Rama: Të dorëhiqen Noka, Burgaj, Kulicaj. Trio mallkimi e Policisë së Shtetit

Feb 28, 2013 | 12:19
SHPËRNDAJE

TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama ka kërkuar sot dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Noka dhe krerëve të policisë, Burgaj e Kulicaj, duke i cilësuar si trio e mallkimit të sotëm të Policisë së Shtetit.

Në një deklaratë për mediat, në reagim për fotot e Arben Frrokut, në pranga për vrasjen e komisar Dritan Lamaj, së bashku me katër krerët e policisë, Rama ka thënë se ky është kulmi i degjenerimit të shtetit, për të cilin nuk mund të gjenden më fjalë.

“Alibia e djeshme e Kulicit famëkeq dhe Burgajt hileqar janë mishërimi i tradhtisë ndaj Policisë së Shtetit. Dorëheqja nga hetimet është mënyrë e padenjë për të fshehur të vërtetën që duket haptas nga alibia e zv drejtorit dhe nga deklarata e vetëdiskretituese e drejtorit për ndodhinë. Ndërsa heshtja e Ministrit të Brendshëm është kapaku i një historie që duhet të vazhdojë me dorëheqjen e të treve minimalisht”- tha Rama.

Ai ka thënë me tej se ata janë trio mallkimi i policisë së Shtetit, fytyra e tradhtisë së përditshme, dora e rrënimit të saj, truri i korrupsionit dhe kontrabandës që e ka kapluar, veshi që merr fjalë nga krimi dhe goja që i con fjalë krimit.

“Sigurisht kjo ka bekimin dhe dijeni e kryeministrit që pas vrasjes bëri deklaratë për teknologjinë 3g, kurse sot priteni të akuzojë opozitën. Ja pse komisarët këputen rrugëve dhe asnjë nuk ndryshon, ja pse është thyer ekuilibri në favor të krimit, ja pse shteti është tërhequr dhe krimi ka marrë yrysh në bashkëpunim me kupolën drejtuese”- tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura