Rrëshen, Këshillin Bashkiak e drejton anëtari i PBDNJ-së

Feb 28, 2014 | 13:12
SHPËRNDAJE

Mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak në Rrëshen
Këshillin Bashkiak të Rrëshenit e merr përfaqësuesi i Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.  Gjovalin Valca nga Mirdita dhe anëtari i vetëm i PBDNJ-së në këtë rreth, mori shumicën e votave të këshilltarëve, duke hequr nga posti përfaqësuesin e së djathtës. Ishin këshilltarët e majtë që kërkuan dje të vendosej në rend të ditës heqja e kreut të Këshillit Bashkiak, Dedë Gjoka, përfaqësues i Partisë Republikane. Sipas tyre, Gjoka ka marrë vendime që bien ndesh me detyrën që ai mban, madje duke e akuzuar se ka vepruar në shkelje të ligjit dhe në dëm të qytetarëve të Rrëshenit. Mocioni për shkarkimin e Gjokës ishte kërkuar nga 1/3 e këshilltarëve dhe ishte paraqitur 5 ditë më parë në sekretarinë e Këshillit me motivacionin për mënyrën e drejtimit të mbledhjeve nga kreu i deritanishëm i Këshillit, që sipas tyre në vazhdimësi ka marrë vendime në interes personal apo të drejtuesit të Bashkisë. Shkarkimi i tij ishte kërkuar edhe dy herë të tjera, por nuk ishte arritur kuorumi i votave. Por, me kalimin e dy këshilltarëve të pavarur në krahun e majtë, 11 prej këshilltarëve nga 17 gjithsej i përkasin koalicionit të drejtuar nga Partia Socialiste. Pas votimit në kuti të fshehtë, kreu i ri i Këshillit Bashkiak të Rrëshenit do të jetë Gjovalin Valca, përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, i cili ka marrë 10 vota nga 11 këshilltarë që kanë marrë pjesë në votim, ndërsa këshilltaret e djathtë e kanë bojkotuar mbledhjen. Pas zgjedhjes si kryetar i Këshillit Bashkiak të Rrëshenit, Valca ka premtuar se do të jetë në shërbim të komunitetit që e ka votuar. “Çdo vendim i Këshillit Bashkiak do të jetë në transparencë të plotë për komunitetin dhe në dobi të tij, pasi prej dy vitesh ky këshill nuk ka funksionuar”, deklaroi Valca. Pasi ka fituar tre vjet më parë mandatin e kreut të Bashkisë, e majta ka marrë së fundmi edhe drejtimin e Këshillit Bashkiak të Rrëshenit. Këshilltarët kanë denoncuar jashtë mbledhjes se Dedë Gjoka, ndonëse i djathtë, ka bashkëpunuar dhe ka marrë vendime për qëllime personale, të cilat do t’i bëjnë të njohura ditët në vazhdim.

Komunat e majta: Qarku nuk na jep investime
SHKODER – Kryetarët e komunave që drejtohen nga përfaqësues të majtë nuk i binden Këshillit të Qarkut. Ata nuk pranojnë të paguajnë një tarifë në formën e një takse që njësitë vendore kanë për detyrim ligjor që të paguajnë në llogari të Këshillit të Qarkut. Në emër të kryetarëve të komunave të majta është prononcuar Pashko Ujka, kryetar i Komunës së Velipojës. “Ne nuk kemi asnjë detyrim financiar ndaj Këshillit të Qarkut. Nuk do të kalojmë asnjë lek nga fondi i të ardhurave tona”, ka pohuar Pashko Ujka. “Këshilli i Qarkut nuk ka bërë ndarje të barabartë fondesh, nuk ka parë projekte e paraqitura, por është mjaftuar me përkatësinë politike. Në këto kushte, ne nuk kemi asnjë detyrim ndaj Këshillit të Qarkut”, tha Ujka, duke shtuar se fondet e komunës do të shkojnë vetëm për Velipojën. Nga ana e tij, kreu i Qarkut, Maxhid Cungu, tha se është detyrim që komunat të dorëzojnë çdo vit 2% të buxhetit, ndërsa bashkitë 3%. Sipas Cungut, nuk ka pasur të privilegjuar, por më së shumti fondet kanë kaluar te komunat problematike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura