Rama: Turp që midis nesh kanë dalë kundër rritjes së gjobave

Oct 31, 2014 | 12:30
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama ishte i ashpër dje ndaj deputetëve të tij, të cilët i kanë cilësuar të ekzagjeruara gjobat e reja rrugore të propozuara nga Ministria e Brendshme. “Ne nuk jemi këtu për të vënë gjoba sociale dhe është turp që midis nesh të ketë njerëz që të imagjinojnë nocionin e gjobës sociale. Kush shkel semaforin, duhet të paguajë dhe do të paguajë një faturë të kripur që të mos e shkelë prapë”, tha Rama në seancën plenare. Në Komisionin e Ligjeve, deputeti Bashkim Fino e ka cilësuar jo normale faktin që Policia Rrugore nuk aplikon gjobat, por heqjen e patentës së shoferëve për 6 muaj apo dhe 1 vit për ata që kalojnë semaforin e kuq, pasi sipas tij këta shoferë po mbeten pa punë. Xhemal Qefalia i ka cilësuar gjobat e Policisë Rrugore të papranueshme për nivelin e të ardhurave në Shqipëri. Sipas tij, nëse për të njëjtën kundërvajtje në Itali paguhen 60 euro, përse në Shqipëri duhet të paguhen 400 mijë lekë?! Ndërsa deputeti Pandeli Majko i ka cilësuar gjobat e larta si burim të korrupsionit. Ai ka akuzuar një pjesë të policëve rrugorë, të cilët i quajti “Kafkafolës”, që sipas tij e kanë mendjen vetëm te paratë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve i quajti skandaloze disa gjoba që kishte mbi tavolinë, duke i quajtur “gjoba shqiponje”, pasi sipas tij, pa asnjë kriter, çdo njësi policie vendos gjoba rrugore. Por, edhe deputetët Ben Blushi, Paulin Sterkaj, Pjerin Ndreu, Arta Dade etj. kanë kundërshtuar propozimet e Ministrisë së Brendshme për rritjen e gjobave për shoferët që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura