Rama: Front qytetar, jo koalicion idesh

Apr 30, 2011 | 10:25
SHPËRNDAJE
Kreu i PS, Rama, dje gjatë takimeve në Tiranë

Kryetari i PS-së, Edi Rama, e cilësoi koalicionin “Aleanca për të ardhmen” si një front opozitar qytetar.Gjatë një takimi elektoral të Partisë Demokristiane të zhvilluar me banorë të Tiranës, Rama e vuri theksin te fakti se Aleanca për të Ardhmen nuk është një koalicion ideologjish, por një front opozitar e qytetar, që bashkon shqiptarë përtej së majtës e së djathtës, përtej kufijve partiakë. “Duke ardhur për në këtë takim po mendoja sa e rëndësishme është përmasa tej ideologjike dhe tej partiake e Aleancës për të Ardhmen. Sa e rëndësishme është që sot ne jemi në të njëjtin front opozitar, që është front qytetar. Është fronti i qytetarisë që është krijuar duke bashkuar shqiptarë e shqiptare, përtej së majtës e së djathtës, përtej të gjithë atyre kufijve që janë krijuar për t’i ndarë, jo në bazë të vizioneve e programeve, por në bazë të një filozofie të vjetër: përça e sundo”, u shpreh Rama.
Po dje pasdite, kreu socialist zhvilloi një takim me banorë të Njësisë Bashkiake Nr. 8, ku kërkoi votën për kandidatin e PS-së në këtë njësi, Sadi Vorpsi. Sipas tij, kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen” është një tirons që sipas Ramës, “do të ngrejë vëmendjen mbi të drejtën e pronave që ua grabiti komunizmi dhe nuk ua kthen regjimi i kusarëve”. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se vota për Sadi Vorpsin është vota për të mos e lejuar më qeverinë anormale, e cila nuk ka një model zhvillimi në qytete a komuna, për t’u marrë si shembull zhvillimi. “Kjo qeveri nuk ka realizuar asnjë plan në mënyrë që të quhet normal. Janë anormalë në qeverisje, nuk e kanë haberin e qeverisjes vendore, dhe kanë kurajën, pasi kanë shkatërruar territoret e Shqipërisë, të vijnë e kërkojnë vota në Tiranë e qytete që e kanë gjetur rrugë e qeverisjes me ne. Sadiu është në krahun e duhur të historisë. I ftoj të gjithë tironsit, por edhe të ardhurit, që të votojnë Vorpsin, jo sepse Arben Tafaj është burrë i keq, por sepse është shumë i lodhur”, tha Rama, ndërsa nënvizoi se “në këtë njësi, siç humbi Ramiz Alia në ’91-shin, do humbë edhe Saliu në 2011-n”. Duke ironizuar kryeministrin Berisha se merret me inaugurime komunale, Rama tha se ai duhet t’u tregojë shqiptarëve se pse rriten çmimet e pakësohen vendet e punës. “Buxheti i shtetit i takon komunitetit dhe jo oborrit të Saliut. Saliu t’u thotë shqiptarëve çfarë ka bërë për të rritur fuqinë e tyre blerëse, çfarë ka bërë për të ulur koston e faturave që janë përditë e më të larta, çfarë ka bërë për t’i lehtësuar pensionistët të paktën me ilaçe, të cilat janë shtrenjtuar me dy shira. E çfarë bën ky kryeministër me një milion të papunë? Pse duhet ta mbajë populli këtë njeri?” u shpreh Rama para banorëve të Njësisë Nr. 8 në kryeqytet. Sipas tij, “kjo është një thirrje e madhe për të reaguar. Gjithë kjo maskaradë me premtime dhe me një sjellje harbute, që cenon dinjitetin e këtij populli. Më 8 maj, përpara se të ndjehet socialist a demokrat, duhet të ndjehet njeri që votën ta investojë për të çliruar këtë vend”, përfundoi kryebashkiaku.

Leksion në universitetin “Epoka”

Kreu i Bashkisë së Tiranës, i ftuar nga studentë dhe pedagogë të universitetit “Epoka”, mbajti një leksion mbi zhvillimet urbane në Tiranë, por dhe sfidat e Bashkisë e ato të qytetit gjatë viteve të tij në krye të Bashkisë së Tiranës. Sipas Ramës, sot Tirana po përballet me të njëjtat sfida e probleme që përballet çdo kryeqytet i madh evropian, siç janë zhvillimi i shpejtë dhe rritja e madhe e popullsisë, përballë ruajtjes së vlerave historike e kulturore dhe urbanizimit të kontrolluar.

Bashkia prezanton projektin për qendrën e Tiranës XXI

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ishte i pranishëm dje gjatë prezantimit të projektit të Bashkisë për qendrën e Tiranës. Nënkryetarja e Bashkisë, Albana Dhimitri dhe administratori i saj, Dritan Agolli, prezantuan projektin që sipas tyre e shndërron qendrën e Tiranës në kryeqendrën e rajonit. “Qendra e shekullit 21”, me 150 mijë metra katrorë, do të ketë 20 sheshe publike, 4 korridore zhvillimi, atë ekonomik, rekreativ, teknologjik dhe korridorin administrativ, ndërkohë që është konceptuar në 4 distrikte, si kulturor, ekonomik, hapësira komunitare dhe administrative. Në pjesën administrative do të ndërtohen zyrat e reja të Bashkisë, Pallati i Drejtësisë, ai i Financës, Qendra Rajonale e BE-së. Kryetari i Bashkisë bëri një krahasim me modelin e kundërshtarëve, që sipas tij, nuk dinë se ç’thonë. “Mjafton të shohësh qytetet dhe komunat e qeverisura prej tyre për të kuptuar se ata nuk dinë çfarë thonë. Ata bëjnë vetëm një zhvillim kuturu, me pasoja degraduese për mjedisin natyror, për mjedisin ekonomik dhe social”, tha Rama.

 

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura