Rouçek: Kreu i shtetit, konsensual

Apr 30, 2012 | 12:31
SHPËRNDAJE

Libor Rouçek

Zyrtari i lartë i Brukselit apelon politikën shqiptare të zgjedhë kreun e shtetit të gjithëpranuar.

“Presidenti i ri i Shqipërisë të zgjidhet si në Gjermani”

Ish-raportues për Shqipërinë, Libor Rouçek dhe zëvendëskryetar i Grupit të Aleancës progresiste të socialdemokratëve në Parlamentin Europian, kërkon që Presidenti i ri në Shqipëri të zgjidhet me konsensus.
Gjermania do të ishte një shembull i mirë për t’u kopjuar në zgjedhjen e Presidentit. Këtë mesazh sjell Brukseli pak ditë para nisjes së procedurave për të zgjedhur pasuesin e Bamir Topit. Duke folur për “AS”, Ruçek shprehet se zgjidhja duhet të jetë konsensuale. “Nëse ne mund të merrnim një shembull të fundit për zgjedhjen e Presidentit, kjo është Gjermania. Sepse Gjermania ka pasur probleme me Presidentin. Tani aty u zgjodh një person me konsensusin e të gjitha forcave politike. Ky konsensus u arrit midis socialdemokratëve, liberalëve dhe demokristianëve. Kjo është situatë e njëjtë edhe për ju”, deklaroi Rouçek. Sipas zyrtarit të lartë europian, kreu i ri i shtetit duhet të jetë mbi palët dhe jo përfaqësues i një krahu. “Një President duhet të qëndrojë mbi grindjet e përditshme politike. Presidenti duhet të jetë një individ që duhet ta bashkojë politikën. Nëse ka një problem dhe qeveria nuk bie dakord për diçka me opozitën, në këtë rast Presidenti luan rolin e tij në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Pra, nëse unë po jap si shembull Gjermaninë, mendoj se kjo do të ishte e pranueshme edhe për Shqipërinë, për të zgjedhur një person që të pranohet jo vetëm nga partitë parlamentare, por edhe nga populli”, u shpreh Rouçek. Zgjedhja e Presidentit te Republikës, procedurat për të cilin fillojnë në maj, do të monitorohet me kujdes nga Brukseli. Ajo do të pasqyrohet edhe në raport-progresin që do të dalë në tetor, kur pritet edhe përgjigjja për kërkesën e Tiranës zyrtare për marrjen e statusit të vendit kandidat të Bashkimit Europian.

Procedurat e zgjedhjes
Më 20 maj duhet të nisin zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Dy muaj para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual, palët e politikës shqiptare duhet të nisin procesin e ballafaqimit të kandidaturave për të arritur në një emër konsensual siç kërkon dhe Kushtetuta, sipas së cilës kreu i shtetit zgjidhet me shumicë të cilësuar parlamentare.

Apeli i Brukselit
Numri dy i delegacionit në Parlamentin Europian për Europën Juglindore, Jelko Kacin, i apeloi dy ditë më parë klasës politike shqiptare zgjedhjen me konsensus të Presidentit të ri të Republikës. Sipas tij, në rast se kjo do të ndodhë, atëherë mesazhi që Tirana do t’i përcillte Brukselit do të jetë sipas tij domethënës në vendimin që BE duhet të marrë për çështjen e statusit kandidat të Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura