e marra nga terreni, Prokuroria prej dy ditësh është marrë me listimin e tabulateve telefonike të Arjan Selimit. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, në listat e telefonatave hyrëse dhe dalëse nuk janë gjetur emra apo numra personash të panjohur për 37-vjeçarin, duke përjashtuar kështu mundësinë e vrasjes për ndonjë konflikt të kohëve të fundit. Policia ka thënë se sektori i Antidrogës e mbante në vëzhgim Arjan Selimin për shkak të dyshimeve për implikim të tij në trafikun e narkotikeve, mirëpo të paktën nga telefonatat duket se 37-vjeçari nuk ka lënë asnjë gjurmë. Hetuesit dyshojnë se edhe nëse kjo ka ndodhur, Arjan Selimi ka qenë i kujdesshëm me telefonatat, duke marrë parasysh eksperiencën e tij me dosjen e parë “Kompas”, ku prova kryesore kanë qenë përgjimet telefonike.
Rihapet dosja “Kompas”
Anëtarët e grupit të hetimit të atentatit ndaj Arjan Selimit kanë rihapur këto ditë dosjen e trafikut të drogës “Kompas”, ku ndodhen të dokumentuara të gjitha përgjimet e Arjan Selimit në periudhën 2000-2004, kur grupi i drejtuar prej tij u akuzua se kishte trafikuar tetë ngarkesa me heroinë e kokainë në Itali. Çdo detaj i dosjes së mëparshme po verifikohet nga policia dhe prokuroria për të parë nëse 27-vjeçari ka pasur përplasje, konflikte apo hesape të pambyllura me ndonjë palë në trafikun e kokainës. Kjo pasi, sipas hetimeve 3-ditore, nuk është arritur të gjendet ndonjë provë se Arjan Selimi ka pasur konflikte apo përplasje me njeri pas lirimit nga Gjykata e Lartë në maj të këtij viti. Nisur nga ky fakt, hetuesit dyshojnë se shkak i atentatit të mirorganizuar mund të jenë probleme të vjetra të pambyllura, pasi aktiviteti i Selimit ka qenë mjaft intensiv në Shqipëri dhe në SHBA në trafikun e drogës. Njëherësh edhe sasitë e lëndës që policia i ka bllokuar grupit të tij kanë qenë të mëdha e me dëm ekonomik të konsiderueshëm.

Dje, ceremonia mortore në Varrezat e Sharrës : Të afërmit i japin lamtumirën e fundit, mungon babai nga SHBA

Kortezhi mortor dje në varrimin e Arjan Selimit

Arjan Selimi, i ekzekutuar me 5 plumba mbrëmjen e së hënës në Tiranë, u përcoll dje për në banesën e fundit nga një kortezh mortor që nisi nga pallati ku ai banonte te ish-Parku i Autobusëve për në Varrezat e Sharrës. Familjarë, të

Inis Gjoni dje në apartamentin ku jetonte me Selimin

afërm, miq, fqinjë dhe të njohur i dhanë dje lamtumirën e fundit 37-vjeçarit, që u varros me emrin Armand Andoni. Dhjetëra automjete që ndiqnin makinën e shërbimit funeral, ku ndodhej arkivoli dhe prifti katolik, që u nis në orën 10:00 nga shtëpia ku ai jetonte së fundi me partneren e tij Inis Gjoni, përshkuan gjithë Rrugën e Kavajës deri në Sharrë. Në ceremoni ka qenë i pranishëm edhe një prift. Varrimi i Selimit u krye dy ditë me vonesë, me qëllim që të mbërrinin prindërit e tij nga Amerika. Në ceremoninë mortore mungonte babai i tij, Minella Andoni dhe vajza e madhe, Chlow, që jeton në Shtetet e Bashkuara, e cila ka ardhur në jetë nga një lidhje që Selimi ka pasur shumë vite më parë me një shtetase amerikane. Sipas një kushëririt të Arjan Selimit, babai dhe e bija e tij kanë munguar pasi kanë pasur një vonesë avionësh për t’u bashkuar me nënën, Luçian dhe motrën Mariola, të cilat mbërritën në Tiranë dy ditë më parë. E ëma dhe motra e Arjan Selimit ishin të parat që ndiqnin kortezhin mortor paraditen e djeshme, ndërsa pas tyre vinte bashkëshortja e tij, Inis Gjoni, e cila është në muajin e gjashtë të shtatzënisë, e shoqëruar nga dy motrat e saj. Ndërsa në varrim ishin të pranishme edhe gruaja e parë e Selimit, Gerta Avrami, bashkë me vajzën 12-vjeçare, I. Andoni, e cila ka qëndruar edhe mbrëmë në shtëpinë ku janë hapur dyert e mortit. Edhe mbrëmë, në shtëpinë ku Selimi jetonte së fundi me Inis Gjonin, vazhdonin vizitat e ngushëllimit nga të afërmit e miqtë e tij. Sipas të afërmve, nëna e 37-vjeçarit është larguar drejt Amerikës sot në orën 05:00 të mëngjesit, ndërsa motra do të qëndrojë edhe disa ditë, për të qëndruar pranë Inis Gjonit, për të cilën tashmë po kujdesen të gjithë të afërmit për shkak të shtatzënisë së saj.

Hetimi- Policia monitoron funeralin
Dhjetëra agjentë të Policisë së Tiranës, të pozicionuar kryesisht përgjatë rrugës “Stavri Themeli”, ku ndodhi vrasja e Arjan Selimit, por edhe në zona të tjera të ish-Parkut të Autobusëve, kanë mbajtur në vëzhgim ceremoninë mortore që u zhvillua dje. Prej orëve të para të mëngjesit, forca të shumta policie monitoruan kryesisht pjesëmarrësit që iu bashkëngjitën kortezhit mortor, që u nis në orën 10:00 nga pallati ku ai banonte, drejt Varrezave të Sharrës. Çdo lëvizje që konsiderohej e dyshimtë në zonë, është verifikuar nga agjentë civilë, pasi mund t’i bashkëngjitet procesit hetimor për vrasjen e tij. Pjesëmarrësit në ceremoninë e varrimit dhe të gjithë kureshtarët janë vëzhguar nga policia në përpjekje për të kapur ndonjë element të dyshimte që mund të shërbejë më pas si pikënisje për hetimin. Mbikëqyrja e ceremonive të tilla është kthyer tashmë në një rutinë nga policia.

Familja- Dy vajzat e Armand Andonit
Përveç vajzës që pritet të sjellë në jetë në janar Inis Gjoni, Arjan Selimi ka edhe dy vajza të tjera nga dy lidhje të mëparshme që ka pasur vite më parë. Në foton e publikuar dje në gazetën “Panorama”, Selimi ndodhet me dy vajzat e tij, Chlow Andoni, e cila është vajza e madhe dhe nëna e saj është një shtetase amerikane, si dhe 12-vjeçarja I. Andoni, nëna e së cilës është Gerta Avrami, që mori pjesë edhe dje në varrimin e tij. Sipas familjarëve të Selimit, të dy vajzat, që mbajnë mbiemrin e tij, Andoni, janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën dhe takohen shpesh, pasi vajza e madhe e tij vjen herë pas here për vizitë në Shqipëri. Vajza e madhe ndodhet në SHBA, pasi ka lindur atje para vitit 2000, kur Arjan Selimi qëndronte në Miçigan me identitetin e tij dhe emrin Armando Andoni. Pas kthimit në Shqipëri të Andonit, vajza e tij e lindur me një grua amerikane qëndroi në SHBA.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura