Rama, profili i pambushur i opozitarit

Mar 31, 2012 | 12:26
SHPËRNDAJE

SAMI NEZA

Ndërsa ka mbetur edhe një vit nga zgjedhjet parlamentare, ndër shumë dilema apo hamendje për faktorët që do të ndikojnë në rezultatin e tyre  është edhe një që lidhet me profilin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Atij i mbeten vetëm dy vjet për të ushtruar qartë dhe pa hije apo hile rolin e opozitarit.
Megjithëse nuk është kusht i mjaftueshëm për të ardhur në pushtet, stazhi i një opozitari të gjatë, për shkak të përvojave të ndërrimit të pushteteve, mbetet të jetë një ndër kushtet e nevojshme.
Edi Rama është ndër pushtetarët më afatgjatë të politikës shqiptare dhe deri tani opozitari më i freskët. Ai hyri në politikë në vitin 1998, kur u bë ministër Kulture, ndërkohë që protagonizmi i tij kundër qeverisë së Berishës nga ’92-shi deri në ’96-n lidhej kryesisht me artikuj në gazetat e përditshme dhe pa ndonjë kontribut që institucionalizonte praninë e tij brenda strukturave të opozitës. Megjithatë, ishte një opozitar shembullor në mënyrën e vet. Fakti se qëndroi jashtë politikës i jepte mundësi ta kalkulonte jetën e tij në mënyrë të pavarur. Më 1997-n iku në Francë dhe u kthye vetëm me petkun e ministrit. Në vitin 2000 ia doli të fitonte postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës duke u rizgjedhur tri herë me radhë deri në vitin 2011. Ndërkohë që kryente detyrën e shefit të opozitës, ai ishte njeriu me pushtetin më të madh pas Kryeministrit të vendit për gati gjashtë vjet. Gjatë kësaj kohe pleksi pushtetin e Bashkisë me pushtetin e opozitës, pa lënë shijen e një opozitari të qartë, ashtu si edhe vetë Partia Socialiste qarkulloi nga godina tradicionale te zyrat e Bashkisë së kryeqytetit, në një gjendje hibride, mes pushtetit në qendër dhe opozitës në periferi.
Në pushtet mund të vish sërish edhe kur je në pushtet, kështu që nuk është gabim në logjikën politike që nëpërmjet një opozite të ngushtë në kohë të marrësh pushtetin. Por, në rastin e Ramës statura e një opozitari të mbushur me pushtet administrativ ose profili i mangët i një opozitari të qartë ka ndikimet e veta në psikologjinë e ndërtimit dhe veprimit të opozitës përgjatë këtyre viteve dhe në mundësinë e fitores së PS-së në zgjedhjet e vitit 2013.
Së pari, fakti se ka qenë i ndarë mes opozitës dhe pushtetit, Rama pas vitit 2009 ndërtoi një profil radikal të Partisë Socialiste. Kjo e ndihmonte atë për të zhveshur te votuesit idenë se pushteti i PS-së në Tiranë lë në hije shpirtin opozitar të kësaj partie. Ndërkaq, e shkarkonte sadopak kompleksin e Ramës, që ndërsa ishte në rolin e kreut të opozitës, i duhej ndërkohë të ushtronte veset e administratorit në krye të Bashkisë së Tiranës. Ai e angazhoi opozitën në aksione radikale të pasuksesshme, si greva e urisë; në vendime politike obstruksioniste, si bojkoti i Parlamentit që e evidentonte opozitën në pozicione të palakmueshme në një afat të gjatë ndaj integrimit europian të vendit; dhe sulmi i dhunshëm kundër Kryeministrisë, që rikthente mjetet e dhjetë viteve më parë të të bërit opozitë. Të gjitha këto praktika kanë grumbulluar kosto në kurriz të Partisë Socialiste si në raport me ndërkombëtarët, për të cilët dihet se kanë ndikim në orientimin e votës në Shqipëri, por edhe te vetë qytetarët, të cilët mund ta kenë kuptuar strategjinë e zgjedhur nga opozita si strategji për hir të pushtetit dhe jo të transformimeve.
Së dyti, Rama, duke qenë drejtues i rëndësishëm i administratës në Tiranë ndërkohë që ishte shefi i opozitës, bënte vazhdimisht rikoshetë pretendimet e vetë opozitës ndaj qeverisë për keqmenaxhim të vendit. Maxhoranca kishte vazhdimisht një vend ku të barazonte akuzat që i vinin nga opozita. Te kryetari i Partisë Socialiste që ishte në pushtet. Edhe akuza më serioze që opozita ka ngritur ndaj qeverisë nuk është më e rëndësishme ose të paktën nuk ka zënë më shumë vend te publiku se sa akuzat e maxhorancës ndaj Ramës për konflikt interesi apo abuzim në dhënien e lejeve të ndërtimit në Tiranë. Kjo do të ishte gjysma e së keqes për opozitën nëse në Shqipëri akuzat për korrupsion të mos luanin një rol të madh në ndërrimin e pushteteve në vend. Profili gjysmë-opozitar i Ramës përgjatë gjashtë viteve e ka reduktuar shumë efektin e këtij mekanizmi që ndihmon të qarkullojë votën nga votimi në votim. Rama është i akuzuar për korrupsion deri në vitin 2011. Dy vjet janë pak për t’u pastruar prej atyre akuzave ose për t’i vjetruar ato deri në atë masë sa të mos ndikojnë në votat që do të mblidhen për Partinë Socialiste.
Së treti, mbajtja e pushtetit për një kohë të gjatë ka fshirë dukshëm dallimet e lakmueshme prej votuesve të ndërrimit të pushteteve. Jo se ardhja e PS-së në pushtet ka shijen e njëjtë me atë të mbajtjes së pushtetit nga PD, por se ardhja e Ramës si Kryeministër të lë shijen e vazhdimit të pushtetit 13-vjecar të tij pa regjur lëkurën si kolegët e tij në beteja politike të forta me qeveritë, të cilat e kanë për zakon të bëjnë dhe gabime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura