Rrëfehet i dashuri i studentes

May 31, 2011 | 12:58
SHPËRNDAJE
Konvlikti nga ku u vetëhodh studentja në Korçë

Në konviktin e vajzave në Korçë vijon të ketë panik nga skena e përgjakshme me të cilën studentët u përballën mbrëmjen e së dielës.Mjaft prej tyre kishin qenë në dijeni të fejesës së papritur të 19-vjeçares Zenika Beka, nga fshati Radokal i Pogradecit. Ajo ishte shprehur disa herë tek shoqet e saj që “më mirë të vdes, sesa të martohem me dikë që nuk e dua”. Mbrëmjen e ngjarjes, i dashuri i saj, dy vite më i madh, E.Novaku, kishte mbërritur në Korçë të takonte vajzën me të cilën ai kishte rreth 4 vjet i lidhur. “Ndaje mendjen, ose vazhdo lidhjen me mua, ose me të fejuarin që të ka zgjedhur familja”, mësohet t’i jetë drejtuar i riu vajzës nga e njëjta zonë me të. Duket se 19-vjeçarja Zeknika Beka, e cila kreu aktin tragjik të vetëflijimit duke u hedhur nga kati më i lartë i konviktit të Universitetit të Korçës, ka bërë zgjidhjen më të vështirë, ndërsa është ndodhur para alternativës së zgjedhjes midis të dashurit të saj dhe të fejuarit që ia kishte gjetur familja. Pas ngjarjes së rëndë, policia e Korçës ka shoqëruar të dashurin e saj, si dhe disa shoqe të dhomës. Dëshmia e dhënë nga 21-vjeçari nga fshati Radokal ka qartësuar më shumë shkakun e kësaj ngjarjeje. “Ishim të lidhur prej vitesh me Zenikën, që para se ajo të vinte këtu në Universitet. Unë e doja, por lidhja jonë u vu në  diskutim, kur familja e fejoi jashtë dëshirës së saj me një djalë nga rrethi i Librazhdit. Erdha nga fshati im vetëm për të sqaruar me të qëndrimin që do të mbante, nëse do të vazhdonte dashurinë me mua apo do të respektonte vendimin e familjes që e fejoi me një djalë tjetër”. Kështu është shprehur për grupin e hetimit i riu. Ai ka pranuar se i ka bërë një lloj presioni 19-vjeçares që ajo të braktiste të fejuarin dhe të mos dëgjonte familjen, për të vijuar më pas lidhjen sentimentale me të. Policia bëri të ditur se ka qenë këmbëngulja e të dashurit të vajzës për të marrë një përgjigje, ajo që e ka çuar në një vendim fatal për jetën 19-vjeçaren, studente e vitit të dytë të degës Bio-Kimi në Universitetin e Korçës. I riu ka qëndruar në afërsi të godinave në pritje që të marrë një përgjigje nëse ajo do të vazhdonte a jo lidhjen apo do të pranonte fejesën e detyruar nga familja. Sipas hetimeve, ai ka pasur shpresë se vajza që donte do të refuzonte fejesën dhe do të vazhdonte këtë lidhje me të. Shoqet e dhomës së viktimës kanë pohuar në polici se ajo iu kishte pohuar pas fejesës se nuk e donte të fejuarin e saj dhe më mirë të vriste veten. Mësohet se E.Novaku ka tentuar të shkojë në varrimin e vajzës që ai donte prej vitesh, por familja e saj, që ia refuzoi këtë lidhje për vite me radhë, nuk e ka lejuar të jetë i pranishëm në ceremoninë e lamtumirës. Burime nga Policia bënë të ditur se gjatë të gjithë kohës së dhënies së dëshmisë, i riu ka qenë me shenja të rënda ngarkese emocionale, për shkak të humbjes së vajzës që ai donte.

VIKTIMA

Zenika Beka, 19 vjeçe, ishte nga fshati Radokal i Pogradecit. Ajo ishte studente në vitin e dytë në degën Bio-Kimi në Universitetin “Fan Noli” në Korçë. Prej më shumë se 4 vitesh ishte lidhur me një djalë të fshatit të saj, por familja e fejoi atë me një të ri nga fshati Rrajcë i Librazhdit. Studentja 19-vjeçare ishte hapur me shoqet e saj, duke e paralajmëruar vetëflijimin. Ajo u kishte pohuar se ishte më mirë e vdekur, sesa përkrah një njeriu që nuk e donte…

I dashuri, kameraman dasmash

Studentja e vetëvrarë në Universitetin e Korçës ishte lidhur me kameramanin e fshatit prej disa vitesh. Por, familja e saj nuk e donte këtë lidhje, ndaj e fejoi pa dëshirën e saj me një djalë në fshatin Rrajcë të Librazhdit. Banorë të fshatit të viktimës pohuan se i dashuri i saj është një djalë shumë i mirë, por  familjarët nuk kanë dashur që e bija të fejohej me të, ndaj dhe e fejuan me një tjetër djalë, jashtë dëshirës së saj. I riu punonte kryesisht nëpër dasma, duke i filmuar në to. Sipas të dhënave, mungesa e një “diplome” ka bërë që familja e 19-vjeçares t’ia refuzojnë lidhjen së bijës gjatë të gjitha këtyre viteve me djalin, të cilin, siç duket, e shihnin pa perspektivën e duhur. Me gjithë këmbënguljen e vajzës, ata nuk kishin arritur të bindeshin për t’i thënë “po” lidhjes së tyre.

Drejtori: Studentja shumë e rregullt, nuk e shpjegojmë dot vetëflijimin

Drejtori i Qendrës së Trajtimit të Studentëve në Korçë, Dhimitraq Çyfeku, e kujton si vajzë shumë të rregullt viktimën e vetëflijimit. Sipas tij, ndonëse vetë nuk ka mundur të shkojë në ceremoninë mortore, një grup punonjësish kanë qenë të pranishëm në të, pikërisht për sjelljen që 19-vjeçarja kishte në konvikt. Çyfeku thotë se të gjithë u tronditën nga ky akt, që nuk kishte ngjarë më parë.
Zoti Çyfeku, prej 2 vitesh studentja që u vetëflijua dje strehohej në qendrën tuaj? Si e mbani mend atë?
Ka qenë një vajzë shumë e urtë dhe e sjellshme. Me sa di unë, dhe sa jam vënë në dijeni pas ngjarjes tragjike qe i ndodhi, edhe në mësime ka qenë shumë e mirë.
Me aq sa kishit dijeni, studentja Zenika Beka, nga zona e Mokrës, a ka shfaqur ndonjëherë probleme apo shqetësime?
Kjo studente, siç e thashë, ka qenë shumë e rregullt dhe për asnjë rast nuk ka krijuar probleme në Qendrën e Trajtimit të Studentëve pranë Universitetit të Korçës. Nuk di si ta shpjegoj që kreu vetëvrasje, duke u hedhur nga kati i katërt i konviktit. Nuk mund të them se ka shfaqur ndonjë tronditje apo të dilte nga natyra e saj prej vajze të rregullt. Këtë nuk mund ta them, vetëm se të gjithëve na tronditi me aktin që kreu.
Pati pjesëmarrës nga Qendra në ceremoninë mortore?
Pikërisht për sjelljen që ka shfaqur kjo vajzë gjatë dy viteve si konviktore, një grup prej 7 punonjësish të Qendrës së Trajtimit të Studentëve në Korçë, si dhe rreth 20 studentë, të njohur të kësaj vajze, kanë shkuar ditën e hënë në varrimin e 19-vjeçares Zenika Beka.

 

KORÇE/ GEZIM ASHIMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura