Salihi, më 5 shkurt u bashkohet kinezëve

Jan 31, 2012 | 14:58
SHPËRNDAJE

Legjionarët/ Dy sulmuesit kuqezinj ndërrojnë ekip në merkaton e janarit

Bogdani, sot pritet transferimi drejt skuadrës së Leçes

Hamdi Salihi dhe Erjon Bogdani do të ndryshojnë fanellë gjatë kësaj merkatoje. Ndërsa sot është dita e fundit e transferimeve, duket se të dy futbollistët e Kombëtares kanë gjetur klubet ku do luajnë për më tej.  Sulmuesi shqiptar, Hamdi Salihi, ka arritur marrëveshje trevjeçare me ekipin Çangçun Jiatai, që garon në elitën e futbollit të Kinës, njoftonte të hënën “vienna.at”. Sipas kësaj uebfaqeje, ekipi kinez i ka paguar Rapidit të Vjenës 450 mijë dollarë. Salihi 28-vjeçar së fundi luajti për skuadrën austriake, Rapid Vjena. Ai me këtë skuadër këtë sezon ka shënuar tre gola në 12 ndeshje. Bomberi shkodran pritet të udhëtojë më datë 5 shkurt drejt Qipros dhe t’i bashkohet skuadrës së tij të re. Vizitat mjekësore ai do t’i kryejë në Austri ose në Qipro, në praninë e stafit drejtues të klubit kinez Çangçun Jiatai. Aktualisht skuadra e re e bomberit kuqezi është në Qipro, ku po kryen fazën përgatitore. Kampionati kinez do të nisë në mars, ndaj edhe muaji shkurt do të jetë në dispozicion të ekipit për t’u përgatitur dhe për të bërë merkaton e duhur. Merkatoja në Kinë mbyllet zyrtarisht më 3 mars, ndaj skuadra e Salihit do të vazhdojë të tentojë afrimin e futbollistëve të rinj. Te skuadra kineze bomberit shkodran i është garantuar një vend titullari nga trajneri Sapuriç. Në garë për Salihin ishte edhe ekipi tjetër kinez, Tijanzhin Teda, që drejtohet nga kroati Josip Kuzhe. Sakaq, pritet që sot të marrë zgjidhje edhe e ardhmja e Erjon Bogdanit. Sipas të gjitha gjasave, shtatlarti do të transferohet zyrtarisht drejt Leçes. Në rast se ky akord arrihet në orët e fundit të merkatos, atëherë Bogdani do t’i duhet t’i thotë lamtumirë Çezenës. Emri i 34-vjeçarit është lakuar së shumti në merkato këto javët e fundit, madje edhe ofertat në drejtim të tij kanë qenë të shumta. Por në “pole-position” për të marrë Bogdanin është pikërisht Leçe, duke qenë i vetmi ekip që militon në Serie A, ndërsa ofertat e tjera i kanë ardhur nga Seria B. Në të tilla kushte, Leçe konsiderohet si alternativa më e mirë për shqiptarin. Aktualisht, Leçe renditet në fund të tabelës me nëntë pikë, teksa ka arritur vetëm dy fitore në 16 ndeshje.

Cana, drejt rikuperimit
Lorik Cana mund të thyejë çdo parashikim dhe të jetë i gatshëm për miqësoren e Shqipërisë kundër Gjeorgjisë, më 29 shkurt. Mesfushori i Lacios ka kryer disa analiza në Francë, në një klinikë të specializuar në Bordo dhe përgjigjet kanë qenë pozitive. Sipas burimeve pranë futbollistit, Cana pritet t’u rikthehet stërvitjeve në fushë të premten ose të shtunën. Cana mund të rikuperohet dhe të luajë kundër Gjeorgjisë, por problemi është se ftesat për grumbullimin bëhen të paktën dy javë para, çka do të thotë se duke mos pasur siguri, De Biazi mund ta “kursejë” ftesën për futbollistin.

Pajtim Kasami
Mesfushori shqiptar, Pajtim Kasami, pritet që gjatë ditës së martë (sot) të kompletojë transferimin e tij te skuadra e Juventusit, shkruante “Tuttomercatoweb” të hënën. Për 19-vjeçarin, Juventusi do t’ia paguajë Fulhamit një shumë prej katër milionë eurosh. Kasami fillimisht do të huazohet te Çezena për gjashtë muaj dhe para fillimit të edicionit të ardhshëm do të rikthehej te Juventusi. Ai verën e shkuar kaloi te Fulhami nga Palermo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura