Rrëfimi i plotë para policëve: I ruaja kamerat e bankave, më dogji kjo e fundit

Mar 31, 2012 | 12:18
SHPËRNDAJE
Super grabitesi i arrestuar dje Vigtor Gushi

Rrëfimi i 44-vjeçarit në banesë para policëve.

Dëshmia: Rrapo Sinanaj dhe Leonora ulën duart poshtë, deshën të shtypin alarmin.

Viktor Gushi, i arrestuar për vrasjen e arkëtares së bankës, Leonora Kaloçi, argjendarit Rrapo Sinanaj, si dhe i dyshuar për disa grabitje të tjera, ka pranuar të 16-të krimet e kryera që nga viti 2008 e deri më 27 mars 2011.
Ai është intervistuar në mënyrë paraprake në ambientet e banesës ku jetonte me qira, në afërsi të fabrikës “Filanto” në rrugën “Don Bosko”, nga oficerët e policisë që kanë kryer arrestimin e tij. Në një video që u bë publike nga Policia e Tiranës zbulohet dëshmia e tij paraprake, gjatë së cilës ka konfirmuar se është ai autori i të gjitha ngjarjeve për të cilat akuzohet. Gjithashtu, ai ka treguar mënyrën se si i kryente grabitjet, pasi i studionte bankat, argjendaritë dhe akrat e pagesës se faturave për më shumë se një muaj. Ndërsa argumenti i tij për 2 vrasjet dhe 3 plagosjet gjatë grabitjeve të kryera është reagimi i keq i punonjësve që u kërkonte paratë dhe fyerjet që ai merrte. Ai shpjegon se në rastet kur punonjësit e arkave apo argjendarët flisnin, lëviznin apo shtypnin butonin e alarmit, ai i qëllonte me armë për t’i vrarë. Më poshtë, dëshmia e Viktor Gushit pas arrestimit në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, ku u është përgjigjur pyetjeve paraprake të punonjësve të policisë.
Pyetje: Si e ke emrin?
Viktor Gushi.
Pyetje: Sa vjeç je?
44 vjeç.
Pyetje: Çfarë arsimi ke?
Kam mbaruar 8-vjeçaren. Pastaj kanë nisur shkollën e natës dhe aty kam bërë vetëm vitin e parë dhe të dytë dhe e kam lënë pastaj.
Pyetje: Ku e kë bërë shkollën?
Në Patos.
Pyetje: I martuar, apo beqar?
Kam qenë i martuar, po jam ndarë ka kohë.
Pyetje: Nusen nga e keni?
Nga Patosi.
Pyetje: Jeton këtu?
Jo, jeton në Greqi.
Pyetje: Po fëmijë ke?
Jo, nuk kam.
Pyetje: Ku u divorceve, në Shqipëri apo në Greqi?
Në Shqipëri.
Pyetje: Me qira jeton këtu?
Po, me qira.
Pyetje: Sa kohë ke?
Kam 4-5 muaj.
Pyetje: Sa paguan?
110 mijë lekë në muaj.
Pyetje: Po nuk të dhimbsen njerëzit kur i vret?
Më dhimbsen. Unë nuk nisesha për këtë punë, por vinte momenti dhe i vrisja.
Pyetje: Po pronarin e argjendarisë përse e vrave?
Po ai u ul…
Pyetje: U ul të merrte ndonjë gjë ai?
Jo, u ul të shtypte butonin, me sa pashë unë. I thashë mos lëviz. Ai u çua nga kolltuku ku ishte ulur dhe u fut në një cep. Unë i drejtova armën dhe i thosha të mos lëvizte. Nuk kisha ndër mend ta vrisja, në fakt. Mendova ta merrja me forcë dhe ta fusja në banjën që ishte aty. Pastaj ta mbyllja brenda dhe të kryeja vjedhjen. Por ai po fliste kur i drejtova armën. Unë i thashë mos fol dhe ai vazhdoi të fliste. Pastaj i qëllova dy herë, dhe një herë kur dola jashtë. I kam qëlluar 3 herë. Pyetje: Kur ne bëmë këqyrjen e argjendarisë, ishe prezent aty rrotull?
Jo, kur kam ikur unë te kryqëzimi erdhi policia.
Pyetje: Nuk u ktheve prapë te vendi i ngjarjes?
Jo, kam ikur, nuk jam kthyer më aty.
Pyetje: Po tek Raiffeisen Bank?
Jo, asnjëherë, asnjëherë, largohesha gjithmonë. Vetëm e studioja gjithmonë rrugën, 200 metra, 300 metra mos kishte kamera dhe ikja.
Pyetje: Po herën e fundit të kishte kapur kamera?
Këtë kamerën e fundit nuk e kisha parë.
Pyetje: Po si i kryeje grabitjet?
Po mundohesha të veproja shumë shpejt. E llogarisja kohën që të mos zgjaste më shumë se 3 minuta, se për kaq vinte grupi i gatshëm pas alarmit.
Pyetje: I planifikoje grabitjet, apo e mendoje në moment?
I planifikoja me detaje të gjitha. Rrija e vëzhgoja kamerat si ishin vendosur, ku ishin vendosur, për një muaj ose më shumë, pastaj veproja. E kisha të llogaritur, më tepër se një muaj non stop me duhej vëzhgim për të grabitur një bankë. Pyetje: Po para dhjetë ditësh, para se të kryeje vrasjen e arkëtares të NBG Bank, ke hyrë me kapele për të grabitur?
Jo, jo. Nuk kam qenë më përpara aty.
Pyetje: Vetëm i ke kryer të gjitha ngjarjet?
Po, po, vetëm.
Pyetje: Kur ndodhi ngjarja te NBG Bank, ti nuk more lekë. Çfarë kishe në plan të bëjë?
Nuk kisha këtë në plan, kisha njërën nga ato bankat që ndodhet te Rruga e Elbasanit, që janë dy Raiffeisen përballë. Po ngaqë aty u vendosën kamerat, shkova te NBG.
Pyetje: Pse e qëllove nga jashtë rojën e bankës?
Po e qëllova sepse e kisha vëzhguar prej tre muajsh dhe e dija që ishte i armatosur shumë rëndë. Kishte pistoletë dhe shkop gome. Ngaqë e kisha parë, kisha menduar mënyrën tjetër, që ta ekzekutoja nga jashtë, pastaj të futesha brenda. Pyetje: Po arkëtaren si e qëllove?
Ajo ishte brenda banakut dhe i qëllova. Ajo ra në tokë dhe i gjuajta për herë të dytë. E ngrita dorën dhe e qëllova. Pyetje: Po pse e qëllove?
Po sepse reagoi keq, lëvizi. Unë i thashë mos lëviz.
Pyetje: Me doreza ishe kur hyre në bankë?
Në njërën dorë kisha dorezë. Dorën tjetër, që mbaja pistoletën, e kisha pa dorezë. Vetëm atë që mbaja qesen.
Pyetje: Po qesen që gjetëm në bankë, ti e kishe lënë aty?
Po, unë e lashë.
Pyetje: I mban mend arkat e pagesës së faturave që ke vjedhur?
Po. Dy të parat ishin te Rruga e Elbasanit. Tjetra te stadiumi “Dinamo”, te Medreseja dhe përsëriteshin në të njëjtat zona.
Pyetje: Edhe arkat e pagesave të faturave i studiojë më parë?
Po, po, të gjitha. Ma një muaj studim nuk shkoja për të vjedhur.
Pyetje: Ke hyrë në dy arka te Medreseja, te njëra nuk ke vjedhur. Pse nuk e grabite?
Po aty ishte një grua e vjetër dhe më tha të ikja. Dhe unë ika.
Pyetje: Po te rasti tjetër, te Medreseja, pse e plagose arkëtaren?
Unë i thashë dua lekë dhe i drejtova qesen. Ajo më ofendoi, më tha maskara. Kaq.
Pyetje: Ty, kush të përgjigjej keq e qëlloje?
Përgjigjej keq, apo edhe veprimi i keq, apo i binte butonit, unë nuk e falja asnjëherë.
Pyetje: Po pistoletën ku e ke marrë?
E kam marrë te Rruga Bardhyl, 600 mijë lekë.
Pyetje: E mban mend personin që ta ka shitur?
Jo, nuk e mbaj mend dhe nuk e njoh. Kam rastisur në loto. Ka rënë muhabeti dhe e kam blerë.
Pyetje: Çfarë i the ti, që doje armë?
Po. Po lozja poker dhe ra muhabeti i thashë.
Pyetje: Ke vepruar ndonjëherë pa armë? Jo. Kisha një “Zastava Mini Blow” më përpara. Nuk po gjeja më fishekë për atë dhe bleva këtë që kisha tani “TT”. Pasi bleva këtë tjetrën, e hodha atë.
Pyetje: Ku e hodhe Zastavën? Në Lanë e kam hedhur. Tek ura e vogël tek ish-Ekspozita.
Pyetje: Sa kohë ke që e ke hedhur?
Kam rreth një vit e gjysmë.
Pyetje: Ku e ke blerë Zastavën?
Ia kam blerë një kosovari aty te Zogu i Zi, 250 mijë lekë. Pyetje: Po sot me pistoletë ishe? Gjithmonë me pistoletë lëviz? Po, gjithmonë.
Pyetje: Ke bërë sherr ndonjëherë me njeri?
Jo, asnjëherë.
Pyetje: Po maskat i ndërroje herë pas here?
Edhe i ndërroja, por edhe mbaja një për disa ngjarje. Kisha një bluze, e qepja dhe e bëja maskë. Edhe një çorape, nga këto të grave, i mbaj gjithmonë me vete.
Pyetje: Pse i kryeje ngjarjet vetëm ditë të premte?
Po të premten zgjidhja, se e kisha shans për veten time.
Pyetje: Po ndonjë exchange ke vjedhur?
Një Wester Union tek stadiumi “Dinamo”. I thashë më jep lekët dhe m’i dha. Ishte çun i ri dhe u soll mirë.
Pyetje: Po të ishte sjellë keq?
Po të ishte sjellë keq nuk e di çfarë mund të ndodhte.
Pyetje: Ke ndonjë shok të ngushtë? Jo, asnjë. Shko pyet në Ekobet dhe pyet të gjithë çfarë të gjesh aty. Të gjithë më njohin si bixhozçi. Po nuk kam shokë.
Pyetje: Po të dashur keni?
Jo, nuk kam. Vetëm kur shkoj ndonjëherë me ndonjërën me lekë.
Pyetje: Ke punuar ndonjëherë?
Po, kam punuar pasi kam ardhur nga Greqia.
Pyetje: Çfarë pune keni bërë?
Kam punuar në një fabrikë që prodhonin lavamanë.
Pyetje: Po tani bëje ndonjë punë? Jo, tani nuk punoja. Këtë mënyrë jetese kisha zgjedhur. Grabisja, luaja loto, poker, kompjuter.
Pyetje: Në këtë mënyrë i shpenzoje paratë që grabisje?
Po, në këtë mënyrë, por edhe kisha depozituar një pjesë në bankë.
Pyetje: Në emrin tënd i ke llogaritë?
Po, në emrin tim.
Pyetje: Sa para ke depozituar?
Nuk e mbaj mend, por e di që i kam në dy llogari, në dy banka.
Pyetje: Po alkool apo droga përdor?
Jo, jo, nuk përdor asgjë nga këto. Jam i kulluar.

GRABITJET E GUSHIT
1.
Vjedhja me armë e filialit të Raiffeisen Bank, ndodhur më
20 qershor 2008 te sheshi “Rilindja” në Tiranë

2. Vjedhja me armë e filialit të Raiffeisen Bank, ndodhur më
21 nëntor 2008 te rruga “4 Dëshmorët” në Tiranë

3. Vjedhja me armë e filialit të Raiffeisen Bank, ndodhur më
17 prill 2009 tek ish-restorant “Durrësi” në Tiranë

4. Vjedhje me armë e filialit të Raiffeisen Bank, ndodhur më
13 nëntor 2009 në qytetin e Fierit

5. Tentativa e vjedhjes me armë e pikës së grumbullimit të
lekëve të faturave të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe dritave te
Shkolla e Baletit, Tiranë, ndodhur më 28 maj 2010

6. Tentativa e vjedhjes me armë e pikës së grumbullimit të
lekëve të faturave të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe dritave te
Shkolla e Baletit, Tiranë, me pasojë plagosjen e rëndë të
shtetases Vjollca Tobli, ndodhur më 7 korrik 2010

7. Vjedhja me armë e pikës së grumbullimit të lekëve të
faturave të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe dritave te stadiumi
“Dinamo”, Tiranë, ndodhur më 19 korrik 2010

8. Vjedhja me armë e pikës së grumbullimit të lekëve të
faturave të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe dritave te Shkolla e
Baletit, Tiranë, ndodhur më 30 shtator 2010

9. Tentativa e vjedhjes me armë e filialit të Postës Shqiptare
Nr. 31 te Medreseja, Tiranë, me pasojë plagosjen e rëndë të
shtetases Malva Dako, ndodhur më 12 nëntor 2010

10. Tentativa e vjedhjes me armë e Postës Shqiptare Nr. 3
te Medreseja, Tiranë, ndodhur më 19 nëntor 2010

11. Vjedhja me armë e pikës së grumbullimit të lekëve të
faturave të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe dritave te stadium
“Dinamo”, Tiranë, ndodhur më 13 dhjetor 2010

12. Tentativa e vjedhjes me armë e pikës së grumbullimit të
lekëve të faturave të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe dritave te
stadium “Dinamo”, Tiranë, ndodhur më 14 tetor 2011

13. Tentativa e vjedhjes me armë me pasojë vrasjen e shtetasit
Rrapo Sinanaj tek argjendaria në rrugën “Reshit Petrela”,
Tiranë, ndodhur më 21 tetor 2011

14. Vjedhja me armë e “Western Union” te stadiumi “Dinamo”,
Tiranë, ndodhur më nëntor 2011

15. Vjedhja me armë e filialit të Raiffeisen Bank, te Rruga e
Dibrës, Tiranë, ndodhur më 30 janar 2012

16. Tentativa e vjedhjes me armë e filialit të NBG Bank te
sheshi “Shtraus” në Tiranë, me pasojë vrasjen e shtetases
Leonora Kaloçi dhe plagosjen e rëndë të shtetasit Skënder
Elmazi, ndodhur më 27 mars 2012

Arkivonte gazetat që pasqyronin grabitjet

Pistoleta dhe maska e gjetur në shtëpinë e Viktor Gushit

Tirane – Ndonëse në dukje “pa pretendime”, në shumë elemente të veprimtarisë së tij, Viktor Gushi duket se imitonte veprimet e vrasësve apo grabitësve serialë dhe profesionistë. Në një video të publikuar dje nga Policia e Tiranës, e cila paraqet regjistrime filmime brenda banesës së të dyshuarit, duket qartë se në shtratin e tij ndodhen disa gazeta të përditshme të ditëve të fundit. Nga titujt në faqet e para duket qartë se pas tentativës së dështuar të grabitjes te filiali i NBG Bank në zonën e Xhamllikut, Viktor Gushi ka ndjekur me vëmendje artikujt e shkruar nga gazetat, mbase për të kuptuar diçka nga lëvizjet që po bënte policia. Gazeta “Panorama” dhe poshtë saj edhe disa të përditshme të tjera duket se janë ndodhur te batanijet e shtratit ku flinte Viktor Gushi. Burimet nga hetimi i çështjes kanë thënë se në banesën me qira ku jetonte i dyshuari janë gjetur edhe disa copa gazetash të tjera të arkivuara, të cilat pasi janë verifikuar, tregojnë se u përkasin datave dhe viteve të mëparshme dhe përmbajnë pikërisht artikujt për grabitjet e ndryshme në filialet e bankave në postë apo në argjendari. Në të gjitha këto raste, ashtu si edhe në ngjarjen e fundit te filiali i NBG Bank, Viktor Gushi, me sa duket, ndiqte me vëmendje shkrimet e gazetave dhe më pas i arkivonte ato duke i mbajtur në banesën e tij. Arkiva në fjalë mësohet se është një nga provat e sekuestruara në shtëpinë ku jetonte personi nga Patosi.

PROVAT
Në banesën ku jetonte Viktor Gushi janë gjetur e sekuestruar edhe një sërë provash të tjera të rëndësishme për hetimin. Kështu, në shtëpi janë bllokuar tri bluza të njëjta në konstrukt, por me ngjyra të ndryshme, të cilat janë përdorur në shumicën e grabitjeve dhe tentativave të grabitjeve që ishin kryer nga i dyshuari. Në banesë janë gjetur një maskë dhe një kapele, të cilat janë përdorur në krime.

Informatori “merr” 10 mijë euro
Ndërroi pesë shtëpi me qira në Tiranë

Viktor Gushi, foto nga Facebook

TIRANE – Autori i serialit të grabitjeve në Tiranë prej tri vitesh ndryshonte vazhdimisht vendbanimin. Pothuajse pas çdo krimi, Viktior Gushi ndryshonte banesën me qira ku qëndronte. Ditën e djeshme Policia e Tiranës ka nisur procedurat e pagesës së 10 mijë eurove për informatorin që ofroi të dhënat për vendndodhjen e 44-vjeçarit. Pasi është arratisur nga vendi i tij i lindjes, Patos, për shkak të një vrasjeje që ka kryer, Viktor Gushi ka shkuar në Greqi. Edhe atje është kapur dhe arrestuar me drogë, ku ka bërë edhe disa vite burg. Më pas është rikthyer në Shqipëri. Pas divorcit të kryer para se të ikte në Greqi dhe përkeqësimit të marrëdhënieve me familjen e tij, Gushi kthehet dhe vendos të jetojë në kryeqytet. Gjatë kohës që ka jetuar në Tiranë, pas vitit 2005, Viktor Gushi ka ndërruar pesë shtëpi dhe te të gjitha ka jetuar me qira. Fillimisht mësohet se ka jetuar në një banesë me qira në rrugën “Artan Lenja”. Më pas është zhvendosur në Rrugën e Durrësit, në rrugën “5 Maji”, pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi” e së fundi pranë fabrikës “Filanto”, në rrugën “Don Bosko”. Rezulton që ai ka kryer grabitje, plagosje dhe vrasje gjatë qëndrimit në të gjitha banesat ku ka jetuar me qira. Të gjitha këto ai i ka shpjeguar vetë gjatë seancës së marrjes në pyetje nga policia, duke lidhur çdo krim të kryer me njërën nga shtëpitë ku ka banuar dhe me rrobat që kishte veshur për secilin krim. Gjithashtu ka pohuar se asnjëherë nuk lëvizte nëpër rrugë kryesore, por vetëm në rrugica, për arsye që policia të mos kishte mundësi ta kapte pas ngjarjeve, por edhe të mos binte në sytë kureshtarë të njerëzve. Ndërsa në të gjitha banesat ku jetonte, ka pasur kushte minimale jetese, tualet dhe një dhomë me krevat, asgjë më shumë.

ARRESTIMI “PAS SHPINE”
Grupi i oficerëve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët kanë bërë arrestimin e Viktor Gushit, ishte informuar se personi që do të kapej ishte i rrezikshëm. Për këtë arsye, ishte e pritshme që prej tij të kishte një përgjigje me armë pasi në brez i dyshuari mbante një pistoletë. Nisur nga ky fakt, agjentët civile kanë vendosur të hyjnë në lokal dhe në momentin e parë kanë vepruar nga pas shpinës së të dyshuarit, derisa e kanë neutralizuar.

Vrasësi i arkëtares kthehet me policë në vendngjarje

Merren mostra për analiza droge, sot në Gjykatë, la gjurmë te NBG
Prokuroria: 44-vjeçari, akuzë për dy vrasje e tri plagosje

SHTEPIA KU BANONTE VIKTOR GUSHI, NE RRUGEN “DON BOSKO” NE TIRANE. NE KETE BANESE U REGJISTRUA EDHE VIDEOJA, NE TE CILEN 44-VJEÇARI PRANON KRIMET

Autori rikthehet në vendin e krimit. Me pranga në duar dhe i shoqëruar nga efektiva të Policisë së Tiranës, Viktor Gushi është shoqëruar ditën e djeshme në filialet e bankave, postës dhe argjendarisë që ka grabitur.
Shoqërimi i tij në vendngjarjet në fjalë është bërë, sipas Policisë, për efekt provueshmërie, pasi i arrestuari kishte pranuar një seri të gjatë krimesh. Burimet nga hetimi thanë dje se 44-vjeçari, gjatë shoqërimit në vendngjarje, ka dhënë detaje për mënyrën se si ka vepruar në secilën nga grabitjet. Shpjegimet e të dyshuarit nga Patosi janë filmuar nga një kamera e policisë, ndërsa pamjet janë hedhur më pas në arkivin e provave të kësaj ngjarjeje. Burimet nga grupi i hetimit thanë se itinerari i lëvizjes së policisë me të dyshuarin ka nisur tek ura e vogël e Lanës përballë Gjykatës së Tiranës për të vazhduar më pas në arkën e grabitur te Shkolla e Baletit dhe mandej në Rrugën Bardhyl, tek ish-restorant “Durrësi” e për të përfunduar te zona e Xhamllikut, ku ndodhi vrasja e Leonora Kaloçit dhe plagosja e Skënder Elmazit. GJURMËT E GISHTAVE
Policia pretendon se ka edhe shenja gishtash si prova në dosje për të fajësuar Viktor Gushin në lidhje me vrasjen në filialin e NBG-së. “Ditën e ngjarjes, i dyshuari ka shkuar në filialin e NBGsë me një armë në dorën e djathtë dhe me një dorezë në dorën e majtë. Këtë dorë e ka përdorur për të hapur derën që të mos linte gjurmë, ndërsa brenda bankës ka nxjerrë nga xhepi i pantallonave një qese plastike, të cilën do ta përdorte për të vendosur paratë që do të grabiste. Pasi rrjedha e ngjarjeve ndryshoi dhe u detyrua të qëllonte me armë, i dyshuari e ka hedhur qesen, e cila u mor nga ana jonë dhe u ekzaminuan gjurmë gishtash në sipërfaqen e saj. Këto gjurmë përputhen me shenjat e Viktor Gushit”, thanë burimet nga hetimi.
PROKURORI-GJYKATË
Materialet hetimore ndaj 44-vjeçarit nga Patosi, Viktor Gushi, kanë mbërritur dje në Prokurorinë e Tiranës. Organi i akuzës, pak orë më pas dorëzoi në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë arrest me burg. Ndërkohë i dyshuari është vendosur të merret në pyetje edhe një herë pas shkak të numrit të madh të krimeve, autorësinë e të cilave ai e ka pranuar. Ditën e djeshme mësohet se të arrestuarit i janë marrë edhe mostra gjaku dhe urine për ekzaminime nëse ka përdorur lëndë narkotike apo substanca të tjera. “Deri tani akuzat e ngritura flasin për dy vrasje dhe plagosjen e tre personave, dy gra dhe rojën e filialit të NBG-së”, thanë burimet zyrtare. tr.so

“Ditën e vrasjes më kërkoi 5 mijë lekë, m’i ktheu pasdite”

Hoxha: E arrestuan disa civilë, kujtova se ishte sherr
Pronari i basteve: S‘dyshoja te Viktor Gushi, ditët e fundit shihte vetëm “News 24”

Vladimir Hoxha, pronari i lokalit të basteve te “Don Bosko”

Mëngjesin e ditës kur vrau arkëtaren e NBG Bank, Leonora Kaloçi, i dyshuari Viktor Gushi ka qenë “në krizë financiare”.
Ai i ka kërkuar 5 mijë lekë të vjetër borxh pronarit të lokalit të basteve në rrugën “Don Bosko”, Vladimir Hoxha, ku i dyshuari edhe u arrestua mbrëmjen e së enjtes. Disa orë pasi kishte marrë këtë borxh, i dyshuari nga Patosi ka kthyer shumën duke nxjerrë nga xhepi një tufë të madhe me euro teksa ndodhej në lokalin e basteve. Ky fakt është pohuar dje gjatë një interviste për gazetën “Panorama” nga pronari i lokalit të basteve në rrugën “Don Bosko”, Vladimir Hoxha. “Erdhi në mëngjes në lokal dhe më kërkoi 5 mijë lekë borxh. Pastaj u kthye pasdite dhe m’i dha. Madje nxori nga xhepi një tufë të madhe me euro kur më ktheu lekët. Dhe pikërisht shkaku pse e mbaj mend që ishte atë ditë në lokal, ishte për faktin se ai kërkoi të shihte televizor. Më tha ta çoja te News 24 dhe aty mora vesh edhe se çfarë kishte ndodhur”, tregoi dje pronari i lokalit. Ai shpjegoi edhe arsye se përse në asnjë moment nuk kishte dyshuar që Viktor Gushi, një prej klientëve të tij më të rregullt, mund të kishte vrarë ndonjë njeri, apo mund të kishte bërë ndonjë vepër tjetër penale. Kjo për shkak se ai i dukej njeri i urtë, që rrinte gjithmonë vetëm dhe deri diku i pafuqishëm si nga fiziku, ashtu dhe nga natyra e tij e ndrojtur, për të kryer ndonjë krim.
Prej sa kohësh e njihnin Viktor Gushin?
Si fytyrë e kam parë që kur kam hapur lokalin, para gjashtë muajsh. Por që kam filluar ta njoh, më saktë që ka filluar të vijë më shpesh në lokalin tim, ka qenë kohët e fundit. Vinte edhe më përpara, por tani ka disa muaj që vinte më shpesh. Edhe disa herë në ditë. Madje kishte raste që vinte që në mëngjes, rrinte gjithë ditën dhe ikte në darkë.
Po çfarë pinte kryesisht kur vinte te lokali juaj?
Merrte përherë kafe. Po edhe atë kot sa e merrte sepse asnjëherë nuk e pinte.
Po pije alkoolike konsumonte?
Jo, jo alkool, të paktën këtu tek unë nuk ka pirë ndonjëherë.
Çfarë bënte në lokal kur rrinte me orë kaq të gjata?
Shihte ndeshjet. Vinte skedina, luante në kompjuter. Dhe kur vendoste skedina, rrallë ndodhte që të vendoste një shumë më pak se 100 euro.
Kishte fituar ndonjëherë?
Fitonte shpesh. Madje mbaj mend para disa ditësh fitoi 3 milionë lekë në një prej kompjuterëve, na çuditi të gjithëve. Me aq sa e njihnit, çfarë njeriu ju dukej?
Nuk fliste dhe nuk hapej me askënd. S’kisha arritur ndonjëherë të bëja muhabet tamam me të, përveç ndonjë pyetjepërgjigje të shkurtër. Gjithmonë vinte vetëm. Në tavolinë rrinte vetëm përherë. Dhe nuk pranonte të ulej njeri me të. Na dukej shumë i urtë, si tip i vetmuar, që skuqej shpejt për një fjalë gojë. Kujt ia merrte mendja që ai mund të kishte bërë vrasje e të tjera për çfarë akuzohet?!
A arrini të kujtoni nëse ka qenë në lokalin tuaj ditën kur u vra arkëtarja e bankës, meqë është ngjarja me e fundit për të cilën akuzohet?
Po, po, e mbaj mend shumë mirë. Ka ardhur në mëngjes në lokal dhe më kërkoi 5 mijë lekë borxh. Më tha se do m’i kthente pasdite, sepse kishte ngelur pa lekë. Ia dhashë pa hezitim, sepse e kisha parë me lekë nëpër duar vazhdimisht dhe e dija që do m’i sillte. Edhe po të mos m’i kthente, 5 mijë lekë të vjetër ishin ato, po gjithsesi ia dhashë.
Erdhi më vonë të t’i kthente?
Po, erdhi pasdite dhe m’i dha. Madje nxori nga xhepi një tufë të madhe me euro. Dhe pikërisht shkaku pse e mbaj mend që ishte atë ditë në lokal, ishte për faktin se ai kërkoi të shihte televizor. Më tha ta çoja te News 24 dhe aty mora vesh edhe se çfarë kishte ndodhur. Ngaqë këtu në lokal ne zakonisht shohim ndeshje dhe nuk e hapim ndonjëherë televizorin në kanale të tjera, veç atyre sportive.
Kur erdhi, dukej ndopak i shqetësuar?
Në fakt nuk e pamë me shumë vëmendja, edhe pse na bëri përshtypje se përse atij iu shkrep të shihte lajmet, kur ai as në shtëpi nuk kishte televizor. Megjithatë nuk na ra në sy ndonjë shqetësim i tij. Më shumë na ka rënë në sy dy ditët e fundit. Edhe pse asnjëherë, për asnjë rast nuk e mendonim se ai vetë mund të ishte përfshirë në ndonjë gjë të keqe.
Pse, çfarë bënte ditët e fundit?
Ishte fiksuar pas televizorit. Më thoshte vazhdimisht që ta çoja te News 24. Derisa i thashë: “Na, merre telekomandën dhe çoje ku të duash”. Ishte i interesuar për të parë nëse ishte liruar nga policia një djalë që i ngjante, sepse pyeste për të, nëse dinim gjë ishte liruar apo jo.
Ai është arrestuar në lokalin tuaj, apo jo?
Po, po, këtu është arrestuar. Tek ajo tavolina (tregon me dorë tavolinën) që është te dera. Ishte ulur me kurriz nga dera dhe po qëndronte vetëm, si zakonisht. Madje po shihte pikërisht televizionin. Sa kohë kishte që ishte ulur aty? Kishte gjithë ditën që rrinte aty. Kishte ardhur në mëngjes, pasi kishte blerë 500 lekë cigare të hapura në dyqanin e vjehrrës sime dhe rrinte aty me kafen përpara, si gjithmonë, pa e pirë, duke parë lajmet.
Po sa ishte ora fiks kur u arrestua?
Mund të ketë qenë diku 18:00 ose diçka më shumë.
Si reagoi kur u fut brenda policia?
Nuk pati mundësi të bënte asnjë lloj reagimi, sepse e para nuk i pa fare, pasi ata erdhën nga dera kryesore dhe ai ishte ulur me kurriz. Pastaj ata ishin katër veta, trupmëdhenj, që e kapën direkt, e ngritën në ajër dhe nuk kishte asnjë mundësi për të bërë ndonjë veprim. Në fillim, duke qenë se ata ishin civilë, unë ndërhyra dhe u thashë: “Mos bënin sherr në lokalin tim, dilni zihuni jashtë”. Por ata më shtynë, më thanë që ishin policë dhe s’kishin punë me mua. Me sa pashë, ata ishin oficerë të SHKB-së, sepse pashë edhe makinën që kishin parkuar jashtë, një me makinë me targa Zvicre. Atij iu gjet pistoleta në brez në momentin e arrestimit. Ju nuk e kishit vënë re asnjëherë që ai lëvizte dhe qëndronte aty i armatosur?
Asnjëherë. Dhe as që na shkonte mendja që një njeri si ai, aq i urtë, i shkurtër, i dobët, mund të mbante armë me vete. Pistoletën ia pashë vetëm në momentin e arrestimit. Kur policët e ngritën nga tavolina, iu ngritën rrobat dhe ia pashë në brez.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura