Ruçi: Plotësoni 10 pikat e paktit, të votojmë ligjet me 3/5

Sep 30, 2011 | 11:26
SHPËRNDAJE
Gjate seances se djeshme ne Kuvend

Votimi i ligjeve me shumicë të cilësuar ndezi debat dje në seancën plenare mes PS dhe PD. Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, paraqiti në Kuvend paketën me 10 pika për realizimin e reformave, pa të cilat opozita, sipas Ruçit, nuk do të japë votën e saj për ligjet me tre të pestat e votave. “Nëse qeveria e dëshiron votën tonë, duhet të plotësojë propozimet tona, sepse ne nuk kërkojmë asgjë që nuk përputhet me standardet europine. Nuk është detyrimi i opozitës t’i votojë ligjet vetëm se thotë Kryeministri” u shpreh Ruçi. Sipas tij, “votën për ligjet që kërkojnë tre të pestat do ta japim kur çka ofrohet, të përputhet sipas rekomandimeve të BE-së. Që kjo të ndodhë nuk është e pamundur. Ne nuk kërkojmë asgjë që nuk përputhen me standardet e BE-së”. Pasi lexoi 10 pikat e paketës së paraqitur më parë nga kryesocialisti një javë më parë, Ruçi u kërkoi kolegëve deputetë diskutimin e kësaj pakete në një seancë të veçantë. “Grupi i Partisë Socialiste u kërkon grupeve të tjera parlamentare të lexojnë dhe të shprehemi në një seancë të posaçme për këtë paketë që nuk është në favor të PS, por në të mirë të vendit”, u shpreh Ruçi. Më pas, sekretari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, ua dorëzoi paktin me 10 propozimet kryetarëve të grupeve parlamentare.
Reagimi

Astrit Patozi

Partia Demokratike e hodhi poshtë paktin e propozuar nga homologu i tij socialist, duke e cilësuar si pjesë të pazareve të pista me integrimin. Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi, shprehu në emër të deputetëve të PD-së gatishmërinë për të bashkëpunuar për reformat me PS-në. “PO nismave ligjore dhe kushtetuese, PO reformës zgjedhore, PO shqyrtimit të çdo kërkese legjitime të opozitës, PO çdo forme bashkëpunimi institucional me të; JO pazareve të pista me integrimin, JO letrave qesharake për institucionet dhe, sigurisht, JO legalizimit të WikiLeaks-it”, u shpreh Patozi në përgjigje të propozimit të PS-së. Ai shprehu qëndrimin se maxhoranca nuk ka ndërmend të votojë paketa të tilla, që ai i quajti si “pseudokauza” e kutisë, të cilën opozita, sipas tij, e përdori për të mos ardhur në Parlament dhe pastaj për të mos votuar. “Parlamenti nuk shqyrton, nuk shkruan letra të hapura dhe nuk vihet në lëvizje të tyre. Ky është një teatër absurd në formë, kohë dhe përmbajtje. Ne nuk mund të ndalim punën për shkak të letrave të hapura, por në Parlament jemi të detyruar të ndjekim rregullat e tij”, tha Patozi. Kreu i Grupit Parlamentar demokrat e cilësoi paketën e propozuar nga kryesocialisti Rama jo mundësi për të arritur integrimin e vendit. “Për ta thënë me dy fjalë (dhe jo me dhjetë pika), kjo paketë, apo i ashtuquajturi pakt i Edi Ramës, është si pseudokauza e kutisë, që u përdor pa mëshirë dy vjet, për të mos ardhur në Parlament, pastaj për të ardhur dhe për të mos votuar, dhe jo rastësisht javën që shkoi, Grupi Parlamentar u kthye te marrëdhënia e kushtëzuar me Parlamentin. Jo vetëm që nuk votoi ligjet me tre të pestat, por u tërhoq edhe nga votimi i ligjeve të thjeshta”, u shpreh Patozi.

Debati per ligjet me 3/5

Pakti i PS për integrimin
1. Të votojmë konsensualisht Rregulloren e re të Kuvendit.

2. Brenda muajit dhjetor të miratojmë reformën institucionale të Parlamentit, me asistencën teknike të OSBE-së.

3. Të vendosim me marrëveshje dypalëshe përfundimin e reformës zgjedhore brenda marsit të vitit 2012.

4. Të adresojmë me një proces konsensualisht të dakordësuar zgjedhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku të propozojë 3 nga 9 anëtarët e rinj të këtij këshilli, të votojmë konsensualisht kandidatin e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë.

5. Të zgjedhim konsensualisht kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

6. Të zgjedhim konsensualisht Avokatin e Popullit duke votuar bashkërisht për një figurë publike që nuk ka milituar në radhët e dy partive të mëdha.

7. Të ngarkojmë Komisionin e Ligjeve që në bashkëpunim me një grup ad hoc konstitucionalistësh, për ligjet me 3/5 e votave

8. Të hapim një tryezë për rishikimin e Kushtetutës ku të përfshijmë Komisionin e Venecias, qoftë për kufizimin e imunitetit parlamentar, qoftë për ndërhyrjet në kushtetutë.

9. T’i kërkojmë prokurores së Përgjithshme zbardhjen e plotë të tragjedisë së 21 janarit, duke ofruar mbështetje të plotë politike. Të thërrasë të gjithë personat me imunitet parlamentar ose me detyra të tjera shtetërore që kanë rezultuar të përzier, me ose pa të drejtë, me botën e krimit apo të korrupsionit nën dritën e publikimit të kabllogrameve të Ambasadës së SHBA-ve.

10. Të balancojmë me konsensus Bordin e Televizionit Publik Shqiptar dhe Këshillin Kombëtar të Radiove e Televizioneve.

Përgjigjja e Patozit
.Parlamenti nuk shqyrton, nuk shkruan letra të hapura dhe nuk vihet në lëvizje përmes tyre, por prodhon ligje dhe vendime.

.Bashkimi Europian kërkon shkoqur që të miratohen ligje me tre të pestat, Edi Rama thotë se kjo nuk mund të bëhet pa rënë dakord për pjesën që i takon Partisë Socialiste në të gjitha emërimet e larta që kalojnë nga Parlamenti.

.Bashkimi Europian thotë të nisë sa më shpejt reforma zgjedhore (madje jemi një vit me vonesë), Edi Rama pretendon se ndryshimet në Rregullore janë më të rëndësishme se ajo.

.BE kërkon të kufizohet imuniteti i deputetit, që Prokuroria t’i ketë të lira duart për zyrtarët e lartë, Edi Rama thotë që t’i bëmë një letër prokurores së Përgjithshme, a thua se ajo po pret një isharet që të luftojë krimin dhe korrupsionin.

.Brukseli na kërkon që të zgjedhim Avokatin e Popullit, dhe ne jemi plotësisht dakord që kandidatura të vijë nga PS, Edi Rama thotë se është pak, dhe se opozitës i ka ardhur zogu në dorë për të zhvatur çfarë t’i dalë përpara.

.Edi Rama gati sa nuk thotë se në këmbim të votës së vet për ligjet me tre të pestat (të premten u duk se kishte hequr dorë nga shprehja “rroma-përtoma”), Partia Socialiste do të fitojë ca anëtarë bordi në Bankën e Shqipërisë, ndoshta edhe vetë guvernatorin, gjysmën e Avokatit të Popullit, treçerekun e kryetarit të Kontrollit të Shtetit dhe vitin tjetër, duke parë e duke bërë, ndoshta edhe ndonjë copë të mirë nga Presidenti i Republikës.

.Ne nuk mund t’i shkruajmë letra prokurores të Përgjithshme, pasi marrëdhënia jonë me atë institucion kushtetues rregullohet me ligj.

.Ne gjithashtu nuk mund të legalizojmë WikiLeaks-in, të cilin çdo shtet normal dhe çdo politikan i përgjegjshëm në botë e konsideron si vjedhje dhe nuk i referohet seriozisht.

Rregullorja
Kreu i Grupit të PD-së, Patozi, e ftoi opozitën të ulet dhe të punojnë së bashku për një rregullore si ajo e Parlamentit Europian. “Opozita është në të drejtën e vet të kërkojë ndryshime në Rregullore dhe të bëjë amendime në çdo ligj dhe vendim. Edhe ne jemi në të drejtën tonë, që jo gjithçka të saj ta pranojmë. Por, të thuash që duhet të kthehemi patjetër te viti 2005, bie erë e keqe ultimatumi dhe bllokimi. Sepse kështu nuk i gjendet fundi. Ajo që mund të themi pa mëdyshje sot, është se jemi gati që Rregulloren tonë joperfekte, e cila ka qenë e tillë edhe në vitin 2005, ta ballafaqojmë dhe ta përshtatim me praktikat më të mira të Brukselit, me atë të Parlamentit Europian”, u shpreh Patozi.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura