Rrëzohet me biçikletë, ndërron jetë 24-vjeçari

Apr 30, 2013 | 12:12
SHPËRNDAJE

TIRANE – Një 24-vjeçar humbi jetën pasditen e djeshme si pasojë e një plage të rëndë që pësoi pasi u rrëzua me biçikletë. Ngjarja e rëndë, që fillimisht u dyshua të ishte vrasje me thikë, ndodhi në rrugën “Besa”, që ndodhet pranë zonës së njohur si ish-Frigoriferi në kryeqytet. Viktima është Ervin Merdini, nga Dibra, banues në Tiranë, fare pranë vendit ku ndodhi ngjarja. I riu është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, por për shkak të hemorragjisë ka ndërruar jetë ende pa arritur aty. Nisur nga plaga që i shkaktoi vdekjen 24-vjeçarit Merdini, policia fillimisht dyshoi se ai ishte plagosur me thikë dhe më pas kishte humbur jetën. Për këtë arsye, në vendin e ngjarjes shkuan dhjetëra forca të Policisë së Tiranës, nga Komisariati Nr. 4 dhe nga seksioni i krimeve të rënda. Nga verifikimet e kryera në vendin e ngjarjes dhe këqyrja e biçikletës, ekspertët e Policisë pohuan se provat flasin më shumë për një ngjarje aksidentale, edhe pse do të verifikohet edhe pista e vrasjes. Nga këqyrja e biçikletës me të cilën po lëvizte i riu dhe më pas u rrëzua, është konstatuar një shufër hekuri që ndodhej në qendër të timonit. Kjo shufër ishte e gjakosur dhe ekspertët konstatuan edhe disa pjesë lëkure në majën e saj. Sipas ekspertëve, mund të jetë pikërisht kjo shufër objekti që shkaktoi plagosjen e rëndë dhe më pas vdekjen e Ervin Merdinit. Megjithatë, nisur nga një dëshmia e siguruar nga grupi hetimor, që flet për një grindje që i riu ka pasur disa ditë më parë, Policia nuk përjashton as pistën e vrasjes. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, do të jetë raporti mjeko-ligjor që do të përcaktojë shkakun e vdekjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura