“Rimbursim automatik i TVSH për kompanitë pa risk”

May 31, 2016 | 14:47
SHPËRNDAJE

Qeveria miraton këtë javë vendimin për rimbursimin e TVSHsë në mënyrë elektronike për biznesin eksportues. Rimbursimi do të përfitohet në mënyrë automatike dhe pa kontroll, me përjashtim të biznesit që ka të regjistruar risk kontrolli.

Ministri Arben Ahmetaj
Ministri Arben Ahmetaj

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, deklaroi dje pas mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë se eksportuesit brenda 30 ditëve do të përfitojnë rimbursimin automatik të TVSH-së.

Ahmetaj sqaroi se përfitues janë 2 mijë kompani. “Dua të ndaj me ju një lajm të mirë që këtë javë do të dalë një vendim i Këshillit të Ministrave, që ka të bëjë me rimbursimin automatik të eksportuesve, të cilët do të përfitojnë rimbursim automatik edhe kur janë në kontroll brenda 30 ditëve dhe janë gati 2 mijë kompani që janë pulsi i eksportit shqiptar”, deklaroi Ahmetaj. Ministri i Financave sqaroi edhe zbatimin e urdhrit nga Doganat për zhdoganimin e mallrave turke dhe kineze vetëm nëpërmjet Doganës së Tiranës, ku, sipas tij, është nxjerrë për shkak të riskut të lartë të këtyre mallrave.

“Kam dhënë një urdhër që kontenierët e këpucëve dhe veshjeve tekstile do të zhdoganohen vetëm në Tiranë, për shkak se janë mallra me risk të lartë dhe kontrolli doganor në qendër ka më shumë fokus, ka më shumë kontroll, ka më shumë skanim dhe faktet tregojnë që janë rritur më shumë deklarimi dhe të ardhurat”, tha kreu i Financave.

PAKETA

Ahmetaj përsëriti edhe një herë lehtësitë për biznesin nga thjeshtimi i procedurave që do të miratohen në muajin korrik. Kreu i Financave kujtoi 2 ndryshimet e paketës fiskale. “Për sa i përket paketës, unë jam duke diskutuar edhe me zotin Braçe si kryetar i komisionit për detajet e paketës. Ka shumë opinione që kanë ardhur nga ai vetë dhe komisioni. Ka të bëjë me thjeshtëzimin e procedurave tatimore, elementin e parë që do t’i jepet të drejtë sipërmarrjes të bëjë vetëkorrigjim pa penalitete për periudhën 3 deri në 5 vjet. E dyta nuk do të ketë kontroll të thelluar pa u njoftuar 45 ditë, kështu e vendosëm në diskutimin që patëm me zotin Braçe, 45 ditë njoftim dhe gjatë kësaj periudhe ka të drejtë të vetëkorrigjohet pa penalitete”, u shpreh Ahmetaj.

Në korrik bashkë me paketën fiskale, Ministria e Financave do të përfshijë edhe lehtësitë për sektorin e minierave.

“Renta minerare është në proces, kemi të paktën një muaj që diskutojmë me Ministrinë e Energjetikës, jemi në konsulta me zotin Braçe për shkak të eksperiencës dhe pozicionit të tij, pra në muajin korrik do të jetë paketë e tërë”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri i Financave foli për herë të parë edhe për Komisionin e Apelimit të gjobave, për të cilin po shqyrtohet mundësia të kalojë në varësi të Ministrisë së Financave, kërkesë e vazhdueshme e biznesit. “Apeli tërhiqet në Ministrinë e Financave, bëhet kolegjial me një bord të gjerë, jemi duke pritur edhe nga komisioni komentet. Pra ka një set me lehtësime, të cilat bëjnë diferencë në klimën e biznesit”, shpjegoi Ahmetaj.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura