Rona Nishliu fiton çmimin e parë, përfaqëson Shqipërinë në Europian

Dec 30, 2011 | 11:23
SHPËRNDAJE

Fituesja e Festivalit të RTSH, Rona Nishliu, mbrëmë duke marrë çmimin e parë

U mbyll mbrëmë edicioni i 50-të i Festivalit në RTSH

Në vend të dytë u shpall Elton Deda me “Kristal”, në të tretin Saimir Braho me “Ajër”

Me një eksperiencë personale, këngëtarja kosovare Rona Nishliu fitoi edicionin e 50-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. “Suus” titullohet kënga fituese, me muzikë të Florent Boshnjakut dhe tekst të vetë Nishliut. Është kjo kënga që do të na përfaqësojë edhe në Festivalin Europian. Me çmimin e dytë u nderua kantautori Elton Deda me një këngë shumë të ndjerë, “Kristal”, ndërsa çmimin e tretë e mori për të dytin vit radhazi këngëtari Saimir Braho me këngën “Ajër”. Në natën finale u ndanë dhe të tjera çmime për muzikën, orkestracionin, interpretimin dhe tekstin.
U mbyll mbrëmë një 50-vjeçar histori i muzikës së lehtë shqiptare, për t’i lënë vendin një etape tjetër, pse jo edhe më të mirë se kaq. Edicioni i 50-të shënoi fillimin e ndryshimit. U rikthye tradita e interpretimit 100% direkt, apo live, që nga orkestra e RTSH-së, banda muzikore dhe sigurisht këngëtari. Një sfidë që e mori përsipër drejtori artistik Shpëtim Saraçi dhe e çoi deri në fund, duke treguar se janë të gjitha mundësitë që kjo të ndodhë edhe më tej. Pas dy netësh gjysmëfinale, që prezantuan 28 këngë konkurruese dhe një nate gala, që ngjiti në skenë yjet e muzikës shqiptare të një gjysmëshekulli histori, mbrëmë në Pallatin e Kongreseve u zhvillua nata finale e Festivalit të Këngës në RTSH. Një natë

Fituesit e tre çmimeve të para, dje në Festival

me shumë emocione e tension. Plot 20 këngë u ngjitën në skenë, duke sjellë një larmi ngjyrash në këtë jubile të festivalit. Sunduan baladat, por nuk mungoi as rroku e hip-hopi. Emrat më në zë të muzikës shqiptare iu afruan këtë vit këtij aktiviteti, me dëshirën për të dhënë më të mirën dhe për të kujtuar kohërat kur festivali bëhej i gjithi “live” e ende s’kishte hyrë “moda” e “play back-ut”. Mund të përmendim emra si Shpëtim Kushta, Lejla Agolli, Flamur Shehu, Luan Zhegu, Ilir Dangëllia apo tekstshkrues si Arben Duka, Agim Doçi, Jorgo Papingji, Timo Flloko e deri te më të rinjtë, kompozitorë e autorë tekstesh, por jo më pak të suksesshëm, si Sokol Marsi, Endri Sina, Bojken Lako, Genti Lako, Klodian Qafoku etj. Por të mos lëmë mënjanë këngëtarët si Elton Deda, Altin Goci, Saimir Braho, Mariza Ikonomi, Kamela Islamaj, Frederik Ndoci, Dr. Flori, Rona Nishliu, Elhaida Dani, Xhensila Myrtezaj, Marjeta Billo, Bojken Lako e shumë të tjerë… Dhe prej gjithë këtyre emrave nuk kishte si të mos vinte në jetë një festival i mirë, ku nuk mungoi melodia, por as teksti. Nuk ishte vetëm një festival melodramash, lotësh e ndarjesh. Kishte këngë që i këndonin jetës, një mëngjesi të ri, një kthimi, realitetit, njerëzve të zakonshëm, vetë këngës shqiptare, po pse jo edhe hënës. Por nëse kishte më shumë dashuri, atëherë dashuria mirë se të vijë. Parë në këtë këndvështrim, këtij edicioni nuk i mungoi “tematika”. E nëse ka muzikë, fjalë e interpretim live, atëherë le të merremi me detajet: me fustanet e gjata, me atë modelin e flokut që s’e tregonte mirë në kamera prezantuesen, me dy poça që nuk u ndezën në atë skenë madhështore realizuar nga Bashkim Zahaj e me një lojë dritash që i vinin për shtat çdo kënge, me atë defektin teknik që na tregoi se festivali bëhet vërtetë live, me dorën në xhep të Nikut dhe lirshmërinë e tij prej djali të ri… Le të merremi me të gjitha këto dhe të mos tregojmë asnjë fije dashamirësie për drejtorin e festivalit të këtij viti, Martin Leka, për tensionin që gjithçka të shkonte mirë deri në fund, punën e 53 orkestruesve e këngëtarëve shoqërues, punën e mjeshtreve të muzikës, Saraçi, Kaçinari e Zhulali, për seriozitetin, disiplinën që nuk kanë njohur më parë festivalet dhe kurajën që u dhanë këngëtarëve dhe orkestrantëve, krijimtarinë e 28 kompozitorëve, tekstshkruesve dhe vetë këngëtarëve, skenaristëve, regjisorit Osman Mula, punën e prapavijës, ata të teknikës, tonmaestrat italianë, që mundësuan që gjithçka të funksiononte.

Fituesit e festivalit
• Çmimi i parë: Rona Nishliu me “Suus”
• Çmimi i dytë: Elton Deda me “Kristal”
• Çmimi i tretë: Saimir Braho me “Ajër”
• Çmimi i interpretimit: Rona Nishliu
• Teksti më i mirë: Sokol Marsi për “Kristal”
• Melodia më e mirë: Endri Sina” për “Mijra vjet”
• Çmimi i kritikës: Frederik Ndoci me “Jeta ime”
• Orkestracioni më i mirë: Klodian Qafoku

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura