Redon Makashi: Martesa, jo se s’kam dashur, por s’më ka ecur

Sep 30, 2012 | 13:08
SHPËRNDAJE

Do të ngelet një nga emrat më të dashur të skenës shqiptare edhe për shumë vite për shkak të origjinalitetit. I vlerësuar me shumë çmime, këngë e shumë albume të realizuara, Redon Makashi në një intervistë dhënë në Maqedoni pas koncertit në Tetovë, tregon se i ka ngelur peng që të gjithë miqtë e tij janë martuar, kurse ai ende nuk ka krijuar një familje për shkak të gjërave të cilat ashtu kanë ecur. Së shpejti ai së bashku me Elton Dedën dhe Aleksandër Gjokën do të sjellin një koncert në Pallatin e Kongreseve për 100-vjetorin e pavarësisë.
 Si i rezistoi Redoni kaq shumë vite tregut muzikor?
Nuk dua të bëj këngë komerciale për një moment, dua të bëj këngë që t’i rezistojnë kohës. Kjo është kryesorja.
Cilat janë planet në një të ardhme të afërt?
Kam në plan të bëj këngë të reja, tani me atë po merrem dhe dua që t’i nxjerr shumë shpejt. Besoj që nga fundi i vitit do bëj ndonjë material të ri dhe ndonjë videoklip, por me albume dhe konkurime e kam mbyllur për këtë vit. Kemi një projekt për të bërë një koncert me Aleksandër Gjokën dhe Elton Dedën, dhe mendojmë ta bëjmë në Pallatin e Kongreseve për 100-vjetorin e Pavarsisë. Ndoshta do e bëjmë nga nëntori ose dhjetori.
Jeta private si po shkon?
Kjo është pyetja që gazetarët gjithmonë kur e bëjnë e ulin zërin (qesh), dhe e bëjnë pasi të pyesin për aktivitete dhe shumë pyetje të tjera. Unë vazhdoj të mos kem një lidhje martesore, sepse kam pasur dhe historitë e mia dhe aktualisht jemi duke fluturuar. Nuk e kam krijuar një familje, kur gjithë miqtë e mi janë martuar. Dikur edhe unë doja ta ndërmerrja këtë hap të madh, por kanë shkuar punët ashtu siç kanë shkuar.
Megjithatë është dikush që ka kapur zemrën e Redonit që ende fluturon vetëm?
Jam shumë i dashuruar në radhë të parë me muzikën, ajo është e dashura ime më e fortë. Ndërkohë që me ndonjë të dashur ka ca kohë dhe jemi ndarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura