Rama: Shqipëria do të jetë në krah të SHBA

Oct 31, 2013 | 13:14
SHPËRNDAJE

Rama gjatë takimit me Hoyt Yee
Kryeministri Rama, gjatë takimit me zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit për çështjet e Europës dhe Euroazisë, Hoyt Yee, garantoi se Shqipëria do të jetë në krah të SHBA-ve. “Në takim u vlerësua kontributi i Shqipërisë në shërbim të paqes e sigurisë globale. Kryeministri Rama e siguroi zyrtarin e lartë amerikan se Shqipëria do të jetë në krah të SHBA, në përpjekjet e përbashkëta për promovimin e paqes dhe sigurisë në botë”, thuhet në njoftimin të Kryeministrisë pas takimit. Kreu i qeverisë shqiptare e ka njohur zyrtarin amerikan me programin dhe prioritetet e qeverisë shqiptare, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri është ndalur edhe në operacionin më të fundit të Policisë së Shtetit për bllokimin e lojërave të fatit që ushtronin aktivitetin në mënyrë të paligjshme. Hoyt Yee e siguroi Kryeministrin Rama për mbështetjen e SHBA-ve në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe mirëpriti progres-raportin e Komisionit Europian që rekomandon statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Në takimin që ministrja e Mbrojtjes Kodheli pati me zyrtarin e lartë amerikan, është ndalur te situata e vështirë financiare që ka në këtë dikaster. “Ne jemi në vështirësi të mëdha financiare. Dypërqindëshi nuk mund të arrihet. Kjo nuk do të thotë që nuk do të realizojmë objektivat. Ne jemi të vendosur të rritim eficiencën dhe të luftojmë korrupsionin pa kompromis”, është shprehur ministrja Kodheli. Por zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit këmbënguli në rritjen e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes për të arritur standardet e NATO-s. “Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, – theksoi ai, – pavarësisht nga situata e rëndë financiare, duhet të shënojë një rritje”. Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, e garantoi ministren Kodheli për mbështetjen e padiskutueshme të SHBA ndaj Shqipërisë, duke u shprehur se “Ne do ju mbështesim në proceset integruese të Shqipërisë në BE dhe për këtë kemi folur me partnerët tanë europianë për çeljen e negociatave në dhjetor për marrjen e statusit të vendit kandidat”.

Basha: Po sfidohet shteti ligjor
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, paraqiti dje para zv.ndihmëssekretarit të Shtetit për çështjet e Europës dhe Euroazisë, z. Hoyt Brian Yee, qëndrimet e opozitës lidhur me sulmet e maxhorancës ndaj institucioneve të pavarura dhe shkarkimet në administratë. Gjatë takimit në selinë e PD-së, zyrtari i lartë amerikan shprehu interes për të dëgjuar qëndrimin dhe vlerësimet e opozitës në lidhje me konsolidimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik të vendit, situatën politike dhe të ardhmen e dialogut politik midis qeverisë dhe opozitës. Sipas tij, është jashtëzakonisht i rëndësishëm e jetik roli i një opozite të fortë e konstruktive për mbarëvajtjen e demokracisë. “Basha shprehu shqetësimin e opozitës për sfidimin e hapur të shtetit ligjor, fushatën e sulmeve që maxhoranca ka ndërmarrë ndaj institucioneve të pavarura si dhe për klimën e panikut përsa i përket situatës financiare e fiskale në vend, keqadministrimin e financave dhe pasurive publike të shqiptarëve, të parashikuara edhe në aktin normativ për buxhetin”, thuhet në njoftimin e PD-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura