Banka Botërore. Kredi 220 milionë USD për pensionet e borxhet

May 31, 2014 | 10:00
SHPËRNDAJE

TIRANE- Qeveria shqiptare nënshkroi dje marrëveshjen me Bankën Botërore për një kredi 220 milionë dollarë.

 Gjatë një ceremonie të mbajtur në ambientet e Kryeministrisë, kreu i qeverisë u shpreh në fjalën e tij se ky financim shënon një fillim të ri dhe do t’i japë një tjetër frymëmarrje ekonomisë. “Do të na japë mundësinë të frenojmë hemorragjinë e madhe ku e gjetëm organizmin e vendit, por edhe mundësinë për të rritur ekonominë tonë”, tha Rama. Ai u shpreh se qeveria do të vijojë në rrugën e reformave të nisura dhe se partneriteti me Bankën Botërore është një përgjegjësi më shumë. Sipas tij, qeveria do të çojë deri në fund zotimet për të cilat i është dhënë edhe financimi dhe kjo do të bëhet nën mbikëqyrjen dhe konsulencën e ekipit të Bankës Botërore në vendin tonë. Kreu i qeverisë nënvizoi se Shqipëria i ka gjithë mundësitë për të ecur para, falë dhe potencialeve, dhe menaxhimi i mirë përbën një avantazh. Zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, Laura Tuck, në fjalën e saj u shpreh se marrëveshja e financimit tregon edhe një herë angazhimin e BB-së në Shqipëri. “Stabilizimi makro-fiskal që keni filluar këtë vit duhet të vazhdojë për një periudhë afatmesme. Reformat kyçe strukturore do të duhet të ndiqen me vendosmëri, sidomos për sa i takon thellimit të ristrukturimit të sektorit energjetik, krijimit të një klime më tërheqëse për investimet dhe rritjes së cilësisë të ofrimit të shërbimeve publike. Dëshiroj t’ju inkurajoj që të ruani bindjen që keni sot për ta çuar vendin përpara, pavarësisht nga zgjedhjet e vështira që kërkon kjo gjë”, tha Tuck.

KREDIA
Banka Botërore i ka ofruar Shqipërisë në total 220 milionë dollarë si kredi. Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme i jep qeverisë 120 milionë dollarë për t’i përdorur për politikën e saj të financimit në pikat më prioritare. “Kjo kredi është e para në serinë e dy kredive të programuara për politikat e zhvillimit. Përmes saj synohet përmirësimi i qëndrueshmërisë fiskale, duke forcuar menaxhimin financiar publik për të adresuar çështjen e borxheve të prapambetura, taksave, pensioneve dhe reformave në sektorin energjetik për të mbështetur stabilitetin makro- fiskal”, thuhet në përshkrimin e kredisë. Maturimi i kredisë ka një afat 23-vjeçar, nga të cilat 7 janë grace(kohë kur nuk bëhet pagesë). Kjo është kredia e dytë e miratuar nga Banka Botërore për Shqipërinë, ndërsa më datë 15 maj Bordi në Uashington miratoi një kredi me vlerë 100 milionë dollarë, që do të shkojë për mbështetjen e sektorit financiar në vend. Edhe për këtë kredi marrëveshja u firmos po dje.

Haxhinasto me Bankën Botërore
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto dhe zv.presidentja e BB, Laura Tuck, zhvilluan dje një vizitë në Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizime të qytetit të Durrësit. Në fjalën e saj Tuck ka shprehur mbështetjen që BB ka dhënë dhe do të japë për projekte të rëndësishme në vend. Ministri Haxhinasto nga ana e tij ka vlerësuar këtë mbështetje, ndërkohë tha se sektori i ujësjellës-kanalizimeve ka nevojë për ristrukturim dhe pikërisht në këtë drejtim do të punohet. 

NERTILA MAHO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura