Rrahu gruan shtatzënë, i riu dënohet me 2.4 vite burg

Apr 30, 2013 | 12:02
SHPËRNDAJE
Olsi Iljaz

Rrahu barbarisht gruan shtatzënë, e cila, për pasojë, abortoi fëmijën 5-muajsh, gjykata e dënoi dje me 2.4 vite burg 31-vjeçarin. Gjatë seancave gjyqësore në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë, autori i krimit, Olsi Iljazi, pranoi akuzën dhe kërkoi dënimin e shkurtuar. Në seancën e pretencës, prokuroria kërkoi dënimin me 5 vite burg të tij për veprat penale të “plagosjes” dhe “dhunës në familje”. Ndërkohë që dje, trupa e përbërë nga tre gjyqtarë dha vendimin duke e dënuar Olsi Iljazin me 3.6 vite burg për veprën e plagosjes dhe 6 muaj për atë të dhunës në familje. Me bashkimin e dënimit si dhe pranimin e kërkesës së tij për gjykim të shkurtuar, Iljazi përfitoi uljen e dënimit. Olsi Iljazi rrahu me karrige bashkëshorten e tij më 12 dhjetor të vitit të kaluar, teksa kjo e fundit ishte në muajin e 5-të të shtatzënisë. Ngjarja ndodhi në banesën e prindërve të Rudina Iljazit pak ditë pasi ajo ishte larguar nga banesa e përbashkët e çiftit. Si pasojë e dhunës ekstreme, gruaja përfundoi në gjendje të rëndë në spitalin e Korçës. Pak javë më vonë, Rudina Iljazi humbi fëmijën. Për ironi të fatit, në të njëjtin kat të spitalit përfundoi edhe agresori. Ky i fundit tentoi vetëvrasje duke prerë damarët në qeli. Ai shfaqi pendesë dhe i kërkonte me ngulm që nga spitali gruas së tij që ta falte. Por pas humbjes së fëmijës, 28- vjeçarja iu drejtua gjykatës dhe kërkoi divorcin nga bashkëshorti i saj, me argumentin e dhunës në familje. Ajo deklaroi se nuk do t’ia falte dhunën të shoqit dhe se nuk kishte më asnjë shans pajtimi mes tyre.                                        dh.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura