Rama e Meta hapin dyert e zyrave

Nov 30, 2013 | 10:13
SHPËRNDAJE

Rama dje në ambientet e Kryeministrisë
Kryeministria dhe Kuvendi vizitohen nga qytetarët gjatë “Natës së Bardhë”. Kryeministri me artistët: Ndryshime rrënjësore me artin.

Kryeministria dhe Kuvendi hapën dyert për qytetarët në “Natën e Bardhë”. Kreu i qeverisë Rama dhe kryetari i Kuvendi Meta, kanë pritur një grup të rinjsh me të cilët kanë shkëmbyer mesazhe dhe urime. Vizitorët e parë ishin fëmijë jetimë, fëmijë të komunitetit rom dhe persona me aftësi të kufizuar. Rama i priti ata në sallën e pritjes së rikonceptuar si Salla e Hartave. Në një tjetër takim me artistët e suksesshëm shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, Rama u kërkoi atyre të japin kontribut për të rilindur artin dhe kulturën, tek e cila Kryeministri shpreson shumë.

“Unë hyj tek ata që besoj se me ndërhyrje artistike mund të vijnë transformime rrënjësore brenda një shpirti apo një territori. Besoj te magjia e kulturës dhe artit. Për të krijuar mjete aty ku nuk ka dhe për të përshpejtuar zhvillimin, për të tjetërsuar mendimin aty ku ka nevojë për të krijuar shkëndija që ndezin ide dhe idetë shpresë”, tha Rama.

Meta dje në ambientet e Kuvendit
Ndërsa kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, tha se ftesa për qytetarët tregon hapjen e institucioneve ndaj qytetarëve. “Kjo është një ftesë jo thjesht për një natë, por është një mesazh i qartë i hapjes së institucioneve ndaj qytetarëve, ndaj publikut, ndaj shoqërisë civile, ndaj medias, ndaj të gjithë atyre që janë të bindur se në këtë vend institucionet duhet të jenë në funksion të qytetarëve. Institucionet duhet të jenë në funksion të të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë”, tha Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura