“Risia” e shndërrimit të krimit në skemë elektorale

Sep 25, 2018 | 12:58
SHPËRNDAJE

prec zogaj

PREÇ ZOGAJ/ Nga përplasja e Kryeministrit Edi Rama me një panel gazetarësh në studion e emisionit “Opinion” javën e kaluar, më bëri përshtypje një shkëmbim batutash mes tij dhe kryeredaktorit të gazetës “ Panorama”, Robert Rakipllari, që po e risjell fjalë për fjalë:

Rakipllari: Ke dhënë garanci për Elvis Rroshin dhe ke thënë që nuk është kriminel, minimalisht kërko ndjesë për këtë…

Rama: Hë mo boll tani, më lër të mbaroj se e teprove. Për ça të kërkoj ndjesë?

Rakipllari: Publikut, jo mua…

Rama: Jo ty, por askujt nuk i kërkoj ndjesë sepse nuk kam bërë asgjë të qëllimshme dhe kam thënë ekzaktësisht gjënë që kam ditur…sepse kur kam krijuar grupin, kam marrë të vetmen dëshmi që kishim , atë të penalitetit dhe ka qenë e bardhë …Njeriu nuk quhet kriminel, në asnjë vend të botës, pasi ka kryer dënimin.

Shumë e saktë fjalia e fundit. Madje, unë do shkoja më larg. T’i përmendësh tjetrit pa pushim fajin, krimin apo gabimin e shlyer është çnjerëzore. Ta trajtosh tjetrin gjithë jetën si kriminel edhe pasi ka paguar sipas ligjit për krimin e kryer është kundër natyrës, është ta gërmosh me thikë në plagën e mbyllur, është t’i hysh në hak thellë. Këto gjëra kanë marrë përgjigje herët në librat e shenjtë, në shtjellimet e filozofëve, në modelet e artit. Por, për të mbërritur tek ajo dëshmia e bardhë që përmend Kryeministri, domethënë te njohja zyrtare e purifikimit përmes përmbushjes së dënimit, civilizimit perëndimor dhe mendimit politiko-juridik që i ka prirë, i është dashur të bëjnë një rrugë të gjatë.

Tani jemi këtu. Edhe në Shqipëri. Kush kryen dënimin, konsiderohet i rehabilituar dhe përfiton të gjitha të drejtat kushtetuese. Kufizimet ligjore për një kategori ish- të dënuarish kanë logjikën e tyre demokratike dhe duhen respektuar.

Duke u kthyer te referimi që i bën Rama dëshmisë së bardhë të penalitetit, unë do të vijoja të shkoja edhe më larg se sa thashë më sipër. Ka shumë të dënuar e ish- të dënuar që kanë vështirësi të integrohen në jetën shoqërore. Ata duhen ndihmuar. S’do të çuditesha të shihja politikanë duke vizituar të burgosur në burgje. Nuk mendoj, as predikoj të shkojnë t’u lajnë këmbët siç ka bërë Papa Françesku në thirrjen e lutjes, dhimbjes dhe mëshirës qiellore. Të shkojnë si bartës të një përgjegjësie publike për t’u dhënë mesazhin e mundësive të tjera nga ato që i kanë çuar në pranga dhe nxitjes për të ecur në rrugë të mbarë. Akoma më shumë duhet ta bëjnë këtë me të dënuarit që e kanë shlyer dënimin, por vazhdojnë të shihen si të damkosur të përjetshëm nga një opinion mendjengushtë, modeluar si i tillë përgjatë dekadave, sidomos në periudhën e komunizmit.

Trajtimi njerëzor dhe mbështetja e individëve që dënohen për vepra penale të ndryshme është kudo një detyrë specifike e shteteve, qeverive dhe vetë shoqërisë. Sidomos në Shqipëri, kur për shkak të rrethanave specifike, numri i të dënuarve apo të proceduarve për frymë, duke marrë parasysh edhe emigrantët, ngjan të jetë mjaft i lartë. Po sjell një shembull: Vitin e shkuar më ra rasti të marr pjesë në një dasmë . Rreth tridhjetë djem të moshës njëzet e pesë- tridhjetë vjeç ishin ngritur dhe po hidhnin lekë duke u rrotulluar rreth çiftit. Ishin shumicë si grupmoshë në atë dasmë. “Asnjeri prej tyre nuk di të ngulë një gozhdë, të gjithë kanë rënë një herë ose dy herë në burg”, më tha një oficer policie që ishte ulur afër meje. Nuk mund të them a ishte një përjashtim apo një rregull dasma në fjalë përsa i përket numrit të ish- të dënuarve. Por që janë shumë, janë shumë. Këtë nuk e luan topi.

A mund të imagjinohet mungesa e kontakteve të njerëzve publikë- politikanë, zyrtarë, intelektualë, artistë- me këtë fashë të shoqërisë, e madhe numerikisht, me një rol domethënës në gjithë zhvillimet dhe kundërzhvillimet e tranzicionit njëzeteshtatëvjeçar? Shija e gjithsekujt bën zgjedhjen e vet, por në parim është e pamundur të evitohet kontakti me ta në një territor të vogël si Shqipëria. Unë them tjetrën: edhe po të ishte e mundur, nuk duhet të evitohet. Sidomos nga politika dhe politikanët. Thënia e famshme e Jezu Krishtit “Nuk kam ardhur për të drejtët, por për mëkatarët” gjen jehonë në përcaktimin e një aspekti me rendësi të misionit të politikës për të qenë aty ku është problemi me synimin për ta zgjidhur, aty ku është e keqja me synimin për ta korrigjuar. Qasjet sektare jakobiniste në këtë rrafsh janë më keq se vetë e keqja.

Të bëjmë një sqarim: Kush ka bërë krime, ka paguar e duhet të paguajë sipas ligjit. Këtu nuk ka vend për qëndrime të mesme. Por nuk duhet të harrojmë një gjë përsa iu përket të dënuarve të racës sonë, që vijnë vetë ose na i hedh Perëndimi në Shqipëri . Kur ra komunizmi, Shqipëria hodhi anembanë Europës dhe botës, pa letra, me shumë se një të tretën e popullit të vet. Nuk e mbajti dot as me punë, as me shpresë. Nuk i doli zot për asgjë. Kjo shifër ka ardhur duke u rritur gjatë viteve të demokracisë. Shumica dërmuese e individëve dhe familjeve që emigruan u integruan dhe punojnë me nder në vendet ku kanë emigruar, duke u mbajtur në rrënjën e virtyteve të racës dhe familjes. Kjo u bën nder atyre dhe vendit tonë. Por një pjesë përfunduan që herët, si fëmijë të humbur , apo se ishin vetë të prirur, në rrjetat e malavitës europiane dhe mbeten aty. Kjo është një histori e gjatë dhe komplekse për t’u treguar. Nuk është fjala për të justifikuar gabime dhe krime. Aspak. Gjyqtar dhe prokuror i tjetrit bëhesh kollaj. Fjala është për të parë e shpjeguar me realizëm rrethanat specifike të një të riu pa prind e pa atdhe me vete, fjala vjen, që joshet e përfundon në rrjetat e malavitës. Fjala është për të kuptuar. Gjithnjë kam menduar se duhet të dallojmë kriminelët e pamëshirshëm që kanë vrarë njerëz të pafajshëm nga ata që i mori dhe vijon t’i marrë mendësia e pasurimit të shpejtë përmes trafiqeve dhe prapësive të tjera. E gjithë kjo, në funksion të një politike që lejon daljen e vendit nga një spirale e pambaruar kriminaliteti.

Dëshmia e bardhë e penalitetit që nuk të quan më të dënuar pasi ke kryer dënimin, është pikënisja e gjithëpranuar për këtë lloj politike. Më tej, është një katalog i tërë që mund ta marrin të gatshëm nga Perëndimi. Kthimi i djalit plëngprishës mbetet një prej parabolave të mëdha të Dhiatës së Vjetër, mbi të cilat është ngritur civilizimi perëndimor, siç thoshte filozofi liberal italian, Benedeto Kroçe.

Mirëpo, politika në vendin tonë ka ecur në rrugën e kundërt, në atë të ortakërisë për punë të mbrapshta me krimin, gjë që u ka bërë dëm të gjithëve. Ku nuk është i sinqertë , ku është gabimi i Ramës në përgjigjen që i jep Rakipllarit për kategorinë e individëve me rekorde kriminale? Ai nuk i ka përzgjedhur këta individë si socialistë apo si veprimtarë publikë të shquar që kanë pësuar aksidente në jetë, por me punë të ndershme disavjeçare brenda dhe jashtë strukturave të partisë apo në komunitet kanë spikatur si njerëz me vlera që meritojnë të promovohen në poste përfaqësuese dhe drejtuese . Po të ishte kështu, do të kishte kuptim justifikimi dhe pohimi i tij “ s’kam çfarë ndjese të kërkoj”. Por nuk është fare kështu. Ai në fakt i ka përzgjedhur e promovuar këta individë jo si të rehabilituar, por për atë që kanë qenë para se të shlyenin dënimin. Dhe ky është thelbi i ligësisë që ngërthen gjithë kjo histori. Rama i mori këta ish- të dënuar, duke i parë si të padënuar akoma, pra duke i parë si kriminelë në fakt, në funksion të idesë së tij për t’i hedhur në fushata si të tillë, me alibinë se “nuk i merret ndryshe pushteti PD-së në bastionet e saj”. Marrëveshja ka qenë dhe mbetet kjo: ju më siguroni vota me mënyrat që dini vetë ( që nënkupton blerje dhe marrje në forma të dhunshme), unë ju bëj pjesë të pushtetit, ju jap poste, ju krijoj mundësinë të bëni para. Ky është pazari i zi që në zbatimin e vet ka prodhuar dhe shpjegon prishjen e zgjedhjeve, simbiozën e krimit në pushtet dhe pushtetit në krim , kanabizimin e vendit si një koncesion i qeverisë për bandat e narkotrafikut, grabitjen e pronave publike përmes të çarave në legjislacion që do të shfrytëzoheshin e shfrytëzohen nga ortakët e malavitës. E tjerë e tjerë.

“ Të fortët”, të dënuarit, të dëbuarit, trafikantët e lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore, tutorët e prostitucionit, grabitësit apo edhe vrasësit me lloj -lloj emrash, kanë qenë rëndom prej më shumë se dy dekadash në orbitën e politikës, partive dhe qeverive. Politika i ka përdorur edhe më parë mjaft prej tyre për qëllime elektorale, por pa i promovuar në politikë dhe në drejtim . Ka ndodhur që të dënuarit për vrasje janë dërguar me leje në vendet e origjinës në prag të zgjedhjeve për t’u bërë presion zgjedhësve me praninë e tyre. Fenomeni pra, nuk ka lindur me Edi Ramën Kryeministër.

Por si shumicën e fenomeneve negative të tranzicionit, Rama e mori dhe e çoi në ekstrem edhe këtë të ortakërisë politike dhe elektorale me krimin.

Ai e bëri krimin skemë elektorale. Kjo është “ risia” e tij e zezë, nga e cila Shqipëria do të dojë disa kohë të shpëtojë.

Me këtë skenë ai i bëri recidivistë edhe vetë ish-të dënuarit, duke i shtyrë në akte të rënda antidemokratike dhe në vepra të rënda morale dhe penale siç është prishja e zgjedhjeve. Ata kanë prekur aty ku nuk preket: tempullin e zgjedhjeve. Ata u kanë hyrë në hak zgjedhësve dhe janë përfshirë si forcë komplementare e qeverisë në një konflikt politik, që nuk mund të përfundojë mirë siç është ai për votën, pra për pushtetin. Ata që kanë mend në kokë po e kuptojnë se Rama i mori në qafë. Shumë prej të “promovuarve” të tij nga kategoria e ish- të dënuarve nuk do të donin t’u ndodhte kjo që u ndodhi. Por Rama duket i interesuar t’i mbajë të bashkuar dhe me gajret rreth e rrotull vetës për t’i përdorur sërish në zgjedhjet vendore. Thirrjet e tij “askujt nuk i kërkoj ndjesë”, këtë qëllim që kanë. Në horizont po shfaqet dalëngadalë fushata e re elektorale. Grupet e malavitës po rakordojnë planet për një edicion të ri të blerjes së votave dhe plojës elektorale. Është një garë e ethshme me kohën dhe duhet të shohim a ka shpresë për ta ndaluar para zgjedhjeve vendore këtë maskaradë apo takimi me çlirimin dhe normalitetin do t’i shtyhet vendit edhe për disa muaj të tjerë. Të presim. Goditjet e grupit kriminal të Bajrëve dhe disa bandave të rrezikshme me aktivitet të dokumentuar në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë janë për t’u përshëndetur me gjithë zemër. Por bandat elektorale janë të një natyre tjetër dhe ato nuk janë prekur akoma.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura