Rrëfimi i 18-vjeçares: Sherri me fierakët në plazh, na kërkuan adresën në Facebook

Jul 31, 2013 | 9:04
SHPËRNDAJE

Plazhi “Kalaja” në Vlorë ku ndodhi vrasja e trefishtë
“Nuk ma merrte mendja kurrë për këtë tragjedi”

Motra e Leo Osmenit në Polici: Vëllai më tha se shoku qëlloi pasi njëri e goditi me grusht.

Fierakët: Bisedë miqësore me vajzat.
Nuk quhet ngacmim komplimenti.

Vajza që u bë shkak për vrasjen e tre pushuesve të rastësishëm në plazhin e quajtur “Kalaja” në Vlorë, është marrë në pyetje nga grupi hetimor.  Me një gjendje të ngarkuar psikologjike, 18- vjeçarja Xh.Osmeni, e cila është edhe binjakja e të arrestuarit Leo Osmeni, ka rrëfyer momentet tragjike të ngjarjes. Sipas dëshmisë së dhënë prej saj, ka qenë shoku i të vëllait ai që qëlloi me breshëri automatike, ndërsa ajo ka mohuar mjaft detaje të tjera të dhëna nga dëshmitarët okularë, duke u justifikuar me faktin se në momentin e ngjarjes kishte qenë duke ngjitur shkallët, pasi i vëllai e kishte urdhëruar të largohej nga vendi.
“Ishim katër vajza në plazh, dy prej të cilave kushërira të miat. U ndamë në çadra dhe po merrnim rreze. Në shezlongun ngjitur ishte një grup prej pesë të rinjsh, të cilët më pas mësuam se ishin nga Fieri. Ata erdhën dhe u futën në muhabet me ne”. Kështu e ka nisur rrëfimin 18-vjeçarja, e cila nuk e kishte menduar se një ngacmim në plazh do të përfundonte në tragjedinë e asaj përmase, ku mbetën të vrarë tre persona të pafajshëm.
“Pasi nisën të futeshin në muhabet me ne, ata filluan madje të na kërkonin numrat e telefonit dhe po insistonin të merrnin emrat tanë që të na nisnin kërkesë miqësie në Facebook. Kjo për ne ishte e bezdisshme. Më pas kam folur në telefon me vëllain, ku edhe i tregova se po na ngacmonin disa djem nga Fieri”. Sipas dëshmisë së dhënë prej saj, i vëllai ka ardhur bashkë me një shok të tij (nuk e ka përmendur emrin e autorit), ndërsa nuk ka dhënë detaje nëse Leo Osmeni ka pasur përleshje me fierakët që rezultojnë të jenë të moshës 19-22 vjeç. “Pasi erdhi vëllai në plazh, më pyeti menjëherë se cilët janë djemtë që na kishin ngacmuar. Unë ia tregova me dorë dhe ai më urdhëroi që të ngjisja shkallët dhe ta prisja te makina e tij. Nuk kam parë nëse kishte sherr, pasi nuk të linin mundësi çadrat. Erdhi edhe shoku i tij me armë. Unë vetëm sa dëgjova krismat. Nuk po kuptoja se çfarë ndodhi. Leo erdhi më pas dhe më çoi në shtëpi. Më pas mësova nga mediat se ishin vrarë tre persona. Në këtë moment, vëllai më tha se një nga djemtë fierakë e kishte qëlluar me grusht. Kjo e kishte acaruar atë dhe i kishte kërkuar shokut të tij që të qëllonte drejt çadrës së tyre, por për t’i trembur dhe jo për t’i vrarë”. 18-vjeçarja është shprehur në Polici se teksa ngjiste shkallët, ajo kishte dëgjuar breshërinë e armës automatike e më pas britmat e pushuesve të tmerruar, të cilët u shpërndanë në pak sekonda që secili të fshihej.

Fshehën krimin, arrestohen dy bashkëpronarët e plazhit “Kalaja”
“Njihnin njërin autor, s’ia treguan policisë”

Drejtoria e Policisë së Vlorës
Tri ditë pas ngjarjes së rëndë, ku mbetën të vrarë pushuesit Sokol Isufaj, Serdi Bajlozi dhe Diana Ademi, Policia e Vlorës arreston dy pronarët e kompleksit “Kalaja”. Policia bëri të ditur se arrestimi është kryer pasi dyshohet se ata në mënyrë të qëllimshme kanë fshehur krimin. Të arrestuarit janë shtetasit Saimir Qamo, 25 vjeç dhe Servet Qamo, 54 vjeç, të dy nga Vlora, bashkëpronarë të plazhit “Kalaja”. “Arrestimi i tyre u krye pasi, megjithëse kishin detyrimin ligjor për të kallëzuar krimin e ndodhur në plazhin që kishin në pronësi, nuk e kanë bërë një gjë të tillë, duke mos dhënë shpjegime. Ata akuzohen për veprën penale ‘moskallëzimi i krimit’”, thuhej në njoftimin e Policisë. Siç mësohet, dy bashkëpronarët e plazhit janë marrë në pyetje që ditën kur ndodhi vrasja e trefishtë. Por ata kanë pohuar se nuk i njihnin autorët. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se nga verifikimet e kryera ka rezultuar se xhaxha e nip, Servet e Saimir Qamo, e kishin djalin e mikut të tyre Leo Osmenin. Në sajë të të dhënave të siguruara në rrugë operative dhe dëshmive të personave në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se ata e kanë parë të gjithë dinamikën e ngjarjes. Por ata nuk e njoftuan policinë, madje i mohuan grupit të hetimit njohjen e autorëve të masakrës. “Ata nuk kanë treguar, duke u justifikuar se nuk e kanë njohur personin. Gjithashtu nuk e kanë njoftuar policinë për krimin në kohën e duhur, edhe pse vrasja ndodhi në ambientet e plazhit që menaxhojnë”, bënë të ditur burime nga grupi që po heton ngjarjen. Tri ditë pas ngjarjes, plazhi ku ndodhi ngjarja vijon të jetë i bllokuar nga policia.

Dyshime për një bashkëpunëtor të tretë
Policia dyshon se një person i tretë ka qenë bashkë me dy autorët e ngjarjes, i cili i ka pritur ata në makinë. Kjo konfirmohet në sajë të kamerave të sigurisë të tunelit të Vlorës, por edhe të disa subjekteve private. Burime të Policisë bënë të ditur se në kamera është fiksuar edhe një person i tretë në mjet, për të cilin po punohet për t’u identifikuar. Të njëjtat burime thanë se 18-vjeçari Leo Osmeni kishte vënë shami para fytyrës, me qëllim që të mos njihej dhe të mos identifikohej.

Ekspertiza: Arma ka gjurmë të të dy autorëve
Ekspertët e Laboratorit Kriminalistik përfunduan dje edhe ekspertizën e armës automatike, e cila u gjet rreth 1 km larg vendit, si dhe 12 gëzhojave të sekuestruara në vendin e ngjarjes. Burime të Policisë bënë të ditur se në armë dhe gëzhoja janë fiksuar gjurmët e të dy autorëve, Leo Osmenit dhe Delin Hajdarajt. Mësohet se gjatë verifikimit të kryer nuk rezulton që me të njëjtën armë të jenë kryer krime të tjera.

Mamaqi, kujtim me Serdin
Këngëtari Ermal Mamaqi i është bashkuar dhimbjes për humbjen e tri jetëve të pafajshme në plazhin e Vlorës të dielën e kaluar. Por, ndryshe nga qytetarët e tjerë, ai ruan dhe një kujtim të trishtë. Një foto që, gjatë një aktiviteti të zhvilluar 7 muaj më parë, ka bërë me 17-vjeçarin e vrarë Serdi Bajlozi, nga Përrenjasi. “Kjo foto më bëri të mendoj… para 7 muajsh asnjeri nga ne të dy nuk e dinte që njëri nga ne të dy do vritej pa shkak dhe pa faj. Më bëri të mendoj se sa e brishtë është jeta dhe sa e panjohur është e ardhmja dhe fati i gjithsecilit… Më bëri të mendoj që mund të isha unë në vend të Serdit… Lamtumirë Serdi!”, shkruan në rrjetin social “Facebook” Mamaqi.
VLORE/ QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura