Romë, Panariti takohet me Kerry dhe Ashton

Feb 28, 2013 | 15:07
SHPËRNDAJE

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti ka marre mbeshtetjen e baroneshes Ashton dhe te sekretarit amerikan John Kerry per proceset integruese te Shqiperise ne BE.

Ai eshte takuar me ta gjatë darkës Transatlantike të organizuar në Romë. Se bashku me Kerry, ata vunë në dukje se të dy qeveritë ndajnë pikëpamje të përbashkëta për çështjet që lidhen me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me gjerë.

Ministri Panariti theksoi se prioritet i Qeverisë Shqiptare është forcimi i marrëdhënieve me vendet e rajonit, përmes një politike të hapur dhe konstruktive.

Sekretari Kerry përshëndeti rolin konstruktiv që luan Shqipëria në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal. Ai vlerësoi, gjithashtu, partneritetin që ka ofruar Shqipëria si anëtare e NATO-s në mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe vlerave të demokracisë në zona të ndryshme të botës.

Ministri Panariti u takua edhe me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Baroneshën Catherine Ashton. Gjatë takimit, Ministri Panariti theksoi se Qeveria Shqiptare është e angazhuar për përshpejtimin e procesit të integrimit europian të vendit. Gjithashtu, një sfidë madhore e saj mbetet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare.

Nga ana e saj, Baronesha Ashton konfirmoi mbështetjen për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe inkurajoi politikën shqiptare që të gjejë konsensusin për zbatimin e të gjitha kritereve të vendosura nga Komisioni Europian. Ajo informoi se parashikon të zhvillojë së afërmi një vizitë në Shqipëri, ku temë kryesore në takimet me zyrtarët e lartë të shtetit do të jetë integrimi europian dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura