Rama: Jemi të hapur për çdo kërkesë të opozitës

Sep 30, 2014 | 12:25
SHPËRNDAJE

Tryeza e dialogut te Nivelit te Larte Shqiperi – BE
Kryeministri Rama është treguar dje i hapur për të plotësuar kërkesat e opozitës që ajo të rikthehet në Kuvend.
Pas takimit prej më shumë se dy orësh me Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fyle, në Dialogun e Nivelit të Lartë Shqipëri – BE, në konferencën e përbashkët me komisionerin, Rama deklaroi se do të pranojë çdo kërkesë për komision hetimor të opozitës. “Ne shfrytëzuam edhe këtë moment ritakimi, falë Dialogut të Nivelit të Lartë, për të nënvizuar se jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo pretendimi të arsyeshëm të Partisë Demokratike, për t’u kthyer në Kuvend. Kemi dëgjuar se betohen se nuk do të kthehen pa marrëveshje. Nuk e di se çfarë do të thotë kjo, por di vetëm kaq, që; ne jemi të hapur për çdo kërkesë, mjaft që mos na kërkojnë që të mos marrim vendime kur ata s’janë dakord me ne, sepse këtë s’e bëjmë dot, sepse kontratën qeverisëse ne e kemi me shqiptarët. Sot dëgjuam kërkesën lidhur me komisionet hetimore. Që ditën e enjte jemi të gatshëm të votojmë çdo kërkesë për komision hetimor të Partisë Demokratike”, tha Rama. Kryeministri pranoi të hapë një dialog me opozitën në lidhje me personat me dëshmi penaliteti të pastër, por që kanë kryer më parë dënime për vepra penale. “Jemi të gatshëm që të diskutojmë me opozitën për çdo propozim që opozita mund të ketë lidhur me gërmimin ligjor në të shkuarën e njerëzve, kur njerëzit janë kandidatë për jetën publike, politike apo për në administratë, nëse kjo gjendet në përputhje me Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut. Këtu nuk ka problem, nuk duam të përcaktojmë ne, por mjafton ta mbështesë, minimalisht, Komisioni i Venecias. Nëse arsyet janë këto, opozita të vijë ditën e enjte dhe ne jemi gati për këto. Askush të mos na kërkojë të bëjmë babysitter-in e opozitës. Këtë nuk e bëjmë dot! Opozita duhet të rritet vetë dhe të ecë vetë”, tha Rama. Kreu i qeverisë e cilësoi këtë një problematikë që ka prekur edhe vetë opozitën. “Për më tepër që, ata kanë njerëz që kanë bërë burg dhe që marrin pjesë edhe në Dialogun e Nivelit të Lartë dhe që e dinë fare mirë se ç’është liria për t’u zgjedhur dhe ç’është dënimi për t’u kryer”, u shpreh Rama. Duke dënuar dhunën në Kuvend, Rama tha se ka mbajtur qëndrim ndaj dy deputetëve të tij dhe ka inkurajuar Prokurorinë për të çuar deri në fund hetimin për përplasjen fizike të deputetëve të PS me Gent Strazimirin.
“Opozita e braktisi Parlamentin me pretekstin se u dhunua fizikisht, pasi dy deputetë të shumicës u përplasën fizikisht me deputetët e pakicës. Si asnjëherë më parë, – dhe këtu të gjithë jemi dëshmitarë, – jo vetëm që ne e dënuam moralisht aktin e dy deputetëve tanë, por ai u ndëshkua dhe administrativisht nga Kryesia e Kuvendit. Sot, gjëja e pandodhur ndonjëherë në historinë e një Parlamenti, ku ç’nuk ka ndodhur, ata janë në akuzë penale nga Prokuroria dhe do të dalin në gjyq. Në gjyq do të mbrojnë veten. Ndërkohë që, ne e kemi inkurajuar drejtësinë të bëjë drejtësi. Jemi distancuar e distancohemi hapur ndaj çdo veprimi që bie ndesh me etikën e bashkëjetesës në Kuvendin e Shqipërisë dhe në jetën politike shqiptare”, tha Rama. Sipas Kryeministrit, PS po ashpërson qëndrimin e saj ndaj deputetëve problematikë. “Madje ne do të shkojmë edhe më tej dhe në dokumentin e rishikuar të rregullave të funksionimit të Grupit tonë Parlamentar që përfundon së shpejti, do të ketë sanksione të panjohura më parë për çdo sjellje të kësaj natyre, deri në përjashtimin nga Grupi parlamentar i PS-së”, tha Rama.

Mesazhet e Ramës për opozitën
Të gatshëm t’i përgjigjemi çdo pretendimi të arsyeshëm të PD, për t’u kthyer në Kuvend

Të gatshëm të votojmë që të enjten çdo kërkesë për komision hetimor të PD

Të gatshëm të rishikojmë ligjin për përfshirjen në administratë apo politikë për ish-të dënuarit, pa rënë ndesh me liritë e të drejtat e njeriut

PS do të përjashtojë nga Grupi Parlamentar, përmes rregullores së re, çdo deputet që përsërit akte dhune në Kuvend

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura