Rilindje apo Ringjallje e të vdekurve politikë!

Jan 31, 2013 | 12:08
SHPËRNDAJE

FATOS HOXHA

Në rrjetin social “Facebook” po lexoja një status të një anëtari të Kryesisë së LSI-së, i cili po ankohej se LSI–ja i kishte dërguar një ftesë Partisë Socialiste për të marrë pjesë në tryezën për dhunën ndaj gruas. PS-ja, në po të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë, i ishte përgjigjur duke organizuar tryezën për “dhunën ndaj gruas”! Anëtari Ylli i LSI-së ankohej se kjo nuk është hera e parë që i vjedhin idetë. Por më shumë se “vjedhja e idesë” së LSI-së të bën përshtypje diçka tjetër. Idetë nuk kanë copyright dhe mund të “vidhen”. Por duhet treguar pak kujdes. Nuk mund të vidhet çdo ide. Që PS–ja, Partia më e madhe e opozitës, të organizojë tryezë për dhunën ndaj gruas, kjo është normale. Por kur tryezën e “dhunës ndaj gruas” e organizon kryetari i saj, kjo të kujton proverbin “Në shtëpinë e të mbyturit nuk flitet për litarin”! Është anekdotë në Tiranë fakti se bashkëshortet e zotit Rama kanë provuar dhunë, dhunë fizike dhe ca më keq, dhunë psikologjike! Rama foli gjatë për dhunën ndaj gruas, në stilin “bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”! Dhuna ndaj femrës në Shqipëri është problem i ndjeshëm dhe nuk të vjen e keqja nga tryezat e shumta të partive apo ngo-ve qofshin këto edhe tryeza që zhvillohen, në të njëjtin hotel, në të njëjtën orë dhe me të njëjtën temë, dhe ku të ftuarat ngatërronin sallën e partive! E keqja qëndron te demagogët e tipit Rama, që aktron në fytyrë dhimbje për dhunën ndaj grave dhe çdo grua me të cilën ai ka punuar (Bashki, parti) është dëshmitare e dhunimit psikologjik… Me afrimin e zgjedhjeve do të shohim tryezat e radhës, por po ndalem pak te tryeza për rendin publik! PS dhe Rama bërtasin për rendin, por duhet të tregohen pak të kujdesshëm me dekorin. E çfarë besueshmërie mund të krijosh kur flet për rendin dhe në krah mban Gramoz Ruçin, ministrin e fundit të regjimit komunist më 1990-n, dhe njeriu që nuk arriti të vendosë rend në shtëpinë e tij? I vetmi kontribut për rendin është regjistrimi i djalit si “kontingjent krimi” në polici. Çfarë rendi u premton shqiptarëve kur në krahun tjetër mban Luiza Xhuvanin dhe Arta Daden? Bijtë e të cilëve kanë qëlluar, kanë marrë jetë njerëzish e kanë plagosur qytetarë të pafajshëm, por që janë dënuar më pak se ç’dënohet një i ri tjetër për armëmbajtje pa leje. Çfarë rendi do të vendosë PS-ja kur na paraqet si ekspert për Policinë drejtuesin e saj lokal në Tiranë, Pjerin Ndreun, i përjashtuar nga radhët e Policisë në kohën që qeverisnin socialistët për lidhjet e tij të ngushta me krimin?!
Imagjino që njerëz të tillë jo vetëm që flasin për rendin, por thonë se kanë program për rendin publik! Tryeza e ardhshme mund të jetë për Drejtësinë. Në krah të tij mund të jenë dy ish-prokurorë të Përgjithshëm. Zoti Dhori Sollaku, ish-prokurori i Përgjithshëm, tashmë anëtar i Asamblesë së PS-së dhe ndoshta edhe ish-prokurorja tjetër, Ina Rama, ndaj të dyve zoti Rama ka borxhe se nuk i futën asnjë gjemb në këmbë gjatë kohës që drejtonin Prokurorinë. Përkundrazi, dosjet e krimit jo vetëm i lanë në gjumë, por i bënë dhe një varrim madhështor! Megjithatë, PS-ja kërkon të vijë në pushtet që të vendosë drejtësi me prokuror Dhori Sollakun! Tryezat e radhës së Zotit Rama (ekonomi, kulturë, bujqësi etj.), vetëm sa do të na qartësojnë portretin e Rilindjes!
Në ekonomi, për të lehtësuar dhimbjet e (Ri)lindjes do të kemi profesor doktor Anastas Angjelin! Në bujqësi do të rilindim me Agron Dukën. Në rend do të kemi Gramoz Ruçin, Pjerin Ndreun me kompani, në politikën e jashtme do të Rilindim me Arta Daden dhe në Kulturë do të Rilindim me Luiza Xhuvanin! Në politikën e PS-së, pak a shumë Rilindja është e qartë: do të kemi në listën e sigurt Skënder Gjinushin, Paskal Milon, Spartak Ngjelën, Petro Koçin, Ndre Legisin dhe veteranë të tjerë. Kjo nuk është Rilindje, është Ringjallje e të vdekurve… politikë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura