Sekuestrohet gjysmë ton drogë

May 31, 2013 | 12:52
SHPËRNDAJE
Droga e sekuestruar dje

Dy emigrantë rezidentë në Itali tentojnë të trafikojnë drejt këtij shteti një sasi prej rreth 1.5 tonësh drogë e llojit Cannabis sativa. Ata u pikasën nga policia, çka i detyroi të digjnin mjetin me të cilin trafikonin lëndën narkotike. Me gjithë ndërhyrjen e policisë, pjesa më e madhe e mallit u dogj, ndërsa u shpëtua pa u shkrumbuar vetëm një sasi prej 372 kilogramësh kanabis. Renata Kebej, 38 vjeçe, si dhe Artur Selmani, 33 vjeç, nga Durrësi, janë shpallur në kërkim nën akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Këtyre shtetasve, gjatë lëvizjes në segmentin rrugor Shkafane-Gjiri Lalzit, me automjetin furgon “Toyota” me targa angleze X613ELA, u është kërkuar të ndalojnë nga patrulla e kontrollit të territorit përgjatë natës. Por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të shërbimeve. Efektivët e Policisë janë vënë në ndjekje të furgonit, duke e gjetur në afërsi të Gjirit të Lalzit, nën flakë. Pas fikjes së zjarrit filloi kryerja e veprimeve të para hetimore, gjatë të cilave, në pjesën e pasme të mjetit u gjetën qese plastmasi dhe një çantë sporti, brenda së cilave 372 kg kanabis (krahas pjesës së djegur), ndërsa dyshohet që brenda në furgon mund të ketë pasur një ngarkesë mbi një ton e gjysmë lëndë narkotike. Nga ana e policisë po punohet për arrestimin e shtetasve, zbardhja e origjinës e destinacioni i lëndës narkotike si dhe përfshirja e personave të tjerë në këtë veprimtari. Nga hetimet paraprake që kanë kryer efektivët e Antidrogës dyshohet që lënda e llojit Cannabis sativa kishte si destinacion tregun e jashtëm, dhe pikërisht shtetin italian.
Ndërkaq, një tjetër rast i trafikimit të drogës u zbulua në Shkodër nga Policia Kufitare e Hanit të Hotit. Një i ri është përpjekur që të kalojë drejt Malit të Zi rreth 182 kg marijuanë. Policia bëri të ditur se ka arrestuar drejtuesin e mjetit që transportonte lëndën, 26-vjeçarin Gentian Mehmeti, lindur në Bulqizë dhe banues në Tiranë. Ai ka mbërritur në doganë rreth orës 22:00 me furgonin e tij me targë AA 278 GH, i cili ishte bosh dhe po tentonte të kalonte për në shtetin fqinj të Malit të Zi. Këmbëngulja e të riut që të kalonte shpejt kontrollin, duke pretenduar se mjeti i tij ishte bosh, ka bërë që policia të kontrollojë dhe të zbulojë trafikun.           l.m/r.d

Emigrantët hyrje-dalje të shpeshta
Sipas Policisë së Durrësit, dyshohet se lënda narkotike të jetë siguruar në një nga fshatrat periferike të Durrësit. Lidhur me rastin u punua dhe po vijohet në drejtim të kapjes dhe procedimit të dy shtetasve të identifikuar paraprakisht si posedues të lëndës narkotike. Mësohet se shtetasit në fjalë kanë njohje të vjetër dhe dyshohet që kanë bashkëpunuar edhe herë të tjera në veprimtari të tilla. Që të dy personat rezultojnë rezidentë në shtetin italian. Burime nga Policia bënë të ditur se janë verifikuar hyrjet dhe daljet e tyre nga Shqipëria, ku rezulton se ata janë futur shpesh në vendin tonë nëpërmjet Portit të Durrësit. Dyshohet se ata mund të kenë trafikuar edhe më parë lëndë narkotike drejt Italisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura