Ryshfeti, gjyqtari i Pukës: S’kam pasur dijeni

Nov 30, 2013 | 10:30
SHPËRNDAJE

Pamje nga videoja e “Fiks Fare”
Emri i tij në “Fiks Fare” se mori para për të liruar nga burgu të arrestuarin.

Lleshi: Sajesë. Gjykata s’jep masë më të rëndë se Prokuroria.

Kryetari i Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi, reagoi dje me një deklaratë publike pas skandalit në emisionin “Fiks Fare”, ku emri i tij përmendet si personi që ka marrë para kundrejt lirimit të disa të pandehurve. Bazuar te videoja e transmetuar mbrëmjen e së enjtes, një qytetar jep emrin e kryegjyqtarit Lleshi, duke theksuar se ka paguar 300 mijë lekë të rinj për lirimin e familjarit të tij dhe po aq te prokurori. Por, ky fakt është mohuar nga Lleshi, duke u shprehur se është i gatshëm që të dëshmojë për pozicionin e tij në çdo rast që do t’i kërkohet nga organet kompetente. “E ndiej përgjegjësi të thellë morale të jap këtë deklaratë para mediave dhe institucioneve të drejtësisë, duke marrë shkas nga emisioni ‘Fiks Fare’, e ka nisur deklaratën e tij Lleshi. “Them publikisht dhe shpreh indinjatën e thellë pasi është përdorur emri i kryetarit të Gjykatës për vendimet e masave të sigurimit të dhëna nga ana ime. Ato janë publike dhe të formës së prerë dhe nuk ka pasur as ndikim, e ankim nga palët për to”, pohon në deklaratën për mediat kryetari i Gjykatës së Pukës. Ai thotë se gjithçka është sajesë në forma të ndryshme që tashmë janë bërë publike, me interes për të shmangur sadopak vëmendjen nga çështja penale dhe për të përfituar nga kjo situatë rivaliteti mes kolegësh. “Gjykata në asnjë rast nuk mund të japë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga Prokuroria, neni 244 /3 Kodi i Procedurës Penale. Në rastin e masave të sigurimit ato janë zëvendësuar me kërkesë të të dyshuarve dhe të organit të prokurorisë”, u shpreh Lleshi. “Përballë kësaj situate, unë do të jem i gatshëm të shpjegoj e sqaroj para organeve kompetente në çdo kohë dhe çdo dëshmi që do të më kërkohet”, përfundon deklaratën kreu i Gjykatës së Pukës. Në transmetimin e programit “Fiks Fare” të kësaj jave u pa me figurë dhe zë sesi qytetarë të ndryshëm duhet të paguanin shuma të caktuara parash për të nxjerrë nga paraburgimi familjarët e tyre. Në videot e regjistruara me kamera të fshehtë dëgjohen fillimisht sekretarja dhe kancelarja e Gjykatës së Pukës që flasin për ndarjen e parave për prokurorin dhe gjyqtarin e çështjes. Në emisionin e 28 nëntorit, vetë qytetarët kanë dhënë emrat e juristit të Burgut të Shënkollit dhe më pas gjyqtarit Shtjefën Lleshi, duke thënë në një rast se do t’i jepnin 250 mijë lekë të rinj, ndërsa në rastin tjetër se mes gjyqtarit dhe prokurorit ishin ndarë 600 mijë lekë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura