Rama: Listat e hapura, të dështuara

Nov 29, 2011 | 12:43
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Socialiste iu përgjigj dje nga Prishtina kërkesave të aleatëve të tij për reformën zgjedhore. Në një opinion të shprehur në Twitter, pas takimit me Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe drejtuesve të tjerë të kësaj partie, Rama i cilësoi listat e hapura të dështuara. “Në selinë e LDK-së folëm për cilësinë e procesit zgjedhor. Miqtë e LDK-së vlerësojnë të dështuara listat e hapura dhe jetik numërimin elektronik”, shprehet Rama në Twitter. Pak ditë më parë, 10 parti aleate të PD-së dhe PSsë u mblodhën në një tryezë të përbashkët dhe adresuan kërkesat e tyre për dy partitë e mëdha në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Vetë Rama pas këtij takimi u shpreh se “e përshëndes takimin e partive të vogla dhe përsëris angazhimin e PS për një reformë gjithëpërfshirëse”, ndërsa dje ai i dha përgjigje dy prej kërkesave të aleatëve, listave dhe procesit të numërimit të votave. Partitë aleate të PS dhe PD adresuan disa kërkesa: korrektim kombëtar të sistemit zgjedhor, pa pragje eliminuese dhe deformuese, balancim të zonave zgjedhore, duke ulur numrin e tyre në gjashtë, administrim të zgjedhjeve, jo më përmes strukturave politike, numërim elektronik i votave, lista të hapura të kandidatëve për deputetë, mundësi votimi e emigrantëve. Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore pritet të nisë nga puna ditën e mërkurë. TAKIMET Kreu socialist festoi Ditën e Flamurit në Prishtinë. Ai e nisi ditën me një vizitë në Presidencë, me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila tha se: “Demokracia parlamentare në Shqipëri ka arritur sukses. Në Shqipëri ka përafrim me standardet dhe në parimet mbi të cilat duhet të ecë vendi dhe se të ardhmen e saj e shohim në integrimet euroatlantike dhe në anëtarësimin në Bashkimin Europian”. “Kosova dhe Shqipëria po avancojnë në proceset integruese europiane. Duhet realizuar aspirata e brezave të rinj për integrimin europian duke inkurajuar këtë proces nëpërmjet thellimit të reformave”, u shpreh Rama. Ai u shpreh se “vizita e tij në Kosovë realizohet pikërisht në Ditën e Flamurit si një simbolikë”. Kreu i PS-së i dhuroi Presidentes së Kosovës librin e tij “Kurban”. Kryetari i PS, Edi Rama, u prit dje edhe nga Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Gjatë bisedës, Rama e Krasniqi diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe bashkëpunimin dypalësh. Kryetari i Kuvendit të Kosovës është ndalur gjerësisht në çështjen e liberalizimit të vizave. “Duhet të rrisim një brez me histori të përbashkët dhe me një qasje të përbashkët të historisë në të gjithë trevat shqiptare”. Është shprehur ndër të tjera gjatë takimit kreu Rama, duke prezantuar edhe para kreut të legjislativit kosovar platformën e PS për një sistem arsimor të unifikuar. Kreu i PS në këtë takim ka shprehur vendosmërinë, kur tha se “nuk mund të lejojmë të thellohet hendeku për sa i përket unifikimit të sistemit arsimor”.  ARISTIR LUMEZI

Rama: Vetëvendosja, pasuri kombëtare

Kreu socialist, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Kosovë zhvilloi një takim me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Rama vlerësoi bisedën me Kurtin si një kënaqësi intelektuale, ndërkohë ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje është një hapësirë plot energji. “Selia e Lëvizjes Vetëvendosja, një hapësirë plot energji dhe imazhe tërheqëse. Biseda me Albin Kurtin, një kënaqësi intelektuale”, u shpreh Rama në Twitter.

Kreu i PS-së, në selinë e AAK-së

Kryesocialisti zhvilloi takimin e fundit në selinë e AAK-së. Në Twitter ai u shpreh se: “Takimi përmbyllës, në selinë e AAK, ku uruam kthimin e shpejtë në shtëpi të kryetarit Haradinaj e dëgjuam me interes mikun Blerim Shala”. Një ditë më parë, ai ishte në familjen Haradinaj. “Është nder për mua që kjo familje e madhe ndau disa minuta për të më pritur. Shpresoj në lirimin sa më të shpejtë të Ramushit”, tha mes të tjerash lideri i Partisë Socialiste.

RAMA: RRITJA E ÇMIMIT TË UJIT, NGA KEQQEVERISJA

Kreu socialist reagoi dje dhe për lajmin e dhënë se pritet të ketë një rritje të ndjeshme të çmimit të ujit. Në Twitter Rama e komenton këtë rritje si paaftësi të qeverisë. “Rritja e çmimit të ujit? Shqiptarët do vazhdojnë të paguajnë më shumë për të mbajtur në kurriz një qeveri përditë e më të keqe!”, shprehet Rama në adresën e tij në rrjetin social Twitter.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura