Rimbursimi i TVSH, arrestohen edhe 6 biznesmenë të skrapit

Jan 31, 2014 | 13:49
SHPËRNDAJE

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
TIRANE – Gjashtë biznesmenë u arrestuan dje me urdhër të Prokurorisë së Tiranës të akuzuar për vjedhje dhe abuzime me skemën e rimbursimit të TVSH-së nga organet e tatim-taksave. Burimet e Prokurorisë kanë thënë se me kërkesë të Njësisë Task- Forcë në organin e akuzës në Tiranë, gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg për administratorët e disa kompanive private që kryejnë aktivitet në mbledhjen dhe përpunimin e skrapit, të përfshira në një skemë mashtruese rimbursimi me TVSH. Sipas burimeve, arrestimet janë kryer në vijim të hetimeve të nisura disa javë më parë nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Në këtë hetim, në dhjetor 2013, janë vënë në pranga edhe disa administratorë të tjerë. Prokuroria tha se në vijim të hetimeve për këtë skemë mashtruese rimbursimi, e cila dyshohet se i ka shkaktuar dëm shtetit në vlerën e 26 milionë dollarëve (29.01.2014) është vendosur arresti dhe janë ekzekutuar vendimet për biznesmenët Sokol Shatko, i lënë në “arrest me burg” nga gjykata, pronar i kompanisë “Kolmar”; Besnik Daci, i lënë në masën “arrest me burg”, pronar i kompanisë “T.H&M”; Roland Simolla, i lënë nga gjykata në “arrest me burg”, pronar i kompanisë “Binet”; Xhelil Toshi, i lënë nga gjykata në “arrest me burg”, pronar i kompanisë “Eram & XH.T”; Pashako Muha, i lënë nga gjykata në masën “arrest në shtëpi”, pronar i kompanisë “Anilko 2012” dhe biznesmeni Petrit Terziu i arrestuar dje në mesditë. Sipas Prokurorisë, këta persona akuzohen se kanë kryer veprat penale “falsifikim të dokumenteve”, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, si dhe “mashtrim”. Kompanitë e të arrestuarve, të konsideruara të nivelit II, sigurojnë sasi skrapi duke e blerë nga shtetas të ndryshëm, nga fitimi i tenderëve të ndryshëm për blerje hekuri për skrap (kryesisht nga demontimi i ish-fabrikave të ndryshme), apo nga subjekte të tjera. Shumica e këtyre subjekteve, të konsideruara të nivelit III, janë të regjistruar si në QKR, ashtu edhe në Tatime në mënyrë fiktive, vetëm për të tërhequr blloqet me fatura TVSH-je në drejtoritë rajonale të tatimeve, dhe përdorimin e këtyre blloqeve, duke lëshuar fatura shitjeje me TVSH fiktive, për shitje skrapi, për subjektet e nivelit II. Fiktiviteti i faturës qëndron në faktin se është bërë vetëm lëshim i faturës tatimore të shitjes, për efekt të kreditimit të TVSH-së, nga subjektet e nivelit të dytë, pa dërguar në fakt mallin (skrapin). Nisur nga këqyrjet e vendeve të ushtrimit të aktivitetit, deklarimet e shtetasve dhe deklarimet në sistemin informatik të Tatimeve etj., rezulton se shumica e subjekteve të nivelit III janë krijuar nga vetë administratoreët e subjekteve të nivelit të II, kjo duke shfrytëzuar njohjet e tyre me persona me gjendje të rëndë ekonomike, persona të panjohur në shoqëri, apo persona që nuk kaneë fare dijeni mbi legjislacionin tatimor dhe pasojat që sjellin këto krijime Niptesh, të cilëve, kundrejt pagesave në shuma të vogla u kanë marrë dokumentacionin personal, si pasaportë, kartë identiteti etj. dhe me këtë dokumentacion kanë bërë regjistrimet e subjekteve në QKR e për rrjedhojë edhe në Tatime, dhe më pas kane tërhequr në drejtoritë rajonale të tatimeve edhe blloqet me faturat e TVSH-së.

Të arrestuarit
. Sokol Shatko    “Arrest në burg”,
            kompania “KOLMAR” sh.p.k.

. Besnik Daci    “Arrest në burg”,
            kompania “T.H&M” sh.p.k.

. Roland Simolla     “Arrest në burg”,
            kompania “Binet” sh.p.k.

. Xhelil Toshi    “Arrest në burg”,
            kompania “Eram & XH.T”

. Pashako Muha    “Arrest në shtëpi”,
            kompania “Anilko 2012” sh.p.k.

. Petrit Terziu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura