Rama, polemisti që kontrollohet nga Berisha

Jul 31, 2012 | 13:10
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI

Edhe një herë tjetër duket se Berisha e futi në një rrugë pa krye kreun e PS-së me debatin për imunitetet. Edhe pse Rama ka ndërmarrë  edhe më parë hapa që kanë treguar se nuk është kundër heqjes së imunitetit, siç veproi me deputetët Doshi e Bare pas hetimeve për 21 janarin, ai në mënyrë krejt të papritur futet në një hulli politike që nuk është e tija, por e kundërshtarit të tij politik, duke u paraqitur në publik si një person që i ka të vështira marrëveshjet, të paktën ato publike, edhe pse ato tashmë po bëhen në emër të një dëshire mbarëshqiptare, siç është marrja e statusit kandidat për në BE.
Praktikisht, ne të gjithë e dimë se imuniteti u duhet më së shumti deputetëve të opozitës, të cilët parimisht janë personat që në mënyrë publike publikojnë afera, denoncojnë shkelje, abuzime, korrupsion. Por, në këtë rast, të tilla gjëra kanë ndodhur dhe ndaj përfaqësuesve të opozitës nuk ka ndodhur asgjë që mund të kishte provuar domosdoshmërinë e imunitetit. Për më tepër që hezitimi i Ramës nuk është i lidhur me këtë përkujdesje ndaj deputetëve të tij, por ndaj disa ndryshimeve të tjera në Kushtetutë, të cilat kanë të bëjë me emërimet në disa institucione kushtetuese, çka e zbeh edhe gatishmërinë e tij për heqjen e imuniteteve.
Gjithsesi, pak rëndësi kanë kushtet që mund t’i plotësohen Ramës në këtë betejë. Ajo që habit më shumë në këtë histori, është fakti se ai nuk mundet asnjëherë të udhëheqë një lojë politike me shefin e maxhorancës. Rama na shfaqet me qëndrimet e tij si opinionist, a thua se është një analist në një media, e jo një lider i opozitës, i cili duhet t’i shfaqë politikat e tij ndryshe. Duke u shfaqur thjesht një polemist, Berisha e ka pasur të lehtë ta fusë në hullinë e tij politike Ramën në këto vite, duke e çuar në kufijtë e mbijetesës, ose duke e larguar nga shfaqja e një lideri që mbart besimin se jo vetëm që do ta mundë shefin e maxhorancës, por edhe që do të arrijë të bëjë diçka ndryshe. Mirëpo, duke u marrë vetëm me polemika përmes Twiter-it, e sidomos pasi është shfaqur Berisha në TV, ai duket se qëndron pas një ekrani, duke qenë një komentator, por jo një lider.
Mjafton t’u hedhim një sy aleancave të tij politike, ku duket se vetëm e shkuara i mban ende të lidhur, por ku aleatët nuk shfaqin kurrfarë besimi se me Ramën do të arrijnë të mundin Berishën në zgjedhjet e vitit 2013. Dhe të jesh kaq pesimist një vit përpara përfundimit të mandatit të dytë, do të thotë se Rama nuk ka mundur të ndërtojë asnjë strategji për kthimin e një fryme, siç ndodh rëndom në raste besimesh për ndryshime pushteti.
Por, duket se Berisha ia ka arritur ta fusë në lojën e tij politike kryesocialistin, të cilit ia kontrollon nervin politik përmes reagimeve të tij polemiste. Njëkohësisht, duke ndërtuar një divergjencë gati të hapur mes tij dhe aleatëve të tij, Berisha ka mundur deri më sot ta lërë kreun e PS-së që të shfaqet vetëm si kreu i një partie që mund t’i vijë radha për të ardhur në pushtet, për shkak se ndodhin rrotacione politike, por jo se ai shfaqet si fytyra e ndryshimit.
I gjithë ky identikit politik që Berisha ka vizatuar, ndërtuar për Ramën, e bënë këtë të fundit një figurë pesimiste lidhur me të ardhmen politike të mbështetësve të tij. Dhe Rama, në fakt, këtij grepi vijon t’i bjerë, për aq kohë sa publiku e njeh për opinionet e tij, për atë çka thotë Berisha, e jo për atë çfarë do të duhej të bënte ai. Madje, këtij identikiti politik i janë shtuar qëndrimet pas vizitave të ambasadorëve të rëndësishëm në Shqipëri, si ai i BE-së, OSBE-së e SHBA-ve, të cilët janë aty, në derën e Ramës, sa herë shfaqet nevoja e një marrëveshjeje. Ndaj dhe votuesit e tij kanë të drejtë të pyesin: nga cilat këmbë politike varet lideri i tyre?
Për aq kohë sa Rama nuk ka hequr dorë nga polemisti mediatik e të shfaqet si lideri i ndryshimeve, Berisha do ta kontrollojë dhe drejtojë jetën e tij politike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura