Sanije Hoti: Ëndrra për t’u bërë aktore e një vajze fshati

Mar 31, 2014 | 14:17
SHPËRNDAJE

Nga një vajzë e ndrojtur nga fshati Qerret, që dëgjonte në radio përrallat e treguara nga Vera Zheji, te një nga aktoret më të njohura të Teatrit të Durrësit. Artistja tregon karrierën e saj, vështirësitë e fillimit, rolin që i hapi dyert dhe dëshirën për të mos iu ndarë kurrë skenës…

Ajo e kujton si sot ditën ku i thanë se kishte fituar të drejtën e studimit për Teatër. Ishte veçse një vajzë e vogël fshati që ëndërronte të bëhej si Vera Zheji. Tashmë imagjinonte si do ngjiste shkallët e karrierës, por nuk ishte aq e thjeshtë. Kur me ndrojtjen e një fillestareje u afrua në Teatrin e Durrësit, duhet të quheshe me fat, nëse të jepnin një rol si figurant. Por, Sanije Hoti ia doli. Aktorja e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, ndonëse e pranishme në skenë që prej fundit të viteve ’70, duket se po përjeton vitet e saj më të lumtura e më të suksesshme në karrierën e saj shumëvjeçare. Asaj nuk i mungojnë rolet, nuk i mungon energjia dhe guximi për interpretim dhe pa dyshim nuk i mungojnë as duartrokitjet e publikut, jo vetëm të atij durrsak, duartrokitje për të cilat Sanija shprehet se janë ushqimi shpirtëror i domosdoshëm për të qenë gjallë. Ka qenë një gabim në sajë të pavëmendjes, ai që i ka dhuruar fatin e madh që të bëhej pjesë e trupës teatrore të Durrësit.
Zonja Hoti, edhe pas 30 vitesh karrierë jeni po aq aktive në skenë,  sa ditën e parë. Na flisni pak për fillimin e karrierës, si e nisët atë?
Karrierën si profesioniste e kam nisur fill pas përfundimit të studimeve të larta në Akademinë e Arteve. Por, hapat e parë dhe ideja për t’u bërë aktore ka lindur që në moshë shumë të re. Mbaj mend që isha në shkollë 8-vjeçare dhe merrja pjesë rregullisht në aktivitetet që zhvilloheshin asokohe në fshat. Më pëlqente shumë letërsia dhe recitimi. Fillimisht ishte shumë e vështirë, pasi bëhej fjalë për një vajzë të re pa eksperiencë. Konkurrenca ishte shumë e madhe, ku për një rol ishin të gatshëm tre aktorë. Plus që kishe të bëje me aktorë profesionistë, të cilët kishin shumë autoritet, sa që ne të rinjtë nuk kishim guxim t’i thërrisnim as në emër. Pastaj me kalimin e viteve gjithçka u bë më e thjeshtë.
Dikur një vajzë e vogël nga fshati Qerret, tashmë një nga aktoret me të njohura në Durrës, por jo vetëm. Si ju lindi dëshira për t’u marrë me aktrim?
Kur isha e vogël, rreth 8-9 vjeçe, transmetohej në radio emisioni “Përrallëza jonë”, e cila kishte për moderatore Vera Zhejin. Ajo kishte një zë të mrekullueshëm dhe ishte “idhull” për të gjithë të rinjtë e të rejat e Shqipërisë. Më pëlqente shumë mënyra e saj e interpretimit dhe përpiqesha ta imitoja. Por, edhe tani që jam në përfundim të karrierës sime, nuk mund t’i shkoj afër zërit të saj. Nga kjo dëshirë e atëhershme lindi gjithçka. Sapo mbarova klasën e tetë, mora një bursë për në Shkollën e Mesme të Kulturës në Tiranë, në degën teatër. Por gjithçka ishte shumë, shumë e vështirë. Fitova një bursë, por do të jepja provimet dhe më pas vinte përgjigjja nëse e fitoje përfundimisht apo jo. Më kujtohet si tani, kur ditën e provimit më përcolli deri te stacioni i trenit në Sukth im vëlla me biçikletë. Nejse, dhashë provimin dhe u ktheva në shtëpi.
Përgjigja vinte pas disa ditësh…
Po sigurisht! Po nuk kishte as telefona dhe nuk kishe se si e merrje vesh nëse kishe fituar apo jo. Pas disa ditësh, të them të drejtën e kisha harruar fare përgjigjen që prisja. Kur një ditë më thotë kunata ime që punonte si ekonomiste, që më kërkonte kryetari i këshillit. Shkoj e takoj në zyrën e tij. Ai më thotë “thuaj Nezirit (babait tim) që të skuqë një zog dhe të na i sjellë ta hamë, se ti do shkosh në Tiranë”. Në ato momente trupin ma përshkoi një ndjesi shumë e veçantë. U emocionova kaq shumë, sa që fluturova nga gëzimi dhe nuk arrita t’i thosha kryetarit, as do ta hash zogun, as s’do ta hash. Vrapova drejt shtëpisë dhe brohorisja me të madhe në oborrin e shtëpisë. U tregova familjarëve të mi, të cilët sigurisht u gëzuan shumë. Unë natyrisht që fluturoja nga gëzimi, se do takoja nga afër persona shumë të rëndësishëm.
Ju vazhduat për katër vite Shkollën e Mesme të Kulturës, ndërsa më pas përfunduat dhe Akademinë e Arteve. Pas përfundimit të studimeve u emëruat në trupën e Teatrin të Durrësit…
Po, fill pas përfundimit të studimeve të larta u emërova pjesë e trupës së Teatrit të Durrësit. Një vështirësi e paparë, pasi isha një vajzë e re mes 30 aktorëve dhe regjisorëve profesionistë. Asokohe Teatri i Durrësit përfaqësohej nga emra shumë të mëdhenj, si Drita Nikolla, Vangjel Haba, të cilët kishin shumë autoritet. Unë po ju tregoj vetëm një detaj. Nuk guxoje t’i thërrisje në emër këta aktorë, edhe pse ishin thjesht kolegë. Kishin një autoritet shumë të madh.
Çfarë e bënte kaq të vështirë?
Trupat teatrore në atë kohë ishin me gati 30 aktorë, të cilët në krahasim me në të rinjtë, ishin aktorë të ngjitur sa e sa herë në skenë. Mund të quheshim me fat, nëse na caktoheshin disa role si figurantë, pra aq thuajse e pamundur ishte të merrnin një rol ne aktorët e rinj. Në atë kohë, unë isha në fazën e mbrojtjes së diplomës dhe regjisori Pjetër Gjoka do të vinte në skenë një dramë. Aktorja e madhe Drita Nikolla do të interpretonte në këtë dramë rolin e një shërbyeseje, pas saj ishte edhe një tjetër aktore, që do të interpretonte po të njëjtin rol e më pas edhe unë, që do të triploja atë rol.
Ka qenë pikërisht ky momenti që do hapte dyert e karrierës suaj?
Po. Momenti që nuk do ta harroj kurrë. Në një moment të caktuar, kur regjisori Gjoka i bën me shenjë aktores Nikolla që të fillonte provat, ne të gjithë kujtojmë se ai ma bëri me shenjë mua dhe ju nuk mund ta imagjinoni gëzimin tim në ato moment. Fillova të interpretoja, kur regjisori më ndërpret dhe më thotë se nuk ma bëri mua me shenjë, por megjithatë të vazhdoja të interpretoja. Atij i pëlqeu pa masë interpretimi im dhe kështu mua m’u dha mundësia të mbroja diplomën. U emërova pastaj përfundimisht aktore pranë trupës teatrore të Durrësit.

Çmimet
Rolet e shumta dhe mjeshtëria me të cilën ajo interpreton e kanë bërë të njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në festivalet teatrore jashtë kufijve. Fakt për këtë ishte edhe çmimi si aktorja më e mirë në Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe, “Talia e Flakës”, në Gjilan (Kosovë). Çmimi iu dha për interpretimin e rolit të një fshatareje nga Shqipëria e Mesme në komedinë e autorit Bashkim Hoxha, “Udhëtim pa vizë i një alieni”. Ndonëse jo e pranishme gjatë marrjes së çmimit, aktorja Hoti shprehet se e kanë telefonuar në mbrëmje për t’i dhënë lajmin e mirë dhe për të ka qenë një emocion i papërshkrueshëm.

Në Teatrin e Kukullave
Në vitin 1984, Sanije Hoti bëhet pjesë e Teatrit profesionist të Kukullave, një periudhë të cilën ajo e kujton me shumë dashuri. “Kam marrë shumë duartrokitje në skenë me role të ndryshme. Por më besoni,  lumturia ime më e madhe kanë qenë duartrokitjet e marra në Teatrin e Kukullave, pasi vlerësimi që të bën spektatori i vogël është shumë i sinqertë. Ata janë kritikët më të mirë, pasi nuk ndihen në siklet të të duartrokasin nga zori, por sepse ti vërtet i ke kënaqur. Më kujtojnë gjithnjë si personazhi i keq dhe dinak i dhelprës, megjithatë më kanë dashur dhe më duan fort”.

Rolet
Nga “Ne të gjithë këndonim Margeritën” te një nënë e dëshpëruar në monologët e femrave të autorit Dario Fo, për t’u bërë më pas fshatarja në “Udhëtim pa vizë i një alieni”, më tej gruaja e ministrit në “Një seancë e jashtëzakonshme parlamentare”, për t’u shndërruar më pas në doktor Adhamudhin në komedinë “Pas vdekjes”; në njeriun e nëntokës në komedinë “Kush do të bëhet milionarius” dhe së fundmi në gruan e guximshme Angjelinë te “Tri femra, tri divorce dhe një shtëpi”. Të gjitha këto në fare pak kohë, energji të shumta, pa dyshim lodhje, por mbi të gjitha pasion. Një trajektore e çuditshme, por shumë e suksesshme kjo e roleve të aktores, e cila nuk ka frikë t’i thotë jo asnjë roli impenjativ, edhe atëherë kur i duhet të interpretojë një mashkull.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura