Raporti i SOROS: Të ndryshojë formula e zgjedhjes për Presidentin

Aug 31, 2014 | 16:25
SHPËRNDAJE

Nishani dhe Ruçi gjatë takimit të djeshëm në Presidencë

Një pikë e rëndësishme e raportit të fondacionit “SOROS” është zgjedhja dhe kompetencat e Presidentit. Ekspertët e fushës gjykojnë se disa amendamente të vitit 2008 të miratuara me konsensus PD-PS, duhet të rishikohen. 

Një prej tyre është mënyra se si zgjidhet Presidenti i Republikës. “Amendamentet e prillit 2008 duhet të rishikohen me qëllim që të restaurohen zgjidhjet e mëparshme ose të korrigjohen efektet e pamenduara anësore që krijuan ndryshimet në formulën e zgjedhjes së Presidentit dhe në mekanizmin e votëbesimit të qeverisë. Shihet si një nevojë akute ndërhyrja për ndryshimin e formulës aktuale për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në mënyrë që të bëhet i mundur roli bashkues dhe ndërmjetësues i këtij institucioni, ashtu siç e ka paramenduar Kushtetuta e vitit 1998”, thuhet në raport. Në vlerësimin e konstitucionalistëve që kanë hartuar dokumentin, reformimi i institucionit të Presidentit nuk mund të mendohet i shkëputur nga pjesa tjetër e institucioneve kushtetuese. “Çdo ndryshim apo reformë duhet konceptuar në funksion të regjimit qeverisës në tërësi të zgjedhur nga sovrani dhe të frymës së Kushtetutës të miratuar prej tij. Presidenti ka një pozitë delikate përballë të dyja grupeve: forcave politike, të cilave duhet t’u imponohet në interes të grupit të dytë që janë qytetarët”, theksojnë ekspertët. Përveç formulës së zgjedhjes së Presidentit, një tjetër pikë ku juristët ndalen në këtë kapitull të Kushtetutës është ajo e kompetencave të kreut të shtetit. Sipas tyre, megjithëse nuk voton në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kreu i shteti ka të drejtë të emërojë gjyqtarët. E njëjta situatë për të është edhe me prokurorët, por në këtë rast nuk është kryetar i Këshillit të Prokurorëve. “Amendimi i Kushtetutës mund të jetë një mundësi e mirë për të rishikuar disa nga kompetencat që Presidenti i Republikës ushtron me organe të tjera. P.sh. qenia kryetar i KLD dhe gjithashtu kompetenca për të emëruar gjyqtarët, pavarësisht faktit që nuk voton në mbledhje. E njëjta kompetencë vlen dhe për emërimin e prokurorëve, ku në fakt Presidenti nuk është në krye të Këshillit të Prokurorëve. Përderisa kemi një President joqeverisës dhe një Gjyqësor të pavarur, a është i nevojshëm drejtimi i KLD nga Presidenti i Republikës?”, është pyetja që ngrenë ekspertët lidhur me këtë kompetencë të kreut të shtetit.

Shumicë e cilësuar për zgjedhjen e gjyqtarëve
Kapitulli i Gjyqësorit preket gjerësisht në këtë raport, por edhe pritet të diskutohet për një kohë të gjatë në Kuvend gjatë hartimit të draftit me amendamente. Sipas ekspertëve, votimi i anëtarëve të gjykatave me shumicë të cilësuar duket si një mekanizëm kushtetues që garanton më shumë pavarësi për institucionet kushtetuese dhe në veçanti për Gjyqësorin, për më tepër kur formula e zgjedhjes së Presidentit të Republikës është thjeshtëzuar. Megjithatë, ata kanë nxjerrë një listë me avantazhe dhe disavantazhe që duhen mbajtur parasysh gjatë rishikimit të dispozitave. Sa u përket avantazheve të zgjedhjes së gjyqtarëve me jo më pak se 71 vota, juristët mendojnë se “krijon një ekuilibër midis pushtetit të shumicës dhe mbrojtjes së të drejtave të pakicës; i shërben rritjes së pavarësisë dhe paanshmërisë së Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, që është esenciale për misionin kushtetues që ato kryejnë; i jep kandidaturës së përzgjedhur një konsensus më të gjerë të ligjvënësve dhe jo mbështetjen e ngushtë e të njëanshme të një fraksioni politik; rrit transparencën si dhe forcon besimin e publikut ndaj procesit të votimit, por edhe vetë kandidaturës së zgjedhur; krijon premisat për shmangien e një përbërje të politizuar të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe e çliron kandidaturën nga presioni i zgjedhësit”. Ndërsa në pikën e disavantazheve thuhet: “Miratimi me shumicë të cilësuar i gjyqtarëve të lartë: mbart rrezikun e bllokimit nga pakica parlamentare, me synim bërjen e presionit dhe maksimizimin e leverdisë politike në arritjen e konsensusit; forcon në mënyrë disproporcionale pozitat e pakicës parlamentare; mund të bëhet shkak për vonesa në procesin e emërimit dhe plotësimit të vendeve vakante të Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Gjykatës së Lartë”. Teksa për zgjedhjen e gjyqtarëve ekspertët anojnë nga shumica e cilësuar, ata propozojnë ndryshimin e formulës së zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili aktualisht propozohet nga Presidenti dhe votohet nga Kuvendi. “Një ide plotësuese në këtë kuadër është edhe ajo që kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet të zgjidhet me votim të fshehtë nga vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sipas procedurës dhe afatit të përcaktuar në ligjin organik”. Ndërsa për Gjykatën e Lartë thuhet se “hidhet ideja e rishikimit të mënyrës së formimit emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, duke i pozicionuar njëlloj me të tjerët në pushtetin gjyqësor, por me disa procedura të veçanta emërimi me afat, ku aktorët politikë të mos luajnë rol në përzgjedhje”.

 ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura