Rama: Nuk i bojkotojmë zgjedhjet

Feb 26, 2011 | 13:07
SHPËRNDAJE

Duke nisur turin e takimeve në qytetet kryesore të vendit, nën sloganin “Fajin e ka Saliu”, Rama kërkoi që PS-ja të përgatitet për të fituar në zgjedhjet vendore.  “Jemi dhe do të jemi të patundur në bindjen tonë, të gjithë të vijnë me ne, do të vazhdojmë demonstratat për të larguar këtë pushtet. Meta dhe Berisha ëndërrojnë që PS-ja të bojkotojë zgjedhjet vendore. Por ne do vazhdojmë betejën tonë në rrugë, në Kuvend dhe me zgjedhjet vendore”, u shpreh Rama në Elbasan gjatë një takimi me simpatizantë në kinema “Milenium”.
Duke akuzuar qeverinë e formuar mes PD-së dhe LSI-së për grabitje të pasurive shtetërore, Rama e ka cilësuar edhe njëherë atë si “koalicioni i turpit”. “Ky pushtet po tenton të gllabërojë 1280 pasuri shtetërore. Koalicioni i Berishës me Metën është koalicioni i turpit”, u shpreh më tej Rama. “21 janari, moment tragjik i kësaj historie, ku ndahen qartë qytetarët nga pushtetarët. Më 21 janar ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Arsyeja e hajdutit vrau shqiptarët në panik. Kjo qeveri ka kryer vepra të rënda kundër shqiptarëve. Ky regjim ka përfituar pa numër dhe pa tolerancë. Sot kanë frikë, ndaj Saliu sheh ëndrra me puçe. Për të mbajtur karrigen, Saliu vret shqiptarët me pushkët e Gardës së Republikës. Kemi zgjedhur rrugën për ta shpëtuar Shqipërinë. Shqipëria nuk mund të rrijë edhe nën flamurin e NATO-s, edhe nën flamurin e baltës së korrupsionit”, u shpreh kryesocialisti Rama. Sipas kreut socialist, Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që do t’u kthejë shqiptarëve dinjitetin e marrë peng nga pushteti i korruptuar. “Nuk pranojmë që kjo tokë të kthehet në pronë private. Sot më shumë se kurrë beteja jonë do i japë fund kësaj historie. Do hapim një rrugë të re, ku çdo shqiptar të jetë kryelartë. Jemi e vetmja shpresë për Shqipërinë. Ne do të ndalim pushtetin e varfërisë. Do ndalim grabitjen e këtij vendi, padrejtësinë. Institucionet dhe agjencitë shtetërore ndahen mes koalicionit të turpit. Do u heqim nga duart kusarëve shkollat dhe spitalet. Do u heqim sipërmarrësve nga shpina kërbaçin e pushtetit. Do u japim shqiptarëve një shtet të ri europian. Nuk mund të ketë regjim të denjë për këtë vend, pa larguar këtë regjim të korrupsionit”, u shpreh Rama. Beteja e opozitës sipas Ramës vazhdon “për një Shqipëri më të mirë, për të bërë realitet ëndrrat e tyre dhe jo ato të Saliut, i cili sipas Ramës sheh në ëndërr bojkotin e zgjedhjeve, për t’i grabitur përsëri ato. Prandaj, sipas Ramës, të gjithë duhet të bashkohen në demonstrata paqësore, për t’i thënë ndal kusarisë.

Topi: Gati për dialog mes partive
Presidenti Bamir Topi u shpreh sërish i gatshëm për të iniciuar dialogun me partitë politike për daljen nga kriza. “Presidenti Topi, pasi vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona mike dhe aleate dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e ndihmesën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, ritheksoi gatishmërinë e tij personale dhe institucionale për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm që nxit apo garanton dialogun politik midis palëve politike, si dhe të mirëpresë e të mbështesë propozime konkrete që do të bëjnë të mundur jetësimin e këtij dialogu institucional në shërbim të interesave madhore të vendit”, thuhet në njoftimin për shtyp të takimit të kreut të shtetit me zyrtarin e lartë amerikan. Zoti Stajnberg nënvizoi qëndrimin e SHBA-ve përsa i përket domosdoshmërisë për të rivendosur dialogun politik institucional dhe për shëndoshjen e demokracisë funksionale shqiptare, si dhe të respektimit të institucioneve të pavarura.

Berisha:Vëzhgues të huaj për 8 majin
Kryeministri Sali Berisha tha dje në takimin me zv.sekretarin amerikan të Shtetit, James Stainberg, se vëzhguesit e huaj do të kenë të gjitha hapësirat për të ndjekur dhe garantuar zgjedhjet e 8 majit. “Duke e falënderuar zëvendëssekretarin Steinberg për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që SHBA-të po i ofrojnë Shqipërisë për të garantuar transparencën e zgjedhjeve lokale te 8 majit 2011, Kryeministri Berisha risiguroi zoti Steinberg se qeveria është dhe mbetet tërësisht e hapur dhe e gatshme për t’u ofruar vëzhguesve ndërkombëtarë çdo të drejtë dhe hapësirë ligjore për të garantuar një proces zgjedhor tërësisht transparent dhe që plotëson standardet me të larta ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. Lidhur me ngjarjet e 21 janarit, Berisha e Stainberg kishin të njëjtin mendim për një hetim të plotë e gjithëpërfshirës.

Ina Rama: Hetim i plotë e i paanshëm
Në axhendën e takimeve të zv.sekretarit amerikan të shtetit, James Stainberg, ishte edhe ai me kryeprokuroren Ina Rama. Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së Prokurorisë “Ina Rama, pasi falënderoi zv.sekretarin Stainberg për mbështetjen që SHBA-të i kanë dhënë organit të akuzës në përmbushjen e detyrave të saj në zbatim të ligjit dhe të Kushtetutës, theksoi se Prokuroria mbetet e angazhuar dhe e vendosur në punën e saj për zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit. Duke e konsideruar këtë hetim si mjaft sensitiv në opinionin publik, Prokuroria është shprehur gjithmonë për një hetim të plotë, të paanshëm, profesional dhe gjithëpërfshirës, duke mbetur larg çdo lloj ndërhyrjeje politike”. Stainberg theksoi rëndësinë që Prokuroria, si një institucion i pavarur, të mbetet larg sulmeve dhe ndërhyrjeve politike, në mënyrë që të kryejë me paanësi detyrën e saj kushtetuese.

Edi Rama: Duam garanci për zgjedhjet
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë takimit me zv.sekretarin e Shtetit, Steinberg, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të PS-së, tha se kriza në Shqipëri i ka rrënjët tek zgjedhjet dhe korrupsioni. “Bojkoti,- nënvizoi Rama, -nuk ka qenë kurrë opsioni ynë. Opozita dhe votuesit duan garanci për lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve vendore, ndërkohë që bindja jonë mbetet se zgjidhja e duhur e krizës fillon nga zgjedhje të reja”, u shpreh Rama. Kreu socialist u shpreh se “Opozita do të vazhdojë të kërkojë largimin e qeverisë dhe nuk do t’i ndalojë protestat, ndërkohë që do të japë çdo kontribut për garantimin e zgjedhjeve vendore”. Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, zoti Steinberg, nënvizoi se transparenca është një kërkesë legjitime dhe domosdoshmëri për forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit. Palët duhet të garantojnë ecurinë e procesit politik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pranë Shqipërisë për të vëzhguar nga afër këtë proces, u shpreh zoti Steinberg.

 

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura