Sarkozi: Sondazhet gabojnë, unë do të jem Presidenti i ri

Apr 30, 2012 | 13:10
SHPËRNDAJE

Sarkozi në një takim me Gedafin

Shfaqen lajme të reja për donacionin nga Gedafi, Presidenca hesht.

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi dhe rivali i tij për Presidencën, Fransua Holande, kanë hyrë në fazën kryesore të garës presidenciale.
Të dy ata po kërkojnë votat e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, duke adresuar çështjet europiane. Ata e kanë intensifikuar fushatën e tyre duke komentuar nëpër tubime, intervista mediatike etj. Sondazhet kanë treguar se tendenca e votuesve nuk ka ndryshuar shume. Holande, i cili doli i pari në raundin e parë të votimeve më 22 prill, ende ka avantazh të konsiderueshëm ndaj Sarkozisë. Sipas sondazheve të LH2, socialisti Holande do t’i fitojë zgjedhjet e 6 majit me 54 për qind të votave. Asnjëherë një kandidat presidencial nuk ka pasur kaq diferencë në sondazhet për zgjedhjet presidenciale finale një javë para votimit. Në një tubim të madh të dielën, Sarkozi theksoi retorikën e tij nacionaliste, duke iu referuar 6.5 milionë votuesve të Le Pen në raundin e parë. “Unë nuk dua ta lë Francën të dobësohet në globalizëm, ky është mesazhi nga raundi i parë”, tha Sarkozi në Toulouse duke shtuar se “Europa e ka lënë të dobësohet shumë idenë e kombit”. Ndërkohë, Sarkozi deklaroi se rezultatet e sondazheve janë të gabuara dhe se ai do t’i fitojë zgjedhjet e 6 majit me mandat të dytë në Presidencë. Në një intervistë për “Parisien Dimanche”, Sarkozi tha se “Sondazhet janë të gabuara, sepse nuk marrin në konsideratë mobilizimin masiv të popullsisë. Pres një pjesëmarrje rekord në raundin e dytë, pasi po konstatoj një nivel unik ndjeshmërie të popullsisë ndaj politikës. Për këtë arsye, kam një besim të patundur tek rizgjedhja ime, pasi francezët e kanë kuptuar se çfarë është më e mira për ta”, theksoi ai. Por me siguri ai nuk e kishte marrë parasysh skandalin e fundit në të cilin u përfshi. Mbrëmjen e së shtunës u shfaqën prova të reja që tregonin se kolonel Gedafi i ka dhuruar 45 milionë euro fushatës elektorale që e solli Sarkozinë në fuqi. Ligjet franceze nuk i lejojnë kandidatët të marrin pagesa në kesh mbi 6500 euro, por një agjenci lajmesh deklaroi se donacioni masiv ishte bërë nëpërmjet llogarive bankare në Panama dhe Zvicër. Por presidenca franceze nuk ka komentuar.

Akuzat e Kahn
Të shtunën paradite, prestigjiozja britanike “The Guardian” ka publikuar një artikull, ku ish-kreu i FMN-së dikur pretendonte për Presidencën franceze, akuzoi Sarkozinë dhe ndihmësit e tij se i kishin ngritur kurth mbi “sulmin seksual” në Nju Jork që ai të tërhiqej nga kandidatura. Kjo ndodhi. Për herë të parë Kahn adresoi gishtin e tij te Sarkozi e anëtarë të lartë të partisë së tij, se kanë përdorur shërbimet sekrete për ta përgjuar atë dhe transformuar situatën. Por Nikolas Sarkozi i hodhi poshtë akuzat e ngritura nga Kahn, duke u shprehur se “ai duhet t’i kursejë kritikat dhe të përballet me ligjin”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura