Reforma zgjedhore, numërim elektronik në zgjedhjet e 2013

Mar 31, 2012 | 14:21
SHPËRNDAJE
Komisioni i Reformës Zgjedhore

Komisioni i Reformës Zgjedhore ka miratuar dje me konsensus aplikimin për herë të parë të numërimit elektronik të votave në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013. Komisioni ka miratuar gjithashtu me vota unanime edhe kapitullin e zonave të qendrave të votimit. Në mbledhjen e djeshme dy kapitujt e rëndësishëm, përveç miratimit të PD-së dhe PS-së, kanë marrë dhe “bekimin” e partive të vogla, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Në draftin e miratuar adresohen një sërë kërkesash ndaj kompanisë që do të marrë përsipër aplikimin e sistemit elektronik të numërimit të votave në 2013-n. “Sistemi elektronik i numërimit përbëhet nga tërësia e pajisjeve elektronike, kompjuterike dhe e programeve të ndryshme informatike, nëpërmjet të cilave në mënyrë automatike e të pavarur realizohet numërimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit, si dhe nxjerrja e rezultatit zgjedhor”, thuhet në draftin e miratuar me konsensus nga maxhoranca dhe opozita. Komisioni kërkon që sistemi elektronik të provohet 60 ditë para zgjedhjeve dhe të shihet mundësia që kompania të kontraktohet edhe për zgjedhjet në vijim. Një tjetër klauzolë e rëndësishme është dhe numërimi manual i fletëve të votimit, në rastet kur nuk është i mundur numërimi elektronik. Një vendim i tillë duhet të merret nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me një shumicë të cilësuar votash. “Numërim i çdo flete të votimit në mënyrë të njëpasnjëshme dhe pa i dëmtuar ato; proces përpunimi të fletës nga pajisja, të mund të vëzhgohet me sy të lirë; nxjerrje e rezultatit të zgjedhjeve për qendrën e caktuar të votimit dhe ZAZsë; ruajtje e imazhit të çdo flete të votimit të skanuar; ndarje fizike e fletëve të vlefshme dhe të pavlerësuara; shfaqje e imazhit të fletës së pavlerësuar që kërkon vlerësim manual; prodhim i tabelës së rezultatit për çdo QV, ZAZ dhe rekordet e vendimmarrjes, të hedhura në sistemin elektronik të numërimit”, thuhet në draftin e miratuar nga palët.
QENDRAT E VOTIMIT
Në zgjedhjet e ardhshme nuk do të lejohet votimi në qendrat që kërkohet të vendosen në banesa private. Anëtarët e Komisionit të Reformës kanë specifikuar se votimi në qendrat private do të aplikohet vetëm në rastet kur në zonën zgjedhore mungojnë ambiente publike, si shkolla apo palestra. Vetëm në mungesë të këtyre ambienteve, do të caktohen ambientet private të cilat më parë do të inspektohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të miratohen me dakordësinë e partive politike.

KOMISIONI I REFORMËS ZGJEDHORE
Fundi i muajit prill është afati i fundit që të përfundohet reforma zgjedhore. Deri më tani, Komisioni i Reformës ka miratuar rreth 7 kapituj, të cilët janë konsideruar si problematikë në zgjedhjet e 2009-s dhe 2011-s. Komisioni i Reformës ka ende për diskutim disa pika të “nxehta”, që kanë të bëjnë me rikompozimin e KQZ-së, caktimin e zonave zgjedhore dhe sistemin zgjedhor.

NDRYSHIMET NË KODIN ZGJEDHOR
Numërimi elektronik i votave

– Numërimit i çdo flete të votimit në mënyrë të njëpasnjëshme dhe pa i dëmtuar ato;
– Procesi i përpunimit të fletës nga pajisja, të mund të vëzhgohet me sy të lirë;
– Nxjerrja e rezultatit të zgjedhjeve për qendrën e caktuar të votimit dhe ZAZ-së;
– Ruajtjen e imazhit të çdo flete të votimit të skanuar;
– Ndarjen fizike të fletëve të vlefshme dhe të pavlerësuara;
– Shfaqjen e imazhit të fletës së pavlerësuar që kërkon vlerësim manual;
– Prodhimin e tabelës së rezultatit për çdo QV, ZAZ dhe rekordet e vendimmarrjes, të hedhura në sistemin elektronik të numërimit;
– Prova e numërimit zhvillohet 60 ditë para zgjedhjeve, në prani të publikut;
– Numërimi manual, në raste përjashtimore me vendim të KQZ, kur nuk përdoret sistemi elektronik;
Qendrat e votimit .
Qendrat e votimit, selitë e KZAZ-ve dhe vendi i numërimit të votave, për aq sa është e mundur, krijohen në ndërtesa publike me hyrje të lirë. . Qendrat e votimit, selitë e KZAZ-ve dhe vendi i numërimit të votave nuk mund të krijohen:
a) në ndërtesa private, pa vendim të KQZ-së. Në çdo rast qendra e votimit nuk mund caktohet në banesa private;
b) në ndërtesa që përdoren nga administrata publike, me përjashtim të institucioneve arsimore, kulturore dhe shëndetësore; ose:
c) në ndërtesa që përdoren apo janë në pronësi, pjesërisht ose tërësisht, të një partie politike, kandidati, të afërmve të tij, ose kanë shërbyer si zyra elektorale gjatë fushatës zgjedhore.
– KQZ mund të caktojë qendra votimi në ndërtesa private kur nuk ka mundësi objektive për të përdorur një ndërtesë publike në zonën e qendrës së votimit ose në një zonë qendre votimi fqinje. Propozimi për caktimin e tyre paraqitet me dy objekte alternative, planimetrinë përkatëse ose fotografi të ambientit, një përshkrim për lehtësirat që ofron objekti për zhvillimin normal të zgjedhjeve dhe që plotëson kriteret e përcaktuara në këtë nen. Bëjnë përjashtim rastet kur nuk është e mundur gjetja e një objekti alternativ.
– Me kërkesë të një anëtari të KQZ-së, administrata e KQZ-së kryen verifikimin përkatës në terren dhe paraqet një raport për plotësimin e kushteve të parashikuara në këtë Kod apo në akte të tjera. Vendimi merret në konsultim me përfaqësuesit e akredituar të subjekteve në KQZ. Një kopje e vendimit të KQZ-së afishohet qartë në hyrjen e QV-së apo VNV-së përkatëse në ditën e votimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura