Raporti i CIA: Masat terroriste të Tiranës zyrtare në ’50

Mar 31, 2013 | 15:57
SHPËRNDAJE

Dokumenti i sotëm i siguruar në arkivin amerikan të operacioneve klandestine, është një analizë shumë interesante e ardhur nga shefi i Shërbimit Sekret Jugosllav, e njohur si UDB-ja, mbi situatën në Shqipërinë e fillimit të viteve 1950. Ai bën fjalë për një takim të nivelit të larte të Shërbimit amerikan me atë jugosllav për të diskutuar çështje me interes të dyanshëm mbi vendet komuniste të bllokut sovjetik. Jugosllavia, e cila kishte pasur probleme të shumta me sovjetikët, sidomos pas rezolutës së famshme të Kominternit, tashmë kishte filluar bisedime të fshehta me perëndimorët për të siguruar mbijetesën në kushtet e një agresioni sovjetik. Takimi të cilit i referohet dokumenti, ka pasur si temë kryesore edhe Shqipërinë dhe është fokusuar mbi pikat e forta dhe të dobëta të regjimit të Enver Hoxhës. UDB-ja, e cila e njihte mjaft mirë situatën në Shqipëri, bën një analizë realiste mbi faktorët që e mbanin në këmbë Enver Hoxhën, duke analizuar të gjithë faktorët e brendshëm të forcës së tij. Kjo analizë e ardhur nga kundërshtaret më të ashpër të Hoxhës në atë periudhë historike, bëhet akoma më interesante kur mëson një sërë çështjesh të cilat, me sa duket, jugosllavët i kushtonin shumë rëndësi, si çështja e Kosovës. Nga dokumenti rezulton se Enver Hoxha po i shqetësonte seriozisht jugosllavët me deklaratat e tij për një shkëputje të mundshme të Kosovës me ndihmën e sovjetikëve. Nëse këto deklarata janë bërë seriozisht apo jo duhen parë me kujdes, por duket se UDB-ja jugosllave i trajtonte këto deklarata me shumë kujdes. Interesant është fakti se synimet e Hoxhës mbi Kosovën me sa duket për jugosllavët mund të sillnin bashkimin e faktorëve shqiptarë edhe jashtë vendit me idenë e një bashkimi të ardhshëm, idetë të cilën sipas jugosllavëve ishin shumë të ngjashme me Xhaver Deven, një nga armiqtë më të mëdhenj të Hoxhës.

TOP-SEKRET

Pasi përfundoi analizën mbi pikat e dobëta të regjimit të Hoxhës, zoti S. filloi të jepte një analizë të hollësishme të Shërbimit të tij Sekret mbi pikat e forta të regjimit të Hoxhës:

PIKAT E FORTA TË REGJIMIT TË HOXHËS

Është interesant fakti se numri i anëtarëve të Partisë Komuniste në emigracion në Jugosllavi, apo edhe në vende të tjera, është shumë i vogël. Kjo vjen si rezultat i lidhjeve shumë të forta ideologjike me revolucionin komunist edhe prej atyre që janë tashmë të përjashtuar nga Partia. Partia është përgjegjëse për çlirimin e vendit dhe ndryshimet ekonomike dhe sociale. Po kështu, nuk duhet të harrojmë se përveç kontrollit të Partisë, Hoxha kontrollon Ushtrinë dhe Policinë. Kur flasim për Shqipërinë e sotme, duhet të kemi parasysh ndryshimin thelbësor të Partisë Komuniste shqiptare me partitë e tjera komuniste, të cilat nuk udhëhoqën luftën çlirimtare, fakt ky që shpesh nënvlerësohet. Me gjithë përjashtimet nga Partia dhe me gjithë tradhtitë e shkaktuara nga duart e regjimit të Hoxhës, përsëri Partia është një faktor që duhet të merret në konsideratë kur diskutohet çështja shqiptare. Kur liderët e dikurshëm apo njerëzit me influencë në Shqipëri iu dorëzuan italianëve apo u larguan nga vendi, Partia Komuniste qëndroi dhe luftoi. a. Analiza jonë është se masat e gjera në Shqipëri janë shumë të interesuara mbi arritjet e revolucionit. Prandaj çdo sulm frontal kundër Partisë konsiderohet si një sulm kundër këtyre arritjeve, si dhe kundër indipendencës kombëtare. Duhet të kihet parasysh fakti se përgjatë reformave agrare në Shqipëri, mbi 70 mijë fshatarë morën tokë, tokë e cila më përpara ishte në duart e atyre që sot ndodhen në emigracionin politik shqiptar jashtë vendit. Duke njohur psikologjinë e fshatarëve, duhet të kemi parasysh se ata (fshatarët) do të luftojnë për tokën e tyre dhe për ata që ua dhanë këtë pasuri(tokë). Slogani i komitetit “Shqipëria e Lirë”, “Vdekje komunistëve!”, plus fakti që personat që e përdorin këtë slogan janë të ata të cilët kishin tokën që aktualisht u është shpërndarë fshatarëve. Prandaj është e natyrshme që fshatarët do të luftojnë kundër ish-pronarëve të tokave për të mbrojtur tokën, të cilën ata tashmë e kanë në pronësi. b. Emigrimi masiv nga Shqipëria pas Rezolutës së Kominternit, si dhe një aktivitet intensiv nga jashtë Shqipërisë i ka detyruar autoritetet shqiptare të ndërmarrin masa drastike, shpesh edhe terroriste. Arrestime në masë, internime të ndryshme, si dhe metoda dënimi të rënda, krijimi i kampeve të përqendrimit, forcimi i Policisë Sekrete, si dhe armatosja masive e popullsisë civile, apo edhe krijimi i brigadave të Policisë Speciale, janë disa nga masat e marra të cilat janë mbikëqyrur personalisht nga Mehmet Shehu. Të gjitha këto kanë dhënë efekt në masat e gjera të popullsisë shqiptare, si dhe kanë sjellë demoralizimin e tyre të përgjithshëm. Konsolidimi i Policisë Sekrete ka sjellë si rezultat që të gjitha përpjekjet për rrëzimin e regjimit të Hoxhës po ndërmerren nga jashtë. Ndërkohë, të gjitha këto aktivitete nga jashtë janë të lidhura me shërbimet sekrete respektive, një fakt ky i cili i ka dhënë mundësi Enver Hoxhës për t’i përshkruar grupet politike në emigracion dhe ekipet e tyre të dërguara brenda Shqipërisë si flamurmbajtës të agresionit të huaj dhe një kërcënim i pavarësisë kombëtare dhe cenimit të integritetit tokësor shqiptar. c. Në fazën e dytë të konsolidimit, të ndërmarrë vitin e kaluar nga autoritetet shqiptare, ata kanë filluar të lëshojnë të burgosur si dhe të internuarit, dhe në disa raste edhe duke i armatosur ata. Fshatarë të armatosur, të cilët janë besnikë të autoriteteve, i përdorin armët në ndjekje të grupeve të spiunazhit të infiltruar në brendësi të vendit nga jashtë.

(Artikullin e plotë nga AURON TARE e lexoni ne numrin e sotem te gazetes Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura