Rubensit çfarë i takon Rubensit!

Oct 31, 2013 | 13:05
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

  Më është dukur gjithmonë fabul interesante fundi i legjendës së Mujit dhe Halilit, ku thuhet në njërin prej varianteve se kur doli pushka dhe panë që një gjë shumë e vogël, që ishte plumbi, të vret, ata u mbyllën në shpellë, forca e tyre humbiste kuptimin. Ndoshta kjo është metafora popullore për të përkufizuar mbarimin e një epoke dhe fillimin e një tjetre.
M’u soll ndër mend kjo gjë nja një muaj më parë, kur mora vesh që drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve dha dorëheqjen e m’u rikthye dje në mendje kur lexova në shtyp për zëvendësimin e tij nga piktori Artan Shabani. Ndryshimet politike në Shqipëri, siç jemi dëshmitarë, sjellin edhe ndryshime emrash, drejtuesish, strukturash etj.
Shima me nuhatjen që nuk i mungon, me sa duket preferoi të mos e testonte qeverinë e re dhe bashkëpunoi me dorëheqje pa ia kërkuar njeri. Nuk e dimë nëse do t’ia kërkonin, sepse supozimi gjithmonë të shpie në zonën e mëkatit, por nga bashkëpunimi në pozicione të ndryshme mund të them që Rubens Shima është profesionist dhe një drejtues i suksesshëm.
Në këtë kontekst, ai dhe kushdo tjetër që largohet me dëshirën e tij apo të të tjerëve, meritojnë të falënderohen për atë që kanë bërë, si shërbim ndaj administratës dhe shtetit.
Si një dashamirës i botës së artit, e kam vëzhguar veprimtarinë e Galerisë Kombëtare këto vite dhe më rezulton se me politikat kulturore që ka ndjekur,  mbajti në mënyrë konstante jashtë dyerve të saj, shpeshherë jo pa kosto, gjithë folklorizmat, social-realizmat, panoramizmat, pseudo-konteporanizmat dhe të gjithë izmat, të cilat për vite kanë krijuar kulturën e tallavasë dhe kitsch, që nxitej dhe frymëzohej vetëm nga nevoja materialiste.  
Në gjykimin tim kjo politikë  konkretizohet në rinovimin e plotë të ifrastrukturës ekspozuese të hapësirave të saj, ku sot gjendet një pjesë e koleksionit, si dhe në ribërjen e sallës qendrore  të ekspozitave, e cila përmbush parametrat fizikë dhe teknikë të domosdoshëm për një galeri kombëtare. Ky ndryshim bie në sy menjëherë dhe  bëri të mundur sjelljen dhe shfaqjen për publikun tonë të koleksioneve të ndryshme, private dhe publike, me vepra të disa prej artistëve më të rëndësishëm të skenës ndërkombëtare të artit.
Galeria e Arteve, falë kësaj pune u bë pjesë për  herë të parë e axhendave ndërkombëtare të  ekspozitave që organizoheshin dhe qarkullonin në Europë, duke e kthyer Tiranën, Shqipërinë, në një stacion të preferuar ndalimi. Nga ana tjetër,   publikut tonë iu krijua mundësia që të ndiqte   disa aktivitete vërtet të rralla që u organizuan këto vite, aktivitete që e shkundën kryeqytetin nga një përgjumje provinciale.
Ekspozita të mëdha si “Mitet”, një përzgjedhje e shkëlqyer e artit italian të shekullit XX, “Shkëlqime klasike dhe atmosferë e shekullit XX”, me koleksionin privat Martani, ajo e artistit spanjoll Antoni Clavese, “Historia e fotografisë spanjolle”, e artit bashkëkohor britanik, “Made in Britain”, apo së fundmi ekspozita e skulptorit Henry Moore, kanë sjellë në Tiranë një klimë komunikimi të publikut shqiptar me zhvillimet e artit botëror.
Por edhe produkti artistik kombëtar gjatë këtyre viteve te Galeria e Arteve me ekspozita të rëndësishme historike, si: “Ikonat shqiptare”, ekspozitat retrospektive të artistëve Ibrahim Kodra, Muslim Mulliqi, Gjelosh Gjoka etj., gjeti përkufizimin e elitizmit.
Një elitizëm subjektiv, natyrisht i cili i ka i mbetur borxhli në mënyrë të pakuptimtë piktorit të shquar Lin Delija, veprat e të cilit, të dhuruara nga donatorë italianë rrinë tash sa vjet në një magazinë. Qe i vetmi ndër të mëdhenjtë e artit shqiptar për të cilin nuk u gjet mundësia të hapet një ekspozitë.
Arritja e dytë shumë e rëndësishme në gjithë historinë e këtij institucioni është krijimi i linjës (narrative) muzeale të Galerisë Kombëtare me emrin “120 vjet histori e pikturës dhe skulpturës në Shqipëri”. Ajo është konceptuar dhe paraqitur në mënyrë didaktike në 6 pavijone kryesore. Ky muze   është i pari version shkencor dhe plotësisht i çideologjizuar i historisë së artit pamor shqiptar i realizuar ndonjëherë, një shembull modern i organizimit të institucioneve të karakterit edukativ.  
Me një vizitueshmëri të madhe kryesisht të publikut ndërkombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve është listuar në të gjitha guidat ndërkombëtare për Shqipërinë si një ndër vendet më të rëndësishme dhe më atraktive për t’u vizituar.
Një meritë tjetër që duhet t’i njohim Galerisë së këtyre viteve është edhe iniciativa për shpëtimin dhe marrjen në mbrojtje të disa monumenteve dhe skulpturave të artit të propagandës, të konsideruara të rëndësishme dhe me vlerë për të shkuarën historike të vendit.
Tashmë këto skulptura të shpëtuara dhe të strehuara në mjedisin e pasmë të Galerisë janë një aset me vlerë të madhe në koleksionin e pasur me vepra arti  dhe një stacion i ri turistik për qytetin e uritur për to.  
Për drejtorin e ri, Shabani, të cilit i uroj suksese në punën e tij, një sfidë e madhe mbetet së pari ruajtja e këtyre standardeve të arritura, një bazament solid ky për projekte ambicioze, ndërsa  Shimës së larguar “në shpellën” e tij mbetet t’i themi FALEMINDERIT dhe t’i japim Rubensit çfarë i takon Rubensit. Në Shqipëri ka ardhur koha të themelohet edhe kultura e mirënjohjes administrative.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura