Rama: Në gusht inspektim në çdo drejtori e zyrë arsimi

Jul 31, 2014 | 11:38
SHPËRNDAJE

Edi Rama
Çdo drejtori dhe zyrë arsimore në vend do të inspektohet gjatë muajit gusht nga Ministria e Arsimit, në mënyrë që të kontrollohen standardet e cilësisë së rekrutimit.
Kryeministri Edi Rama e kërkoi këtë në aktivitetin e organizuar dje me rastin e analizës së 300 ditëve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Kreu i qeverisë u ndal te procesi i pritshëm i akreditimit në universitete, dështimi i eksperimentit me altertekstin, si dhe reforma që po i nënshtrohen kurrikulat duke i përafruar me Bashkimin Europian.
Inspektimet
Për kreun e qeverisë ajo që duhet të përkufizojë emërimet e arsimtarëve, është cilësia e punës dhe merita. Në këto kushte, sipas tij, standard emërimi nuk do të shërbejë asnjë teserë partie dhe asnjë njohje farefisnore, por thjesht puna. “Është e domosdoshme që gjithë periudhën e gushtit të bëhet një inspektim në çdo drejtori dhe në çdo zyrë arsimore, për të kontrolluar standardet e cilësisë së rekrutimeve të bëra gjatë gjithë kësaj periudhe dhe cilësinë që garantojnë të gjithë punonjësit, që janë pjesë e drejtorive dhe zyrave tona arsimore, bazuar te merita”, tha Rama. Ky kontroll synon që të ndreqë njërën prej hallkave që ka dështuar deri më tani në arsim, ku një pjesë e mirë e emërimeve sipas kreut të qeverisë u keqpërdorën duke transformuar drejtoritë arsimore në fole të deficiencës.
Librat
Kreu i qeverisë paralajmëroi se deri tani librat mbi të cilët mësojnë nxënësit apo studentët, po kalojnë në një sitë nga poshtë-lart dhe deri më tani janë hequr nga qarkullimi 120 tituj. Rama theksoi se edhe alterteksti do të hiqet. “Janë mësuesit që kanë vendosur në një quasi referendum brenda sistemit të shkollës që të heqin këta 120 libra. Ndërkohë që revolucioni me tekstet do të vazhdojë. Shumë shpejt, vetë altertekstit do t’i vijë fundi, si një eksperiment tërësisht i dështuar, që krijoi vetëm kaos vlerash, kaos pikash referimi, kaos në gjithë hapësirën e formimit të më të rinjve dhe të fëmijëve”, tha Kryeministri. Ai u ndal edhe në masat për hartimin e kornizës së re kurrikulare duke e përafruar atë me Bashkimin Europian. Po kështu edhe unifikimi i kurrikulës shqiptare dhe asaj të Kosovës u vlerësua si një ndër arritjet e këtij 300-ditëshi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pasi një nismë e tillë nuk u bë për plot 20 vjet.

MAS mbyll 12 shkolla, jepnin diploma fiktive
Janë 12 shkolla të mesme private të mbyllura nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, pasi nuk përmbushnin asnjë nga kriteret e kërkuara dhe jepnin diploma fiktive. Në analizën e 300 ditëve të Ministrisë u dhanë edhe detajet lidhur me këtë situatë. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë, të cilët referuan në aktivitet, u detajua se në këto shkolla nuk kishte asnjë mësues, asnjë nxënës, por jepeshin vetëm diploma fiktive. E njëjta linjë do të ndiqet edhe për universitetet private, ku ministrja Lindita Nikolla nuk përjashtoi edhe masa drastike. “Do të njihen edhe me sjelljen e re të MAS të qeverisë shqiptare ndaj institucioneve që kanë abuzuar me standardet e ligjshmërisë dhe e kanë kthyer në një pazar shitblerje diplomash arsimin e lartë në Shqipëri. Personat që kanë abuzuar, sigurisht do të përgjigjen dhe institucionet që kanë abuzuar do të mbyllen”, tha Nikolla.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura