Raporti për terrorizmin, DASH: Korrupsioni dhe gjyqësori pengojnë zbatimin e ligjit në Shqipëri

Apr 30, 2014 | 21:35
SHPËRNDAJE

DASH

UPDATE- Raporti vjetor (2013) për terrorizmin i Departamentit të Shtetit thekson se ndryshimi në qeveri nuk ndikoi në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë kundër terrorizmit, ku administrate e re vazhdoi marrëdhënien e fortë të bashkëpunimit të vendit me SHBA.

“Institucionet e qeverisë shqiptare kanë qenë në dijeni prej vitit 2012 që një grup i vogël shqiptarësh kanë udhëtuar për të luftuar në Siri.”- thotë raporti.

“Në përgjithësi, ndonëse Shqipëria ka vullnetin politik për të bashkëpunuar me vendet në rajon për nismat anti-terrorizëm, asaj i mungoi kapaciteti për të vënë në zbatim kontrolle të efektshme. Korrupsioni, bashkë me një sistem gjyqësor që funksionon keq, vazhdoi të pengonte përpjekjet e Shqipërisë për zbatimin e ligjit. Shqipëria nuk ka kapacitetin të grumbullojë të dhëna biometrike përveç atyre që gjenden në kartat e identitetit biometrike që paraqiten në pikat e kalimit të kufirit. Të dhënat e gjurmëve të gishtave nga migrantët klandestinë grumbullohen, por jo të gjitha pikat e kalimit të kufirit janë të pajisura me skanera me lidhje të drejtpërdrejtë, çka çon në vonesa në përfshirjen e gjurmëve të gishtave në baza të dhënash elektronike apo identifikimin e individëve mbi bazën e të dhënave nga gjurmët e gishtave”- thuhet ndër të tjera në raport.

Është bërë përparim, thekson raporti,  por mbetet punë për t’u bërë për të përforcuar kuadrin për bashkëpunim ndërkombëtar lidhur me financimin për terrorizmin dhe për të siguruar dhe vënë në zbatim një kuadër ligjor të përshtatshëm për identifikimin, gjurmimin, dhe ngrirjen e aseteve nga terrorizmi. 

Më tej theksohet se, qeveria e Shqipërisë iu kundërvu përdorimit të ligjërimit ekstremist të dhunshëm që tentonte të shfrytëzonte besimet fetare, si dhe angazhoi në mënyrë aktive Komunitetin Islamik Shqiptar, organi zyrtar administrative i komunitetit musliman shqiptar sunit.

Ndërkaq, në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit theksohet se al-Kaida dhe partnerët e saj vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura