Reeker: Shans i humbur me Presidentin, kujdes SHISH e Prokurorinë

Jun 30, 2012 | 13:50
SHPËRNDAJE

Philip Reeker

Zv.ndihmëssekretari i Shtetit: Nishani, mik i SHBA.

“Nishani ka përgjegjësi për mbrojtjen e SHISH dhe të Prokurorisë. Reformat, para pushimeve”

Zv.ndihmëssekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker, thotë se një nga përgjegjësitë e rëndësishme të Presidentit të ri në Shqipëri është ruajtja e pavarësisë së institucioneve të tjera të vendit, siç janë shërbimet e zbulimit apo Prokuroria e Përgjithshme.
Pas zgjedhjes së Presidentit të ri, politikanët shqiptarë duhet t’i rikthehen plotësimit të rekomandimeve të Bashkimit Europian për të marrë statusin e kandidatit. Zgjedhja e Presidentit, thotë zyrtari i lartë amerikan, ishte një rast i humbur që palët të tregonin aftësinë për konsensus.
Zoti Reeker, në Shqipëri, gjatë zgjedhjes së Presidentit të ri, pati shumë manovra politike. Pritshmëria ishte që Presidenti të siguronte më shumë se sa votat e koalicionit qeverisës. Kjo nuk ndodhi. Cili është mendimi juaj për mënyrën se si u zgjodh Presidenti i ri?
Së pari më lejoni të uroj Presidentin e ardhshëm Bujar Nishani për zgjedhjen në këtë post. Ai është një mik i Shteteve të Bashkuara. Ne, përmes Ambasadës sonë, kemi punuar nga afër me të, kemi pasur marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi kur ishte ministër i Drejtësisë dhe më parë i Brendshëm. Ky bashkëpunim, shpresojmë, do të vazhdojë edhe në të ardhmen në postin e tij të ri, të rëndësishëm. Presidenca ka përgjegjësi të rëndësishme, siç është mbrojtja e pavarësisë së institucioneve në demokracinë e Shqipërisë, si shërbimi i zbulimit apo Prokuroria e Përgjithshme, institucione që bashkëpunojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Kryerja e kësaj detyre është e rëndësishme për Presidentin dhe ne mendojmë se është e rëndësishme që ai të punojë nga afër me komunitetin ndërkombëtar, në një kohë që ne mbështesim Shqipërinë për të ardhmen e saj euroatlantike dhe synimet e saj të integrimit të plotë në familjen euroatlantike.
Po e riformuloj pyetjen. Pati shumë përpjekje para zgjedhjes zë zotit Nishani që Presidenti të merrte më shumë se 71 vota. Kjo nuk ndodhi. Çfarë nënkupton kjo për Shqipërinë dhe për Shtetet e Bashkuara?
Siç e thatë ju, zgjedhja u krye me vota partiake në raundin e katërt. Në këtë kuptim ishte një rast i humbur për të treguar një konsensus kombëtar dhe aftësinë për të bërë kompromis. Thelbi i demokracisë qëndron tek aftësia për të bërë kompromis. Kjo, mendoj, është ajo që pret Bashkimi Europian, që pret populli në Shqipëri. Ne mendojmë se është e rëndësishme që udhëheqësit politikë, nga i gjithë spektri i politikës në Shqipëri, të rifokusohen në punën e tyre. Tani duhet të punojnë për 12 rekomandimet e rëndësishme që Bashkimi Europian ka bërë para më shumë se një viti. Dritarja e mundësisë po mbyllet me shpejtësi. Komisioni Europian së shpejti do të punojë për raportin vjetor, për çështjen e statusit dhe tani është mundësia për të bërë përparim të vërtetë, për tre sektorët jetikë: reformën parlamentare, reformën zgjedhore dhe heqjen e imuniteteve, që të plotësohen kriteret e Bashkimit Europian. Tani që zgjedhja e Presidentit përfundoi, këto çështje duhen mbyllur, idealja do të ishte para pushimeve të gushtit.
Komenti juaj për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, “…një mundësi e humbur…” është thënë edhe nga zyrtarë europianë. Para katër vjetësh, dy politikanët që po përballen tani, zoti Berisha dhe zoti Rama, i ndryshuan së bashku ligjet. Sot, pas katër vjetësh, zoti Berisha është në pushtet dhe i ka votat. Këtu në Amerikë, Presidenti bën përpjekje maksimale për t’i fituar të dyja dhomat e Kongresit. Përse i kërkohet Shqipërisë të bëjë kompromis?
Shqipëria ka disa çështje kyçe që duhet të realizojë nëse dëshiron të vazhdojë në rrugën drejt anëtarësisë në BE. Duhet të bëhen kompromise të rëndësishme, që përfshijnë dialogun politik, që përfshijnë një nivel të caktuar debati të qytetëruar, që përfshijnë rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile. Në një farë mënyre, Shqipëria është me fat që Bashkimi Europian i ka caktuar 12 rekomandime jetike, mbi të cilat duhet të përqendrohen politikanët dhe institucionet qeverisëse. Bashkimi Europian pret të shikojë aftësinë e demokracisë së Shqipërisë për të ecur përpara. Jo të shikojë pas, por të shikojë drejt së ardhmes që institucionet dhe forca e demokracisë të përdoren për të plotësuar kriteret e nevojshme drejt rrugës europiane. Kjo është ajo që duan Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë. Ambasadori Arvizu ia ka bërë këtë mëse të qartë, si publikisht edhe privatisht, udhëheqjes shqiptare.
Le të përqendrohemi për pak çaste te roli dhe ndihma e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë. Ambasadori Arvizu është shumë i përfshirë në zhvillimet politike në Shqipëri. A mendoni se një përfshirje e tillë është “e shëndetshme” për Shqipërinë? A është ajo e nevojshme dhe çfarë do të thotë kjo për stadin në të cilin ndodhen zhvillimet demokratike në Shqipëri?
Ambasadori Arvizu, ashtu si ambasadorët para tij dhe ne këtu në Uashington, jemi përpjekur të jemi miq të mirë të Shqipërisë. Ne kemi marrëdhënie të forta, i vlerësojmë këto marrëdhënie dhe shpresojmë t’i vazhdojmë marrëdhëniet e forta në të ardhmen. Përparësia jonë politike, që është në përputhje me synimet e deklaruara të Shqipërisë, është ta ndihmojmë Shqipërinë të arrijë anëtarësinë në Bashkimin Europian. Për ta arritur këtë, së bashku me partnerët tanë europianë, ne japim këshilla bazuar në përvojën tonë, se si t’i arrijnë dhe plotësojnë kriteret për anëtarësi. Ambasada jonë është shumë e angazhuar përmes programeve të ndihmave apo nismës së fundit të ambasadorit Arvizu “Vepro tani”, që përqendrohet në rëndësinë e shoqërisë civile në demokraci dhe që është pritur mjaft mirë. Shqipëria është një demokraci e re. Shtetet e Bashkuara janë një demokraci e vjetër dhe ne ende mësojmë, ne kemi përvoja që mund t’i ndajmë dhe mund t’i ofrojmë, dhe kjo është ajo që bëjmë përmes Ambasadës, përmes programeve të ndihmave, në partneritet me institucionet shqiptare dhe partnerët tanë europianë.
Dua t’i rikthehem edhe një herë asaj që përmendët ju në fillim lidhur me rolin e Presidentit, për të siguruar pavarësinë e institucioneve të tjera në Shqipëri. Sa të shqetësuar jeni ju për pavarësinë e institucioneve në Shqipëri? Kjo është përsëritur mëse një herë nga zyrtarët amerikanë.
Është diçka që duhet ndjekur. Shqipëria është demokraci, ka Kushtetutën dhe institucione që në disa raste janë nën mbikëqyrjen e Presidentit. Këto janë institucione të rëndësishme, si shërbimet e zbulimit, Prokuroria e Përgjithshme apo roli i rëndësishëm për vendosjen e shtetit ligjor. Kjo është jetike jo vetëm për afrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por edhe për statusin e saj në komunitetin ndërkombëtar, kjo është ajo që shpresojnë investitorët e huaj dhe të tjerët nga Shqipëria. Dhe në këta sektorë ne kemi ofruar ndihmën tonë, kemi ofruar mendimin tonë të sinqertë. Kjo është ajo që kërkon shpesh populli shqiptar, që të ketë përmirësim, që të ketë mbrojtje sipas Kushtetutës për të realizuar perspektivën demokratike të Shqipërisë.
ARBEN XHIXHO

Apeli i KE, Fyle: Koha e pakët për reformën zgjedhore
Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Stefan Fyle, deklaroi se pret të bashkëpunojë ngushtë me Presidentin e zgjedhur shqiptar, Bujar Nishani, në mënyrë që vendi të përmbushë reformat për integrimin. Komisioneri për Zgjerimin tha se partitë politike shqiptare duhet të mobilizohen pasi koha në dispozicion është e pakët dhe se detyrat janë sfiduese. “Presidenti në Shqipëri u zgjodh dhe ne e kemi uruar atë. Tashmë presim të bashkëpunojmë dhe përpara kemi një axhendë mjaft ambicioze. Shpresoj që Presidenti dhe forcat politike të mobilizohen për përparësitë kyçe të vendit në mënyrë që reforma të ecë përpara dhe vendi të fitojë statusin e vendit kandidat. Koha është e pakët dhe detyrat janë sfiduese. Mendoj se nuk është e mirë për Shqipërisë, por dhe për rajonin, humbja e një viti tjetër”, tha Stefan Fyle, komisioneri për Zgjerimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura