Rama: Drejtësia primitive, një turp i përbashkët
Barroso: Fuqizimi i gjyqësorit, me rëndësi kritike

Jun 30, 2014 | 20:26
SHPËRNDAJE

Takimi ne Gjykaten e Krimeve te Renda

UPDATE- Primitive dhe një turp të përbashkët e cilësoi sot kryeministri i Edi Rama, sistemin e drejtësisë në vend gjatë një konference të përbashkët me Presidentin e Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Rama premtoi se shumë shpejt do të nisë punën reforma në drejtësi, ku janë të gjithë të ftuar për të dhënë kontributin e tyre. Hapat, theksoi ai, duhet të jenë të shpejtë dhe të vendosur për të dalë nga kjo fazë e sistemit të drejtësisë që është një turp i përbashkët.

Vizita e Barrosos në këtë institucion, vijoi kryeministri, lidhet drejtpërdrejtë me sfidën e jashtëzakonshme që kemi të gjithë bashkë për të kaluar edhe një fazë të një drejtësie primitive, në një fazë të një drejtësie europiane. Rama, shtoi se drejtësia është sot problemi më i madh me të cilin na identifikojnë miqtë dhe partnerët. Kjo, tha ai, duhet të jetë një sfidë e  fituar, falë së cilës ne të bëhemi pjesë e BE-së.

“Një proces që askush nuk do ta bëjë për ne, atë që ne duhet ta bëjmë vetë, krijimin  kushteve që drejtësia të japë drejtësi, të mos jetë një pazar që kush ka para blen mallin që do, dhe kush nuk ka kthehet me gisht në gojë, ku çekiçi të mos jetë një armë për të marrë një jetë, me kriminelë që falë këtij çekici dalin dhe vrasin njerëz, por të jetë instrumenti që  populli merr drejtësi dhe bën drejtësi. Njerëzit e drejtësisë të mos identifikohen me horrat që nën togën e  zezë të gjyqtarit janë në këtë shoqëri edhe më të rrezikshëm se kriminelët. Sepse nëpërmjet një mandati që kanë shkelin kushtetutën dhe ligjin, për të lehtësuar rrugët e krimit, dhe duke u bërë bashkëautorë në krim.”- tha Rama.

Në fjalën e tij, vetë Barroso tha se për Bashkimin Evropian, fuqizimi i pushtetit gjyqësor në vend ka një rëndësi kritike. Gjykata dhe gjyqësori, tha ai, janë shumë të rëndësishme për konsolidimin e shtetit të së drejtës në vend.

“Kjo gjykatë ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në luftën kund krimit, korrupsionit, dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë. E kam kuptuar kohët e fundit, kompetencat e kësaj gjykate janë zgjeruar edhe më tej. Këto ndryshime, do ta vënë theksin në punën e mëtejshme që duhet bërë në luftimin e këtyre veprave penale, krimit dhe korrupsionit. Ne po ashtu besojmë që në mënyrë që gjykata të jetë efikase duhet patjetër bashkëpunim mes institucioneve. Gjykata duhet të punojë ngushtësisht me agjencitë e zbatimit të ligjit, dhe me ILDKPN-në. 150 milionë euro asistencë financiare janë dhënë, dhe kjo është dëshmi e rëndësisë së sistemit gjyqësor, por edhe angazhimit të Shqipërisë në BE. Në të gjitha takimet që kam bërë në Tiranë kam theksuar rëndësinë kritike që ka fuqizimi i pushtetit gjyqësor në vend.”- tha ai.

Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori falënderoi zotin Barroso për kontributin e pakursyer që BE ka dhënë për gjyqësorin në vitet e fundit, nëpërmjet programeve të ndryshme. Megjithatë, theksoi Zaganjori, pavarësisht reformave që janë bërë dhe që kanë sjellë mjaft përmirësime, situata paraqitet në disa drejtime mjaft problematike.

“Besimi i publikut, mbetet mjaft problematik. Ka probleme, ashtu siç theksohet në të gjitha raportet, në forcimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Me kontributin që gjyqësori duhet të japë për shtetin e së drejtës, forcimin e demokracisë, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave, duhet të ngrihet në një stad më të ri. Shpreh bindjen se edhe bashkëpunimi i mëtejshëm do të jetë më konkret dhe më i afërt. Në bashkëpunim me ekzekutivin dhe legjislativin, të bëjmë çfarë është e mundur, që defektet, problemet që konstatohen në formimin e shtetit të së drejtës, të përmirësohen. Kemi nevojë për reforma, ndryshime që janë të domosdoshme. Ju siguroj për angazhimin serioz të gjyqësorit në realizimin e objektivave që na jep kushtetuta dhe ligji.”- theksoi Zaganjori.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura