Salihi: Nga Rapidi ika prej trajnerit

Mar 30, 2012 | 14:40
SHPËRNDAJE

Bomberi shqiptar, Hamdi Salihi

Sulmuesi shqiptar rrëfen arsyen e transferimit të tij në SHBA.

“Në SHBA ka një futboll fizik. Sulmuesit s’e kanë të lehtë”

Bomberi shqiptar, Hamdi Salihi, duket se e ka gjetur veten në Amerikë te skuadra Uashington DC. Pas karrierës së tij në Bundesligën austriake, ku ekipi i Rapidit të Vjenës shërbeu si trampolina për në Ligën amerikane, sulmuesi Hamdi Salihi, në një intervistë për “heute.at”, rrëfen mbi arsyet e këtij transferimi dhe mbi vështirësitë që ai po has në këtë ligë ku marrin pjesë emra të njohur të futbollit europian, si Henri, Bekham, Fridrish apo Frings. “Dua të jem i rëndësishëm për ekipin që luaj, gjë e cila më mungoi nën drejtimin e trajnerit Shëtel. Kohët e fundit vuajta vërtet shumë te Rapidi”, ka thënë ai. Ja se çfarë rrëfen mbi jetën e tij të re në SHBA, pranë Shtëpisë së Bardhë.
Salihi, që prej 4 javësh jeni bërë pjesë e kryeqytetit të Amerikës. Jeni ambientuar me jetën e re?
Po. Uashingtoni është një qytet fantastik, por i vogël. Pothuajse çdo ditë kaloj afër Shtëpisë së Bardhë. Një ndihmë apo një mik i mirë për mua është Branko Boshkoviç. Me të kam jetuar në një shtëpi edhe në Vjenë. Jemi ambientuar shumë mirë dhe jam optimist për të ardhmen time këtu.
Dhe tani e takoni më shpesh të dashurën tuaj…
Po, ajo studion në Nju Jork. Megjithatë, në krahasim me të kaluarën i kushtojmë më shumë kohë njëri-tjetrit.
Nga ana sportive, si është niveli në krahasim me futbollin në Austri?
Trajnimi është më i vështirë. Nga ana fizike duhet të jesh shumë mirë, pasi është e lidhur ngushtë me filozofinë e lojës, por taktika nuk është aq vendimtare si në Europë. Megjithatë, e theksoj se këtu ke të bësh me lojtarë shumë të fortë fizikisht, dhe kjo nuk ia bën gjërat të lehta asnjë sulmuesi.
Ç’mendim keni tani për Rapidin e Vjenës?
Duhej të largohesha prej aty sepse doja të luaja, doja të isha pjesë e rëndësishme e një skuadre, dhe jo një lojtar rezervë. Koha ime te Rapidi ka qenë më e bukura e karrierës sime. Nëse do kem kohë, do shkoj t’i vizitoj. Kam një falënderim për fansat e mi. Janë më të mirët në botë dhe shpeshherë mendoj për ta.

Berisha në formacionin e vitit
Futbollisti Besart Berisha ka zënë vend në ekipin më të mirë të vitit në Australi. Përzgjedhja e ekipit të vitit është bërë nga futbollistët e kampionatit të Australisë “A-League”. Berisha udhëhoqi në edicionin 2011-2012 skuadrën Brisban Roar. Realizoi 19 gola për Brisbanen, që sezonin e rregullt në A-League e përfundoi në pozitën e dytë. Ai barazoi rekordin e ligës për më së shumti gola të shënuar, ndërsa theu rekordin e skuadrës. Po ashtu vendosi rekord të ligës për “hat-trickun” më të shpejtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura