Rinas, alarm i rremë për bombë në avionin me 250 pasagjerë

May 31, 2013 | 12:05
SHPËRNDAJE

TIRANE – Një telefonatë për bombë të vendosur në bordin e avionit që vinte nga Stambolli në Tiranë ka vënë në alarm autoritetet e Aeroportit të Rinasit. Alarmi ka rezultuar i rremë, por për disa minuta pasagjerët kanë përjetuar ankth e panik, po ashtu edhe punonjësit e Aeroportit “Nënë Tereza”. Forca të shumta të Policisë së Rinasit, Antiterrorit të Tiranës dhe forcat speciale RENEA brenda pak minutash kanë rrethuar aeroportin. Telefonata është kryer vetëm 4 minuta para se avioni të ulej në pistën e Rinasit dhe sipas burimeve nga Policia e kryeqytetit, thirrja është bërë nga shteti turk. Një person ende i paidentifikuar, që fliste në gjuhën turke, ka telefonuar me punonjësen në chek-in, në seksionin e Turkish Airlines në Rinas, duke i komunikuar se në bordin e avionit të linjës Stamboll-Tiranë ndodhet një bombë. Pas këtij komunikimi, personi anonim, që dyshohet të ketë telefonuar nga Stambolli, ka mbyllur telefonin dhe linja është shkëputur. Kaq ka mjaftuar për të vënë në alarm policinë dhe aeroportin. Burimet thanë se telefonata është kryer në orën 20:14 të mbrëmjes së djeshme, kur avionit i duheshin edhe 4 minuta për t’u ulur. Por burimet thanë se nisur nga fakti që avioni është ulur 30 minuta me vonesë, pasi ishte parashikuar që të zbriste në orën 19:48, ka shtuar dyshimet se personi që ka telefonuar mund të ketë qenë në dijeni të vonesës gjatë fluturimit.          e.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura