Ramela Koleci, kampionia e notit që u bë Miss

Aug 31, 2013 | 15:34
SHPËRNDAJE


Ajo është 21 vjeçe dhe jeton në Patra të Greqisë që nga mosha 4-vjeçare. Mbasi mori pjesë në konkursin e bukurisë “Miss Shqipëria”, ku fitoi edhe kurorën e “Miss Turizmit”, producenti Petri Bozo e pa Ramelën si kandidaturë të përshtatshme për një konkurs ndërkombëtar bukurie që do të zhvillohet më 6 shtator në Minsk të Bjellorusisë. Aty Ramela do të përfaqësojë bukurinë e të gjitha trevave shqiptare. Por, le të mësojmë më shumë mbi këtë vajzë e cila krahas fashës së Miss-it, është dhe kampione në sport…
Është larguar nga Shqiperia fare e vogël. Prindërit punonin që vajzës të mos i mungonte asgjë. Gjuhën e nënës e fliste vetëm me të motrën. Aktivizohet që në moshën 6-vjeçare në not dhe një ditë, ajo bëhet atlete e garave të thellësisë. Ramela është fituese e disa çmimeve dhe medaljeve në kampionatet kombëtare të Greqisë dhe në aktivitete ndërkombëtare për moshat e reja. Zakonisht ky sport të privon prej hireve femërore, por tek ajo ndodhi e kundërta. Tashmë ajo ishte një vajzë që mund të ngjitej pa frikë, krahas podiumeve sportive, edhe në pasarelat e modës.
Një vit më parë ajo u kthye në Shqipëri. E donte tokën ku kishte lindur, por nuk e njihte. Gjatë një cikli reportazhesh televizive, ajo u pa si një personazh interesant që bënte rolin e fotografes… pastaj plazhet, udhëtimet, ngjitjet në  mal, shoqet dhe shokët e rinj në Tiranë, e bënë edhe më të hapur. Kish kohë që mendonte, bluante diçka… e ndjente se mund ta bënte!
Te “Mis Shqipëria 2013” Ramela Koleci ishte një prej 31 vajzave të kualifikuara mes 150 bukurosheve nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora. Në skenën e improvizuar në Kalanë e Bylisit ajo shkëlqeu me tërë hiret e bukurisë shqiptare… Sportive, tërheqëse, e veshur me shije, meriton fashën e “Miss Turizmit”.
Një tjetër tur në Shqipërinë e Jugut, por tashmë si personazh i një cikli dokumentaresh që së shpejti do të transmetohen në TVSH. Ajo ka fituar shumë brenda një viti. Por, ka mbetur ashtu e thjeshtë, ndonëse e vlerësuar. Një ftesë për një kompeticion ndërkombetar dhe producenti e regjisori Petri Bozo nuk ka ngurruar për ta vënë Ramelën përballë bukurosheve të botës. Presim çfarë rezultati do të marrë atje vajza shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura