Rama: S’jemi parti filogreke, Saliu i fali detin Greqisë

Nov 30, 2011 | 8:58
SHPËRNDAJE

Kreu i PS: Qeveritë socialiste të Fatos Nanos dhe Pandeli Majkos mbështetën UÇK-në, shtypi i PD e quante lëvizje marksiste

 

Ta nisim bisedën për librin. Pse i duhet një politikani që është ende aktiv dhe i cili është edhe ndër pretendentët për të marrë pushtetin, të shkruajë një libër për të treguar një dekadë nga puna e tij?
Praktika e shkrimit të librave nga njerëz të politikës është praktikë e njohur në botën demokratike. Nuk është praktikë shqiptare, por le të bëhet edhe një praktikë shqiptare. Nuk ka më mirë që të shtohet edhe një rrugë tjetër komunikimi përmes fjalës së shkruar më gjatë se sa që lejon një artikull në gazetë.
Gjatë shfletimit të librit gjithmonë të shkon mendja te pjesa e këngës së “West Side Family” – “aty ku kryetari duhet të flasë me megafon”. Kam përshtypjen sikur libri, ndër të tjera, është dhe një shfryrje e mllefit tuaj për gjithë ato gjëra që jo pak shqiptarë mendojnë se kanë shkuar si mos më keq, ndërkaq keni ndarë dhe idetë tuaja se si të bëhen gjërat më mirë?
Nuk do ta quaja mllef, por do ta quaja më shumë një ngarkesë emocionale, por edhe intelektuale për t’u ndarë nga të tjerët në kushtet kur, për arsye të njohura, kjo ngarkesë u bë më se e mjaftueshme që të mos mbetej thjesht brenda meje. Është një libër i shkruar për të ardhmen, duke e parë atë në pasqyrën e së shkuarës.
Libri ka shkaktuar kundërthënie të shumta në Shqipëri, ndërkaq ne jetojmë në një kohë kur qasja në internet është e lehtë dhe jo e kushtueshme në Shqipëri dhe Kosovë dhe nga ku njerëzit bombardohen me opinione të ndryshme rreth librit. Cili besoni se është argumenti juaj më i fuqishëm që t’u thoni njerëzve që të harrojnë ato që thuhen e ta lexojnë librin?
Për të mos krijuar një ide të gabuar duke dëgjuar komentet e të tjerëve, por për të krijuar secili idenë e tij përmes leximit të drejtpërdrejtë. Sigurisht që librat komentohen, por nuk shkruhen për t’u komentuar, por për t’u lexuar…
E di që në fillim të librit e keni sqaruar arsyen pse i keni dhënë librit titullin “Kurban”, por do të donim që ta sqaroni vetë dhe për lexuesin e “Zërit”? Kush është kurbani?
Kurbani është një ngjarje e ndodhur me të cilën fillon libri dhe besoj që është një moment, i cili e definon një kornizë për librin dhe për këtë arsye unë kam preferuar që ta titulloj librin “Kurban”…, pra duke marrë shkas edhe nga një ngjarje.
Nuk jeni ju kurbani? E dimë që librin keni vendosur ta shkruani pasi përfundimisht keni hequr dorë nga përpjekjet, siç thoni, për ta ruajtur Bashkinë e Tiranës që ua vodhi pushteti, ndërkohë tërheqja juaj është bërë pas ndërhyrjeve të bashkësisë ndërkombëtare. Nuk e ndjeni veten se jeni bërë kurban i disa lojërave politike të fuqive të mëdha?
Nuk ka lidhje kjo me fuqitë e mëdha, të them të drejtën. E vërteta është se pavarësisht nga dukja paradoksale, ajo që ndodhi me Tiranën krijoi kushtet për kursin tonë të ri politik, sepse demaskoi plotësisht një proces dhe një sistem zgjedhjesh të pandershme që sot është në fokusin e të gjithëve si një domosdoshmëri për të ndryshuar. Në rast se kjo do të kishte ndodhur pas vitit 2009, edhe kursi ynë do të kishte qenë i tillë shumë kohë më parë, por për shkak se kjo nuk ndodhi, pra ne mbetëm për një kohë jo të shkurtër dëshmitarë të vetëm të vjedhjes së 2009-s, ishim detyruar të silleshim ashtu siç u sollëm, sepse vetëm ashtu mund të garantonim opozitarizmin në Shqipëri dhe mund të garantonim ekuilibrin e domosdoshëm pluralist në Shqipëri. Sot jemi në kushte të tjera. Sa i përket pjesës tjetër të pyetjes tuaj, unë nuk jam kurbani, sepse unë jam edhe këtu para jush. Mbase kam shkruar një libër dhe me gjithë energjinë dhe pasionin e nevojshëm për ta çuar përpara betejën politike.
Zoti Rama, ju keni qenë i njohur shumë edhe në Kosovë që nga koha kur për herë të parë jeni bërë kryetar i Tiranës e më pas jeni bërë edhe një nga lojtarët kryesorë të politikës në Shqipëri, dhe kjo normalisht që ka dhe ndikimin e vet në Kosovë. Por për ju, sa zë vend Kosova në këtë 11- vjeçarin tuaj që e keni shkruar edhe në libër?
Si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Kosova ka zënë vend si një prani e rëndësishme vizitorësh në Tiranë, të të gjitha moshave, kryesisht të rinj. Flas për këtë edhe në libër… Ata më kanë dhënë një pjesë të çmuar të kënaqësisë së suksesit të transformimit të Tiranës. Sigurisht që të mos ndodhnin transformimet në Tiranë, edhe prania e tyre nuk do të kishte qenë ajo që u bë dhe u rrit me kalimin e viteve. Si drejtues i Partisë Socialiste dhe opozitës, Kosova ka zënë një vend shumë të rëndësishëm në agjendën tonë politike dhe në përpjekjet e mia politike. Ne modestisht kemi dhënë atë që na ka takuar të japim në mbështetje të proceseve historike që e kemi pasur fatin t’i jetojmë dhe të udhëheqësve politikë në Kosovë, pa dallim. Megjithatë, dihet se ju jeni personi më i paragjykuar në Kosovë. E kemi parë edhe në disa paraqitjet tuaja publike këtu në Kosovë është dashur që të sqaroni qëndrimet tuaja edhe një herë rreth çështjeve si puna e autostradës, apo edhe kur jeni përballur me atë nëse PS është parti filogreke…
Keni një qëndrim pse ndodh kjo?
Unë nuk i vë faj absolutisht opinionit këtu, që është viktimë e një strategjie djallëzore e manipulimit e orkestruar nga Saliu në Tiranë me qëllimin e njollosjes të opozitës shqiptare dhe të personit tim, i vënë përpara akuzës së rëndë për korrupsion me Rrugën e Kombit. Ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër Rrugës së Kombit. Unë e hedh me neveri këtu në Prishtinë këtë akuzë të ulët, ashtu sikundër e nënvizoj se nuk ka qenë absolutisht nevoja që kjo rrugë strategjike për kombin tonë të kthehej edhe në një autostradë të korrupsionit ku të devijoheshin qindra miliona euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë që pa dallim – socialistë, demokratë, pa parti, kanë kontribuar për ndërtimin e saj. Për më tepër, ideatori i Rrugës së Kombit është sot në lidershipin e PS, Kryeministri Pandeli Majko, i cili kur e nisi këtë përpjekje, u keqtrajtua me shpoti e me të qeshura nga pala që sot rreh gjoks me Rrugën e Kombit. Besoj se qëndrimi ynë është i qartë dhe i thjeshtë, por propaganda e shfrenuar dhe balta që është hedhur sistematikisht mbi ne, sikur gjoja ne qenkemi kundër rrugës apo sikur gjoja që paskam thënë unë se kjo është rruga e asgjëkundit, një shpifje shumë e ulët e kanë bërë të vetën.
Po mirë, pse nuk jeni përgjigjur me të njëjtën fushatë që të sqaroni këtë çështje?
Ne kemi përsëritur sa herë kemi folur për këtë rrugë qëndrimin tonë, por të mos harrojmë që burimet e propagandës së qeverisë janë shumë më të mëdha sesa tonat dhe për më tepër, prirja natyrale për t’u besuar këtyre burimeve këtu në Kosovë është më se e kuptueshme.
Kujtojmë para disa javësh një nga lajmet kryesore dhe më të komentuara ka qenë një deklaratë që supozohet se është bërë nga Arta Dade: “Shqipëria nuk duhet të prishë marrëdhëniet me Serbinë për shkak të Kosovës”. Njerëzit në Kosovë thoshin: ja edhe një argument pse socialistët nuk janë fare të interesuar për Kosovën.
Çështja do të ishte kështu nëse do të ishte e vërtetë. Edhe kjo është një shpifje, e pra kështu ndodh që burimet e informimit infektohen nga makinacione të tilla, të cilat nuk i themi ne, por i thotë qeveria, i thotë Saliu, e pastaj përhapen nëpërmjet rrugëve të komunikimit për ta ndotur dhe sunduar mjedisin mediatik, ku edhe krijohet opinion. Ju përmendët pak më parë që këtu PS shihet si parti filogreke, por ka një shembull konkret edhe për këtë, që është shembulli i sjelljes të diametralisht kundër të atyre që i bien gjoksit si shqiptarë të mëdhenj që janë në qeveri dhe që me një firmë i falën Greqisë 300 kilometra katrorë det Shqipërie dhe tonën që e ngritëm këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkuam anulimin e kësaj marrëveshjeje si një marrëveshje kundër interesave kombëtare. Në rast së shohim historinë e këtyre 20 vjetëve pavarësisht kohës kur unë kam qenë në krye të PS, apo kur të tjerët kanë qenë në krye të partisë apo qeverisë, ka një vazhdimësi qëndrimi në funksion të mbrojtjes së interesit kombëtar dhe çështjes së Kosovës nga ana e PS dhe qeverive të saj. Mos të harrojmë se kjo datë e çmuar përkon edhe me lindjen e UÇK-së, e cila u mbështet nga qeveria socialiste e Fatos Nanos e më pas edhe të Pandeli Majkos, pastaj me radhë në procesin e transformim tërësor që solli lufta çlirimtare nga qeveritë socialiste dhe u godit si lëvizje marksiste, u godit si lëvizje kontrabandistësh apo si bandë e armatosur nga shtypi i Partisë Demokratike.

Edi Rama gjate takimit me kryeministrin e Kosoves, Hashim Thaçi

GAZETA “ZERI”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura