Rama: Serbia po na parakalon në BE

Feb 29, 2012 | 11:06
SHPËRNDAJE

Kreu i PS, Edi Rama

Kreu socialist akuzon maxhorancën për dështim në përmbushjen e prioriteteve të BE-së për statusin.

Bushati: Nga 12 prioritetet, vetëm Avokati i Popullit u realizua.

Kryetari socialist, Edi Rama, akuzoi dje qeverinë dhe Kryeministrin Berisha për dështim të përsëritur për statusin e vendit kandidat në BE. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Rama solli në vëmendje përparimin e Serbisë drejt statusit të vendit kandidat dhe mbetjen e Shqipërisë larg plotësimit të prioriteteve. “Ajo çka kurrë s’duhet të kishte ndodhur, po ndodh! Shqipëria jo vetëm parakalohet nga Serbia në një proces ku objektivisht gjendej shumë më përpara disa vite më parë, por rrezikon të mbetet përsëri jashtë, duke dështuar si askush tjetër në historinë e integrimeve europiane të vendeve të dala nga shpërbërja e perandorisë komuniste. Për të tretën herë radhazi, Kryeministri po mundohet të fshehë dështimin e tij shembullor duke ngritur mjegullën e fajësimit të opozitës”, u shpreh Rama. Duke bërë një përmbledhje të ecurisë së punës në komisionet parlamentare për ligjet me 3/5-at, Rama tha se nuk është e mjaftueshme që këto procese të ecin përpara vetëm me ligje të miratuara në Parlament. “E kemi thënë që në krye të herës se statusi i kandidatit nuk merret vetëm duke miratuar ligjet me 3/5-at, dhe ja ku jemi në miratimin e pjesës më të madhe të tyre, falë angazhimit të plotë të opozitës parlamentare, sepse integrimi s’është vetëm miratim ligjesh, por edhe implementim ligjesh, shtet ligjor, drejtësi e barabartë për të gjithë, luftë reale kundër krimit dhe korrupsionit, shoqëri e lirë me transparencë, konkurrencë dhe meritokraci. Fatkeqësisht, nuk ka mjaftuar dot për një notë më të mirë për Shqipërinë as angazhimi ynë total për përfundimin në afat të reformës zgjedhore, ashtu sikundër parashihte dakordësia e nëntorit në praninë e partnerëve europianë, teksa afati tanimë është shkelur dhe reforma është në hapat e parë për shkak të zvarritjes së qëllimshme nga ana tjetër”, shtoi Rama. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, Ditmir Bushati, i bëri një përmbledhje situatës në të cilën ndodhet procesi i realizimit të 12 prioriteteve të BE-së. “Deri më sot është në gjykimin tonë, e realizuar, vetëm gjysma e prioritetit që ka të bëjë me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ndërkohë që vazhdon i njëjti qëndrim refraktar për sa i përket mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ka një qëndrim shumë të qartë të Komisionit Europian, që i është bërë me dije qeverisë shqiptare dhe Komisionit për Integrimin Europian për mënyrën se si nuk duhet të zgjidhen më anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë, pra për të shmangur procesin e politizimit që është vënë re në Parlament. Kam kërkuar që Komisioni i Ligjeve të shprehej në mënyrë konsensuale për t’i adresuar këto çështje sipas shqetësimit të Komisionit Europian. Kjo rezultoi e pamundur. Dje jam vënë në dijeni të një letre të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, që më sqaron edhe një herë qëndrimin zyrtar të PD dhe jo një qëndrim të njehsuar të Komisionit të Ligjeve, i cili kuptohet që është në kundërshtim me të gjitha sugjerimet që ka bërë Komisioni Europian në këtë drejtim”, u shpreh Bushati.

Lezha
Kreu socialist ishte dje pasdite në qytetin e Lezhës, ku ka marrë pjesë në anëtarësime të reja të të rinjve në PS. Në vijim të takimeve që po zhvillon në qytetet kryesore të vendit, Rama ka shpërndarë 326 karta anëtarësie. “Në riregjistrimin nga e para të PS Lezhë, ku janë bërë 326 anëtarësime të reja! Shifër inkurajuese, siç ishte inkurajues takimi me rreth dyqind prej tyre”, shprehet Rama në Twitter.

Seanca
Grupi Parlamentar socialist vendosi dje që të votojë kundër shumicës së ligjeve, që do të jenë në rendin e ditës në Kuvend të enjten. Kjo vjen si rrjedhojë e qëndrimeve të kundërta të socialistëve në komisionet respektive. Gjithashtu është kërkuar që në 60-minutëshin e diskutimeve të lira të mbizotërojë 21 janari dhe padia e vëllait të Hekuran Dedës bërë në Prokurori.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura