Qyteza e Gollobordës/ Studiuesi zbulon si u ndanë me Maqedoninë e Veriut territoret në zonën Lindore! Pjesa më e madhe e fshatrave i mbetën Shqipërisë, kurse…

Apr 30, 2024 | 13:29
SHPËRNDAJE

PROF DR. FATMIR TERZIU/ Pas disa ditësh në festimin e 110-vjetorit të themelimit të shkollës 9-vjeçare “10 Dëshmorët” të Trebishtit, Gollobordë, pritet të marrin pjesë edhe zyrtarë krahas atyre që janë ulur dhe ende ulen në bangat e një shkolle që u hap njëherazi me atë të Peshkopisë.

glloborda

Kohët e fundit studiuesja bullgare Âåñåëêà Òîí÷åâà (Veselka Toncheva) ka realizuar një libër studimor nga terreni në gjuhën bullgare, më së shumti me banorë të Steblevës dhe disa të tjerë nga kjo trevë me banim në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku ka marrë biseda, të dhëna kulturore, gjuhësore, këngë të kënduara, por edhe mjaft të dhëna të tjera. Sikurse thuhet në pasthënie “Libri “Bullgarët nga Gollo Borda-Shqipëri: Tradita, muzikë, identitet”[1] prezanton një bashkësi jo të njohur në Bullgari, por dhe në Gadishullin Ballkanik, fati historik i të clëve është shumë interesant – bullgarët nga Gollo Borda, Republika e Shqipërisë. Pas shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë gjatë viteve 1912-1913 dhe përcaktimi i kufijve të saj të rinj, pjesa më e madhe nga qytezat e krahinës Gollo Bordo mbeten në territorin e Shqipërisë – 21 fshatra mbeten në Shqipërinë Lindore, kurse 6-në territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut” (Toncheva, 2009: 302).

Në plan të parë duket se ky libër nuk shkon në komente të debatueshme, përveç atyre që shkojnë në përcaktime nga kënde të njohura. Nëse mbetet për të dëshmuar, ajo që thuhet se gjenden edhe sot banorë të kësaj treve, që nuk flasin gjuhën shqipe, kjo është një plagë e dyfishtë, pasi ata nuk flasin dot as gjuhën vendase. E folura e tyre, është një e folur sikurse ndodh me njerëz të tillë, të izoluar ekonomikisht, të rrethuar në kushtet e tranzicionit të vendit e me mjaft probleme të tjera, që kërkojnë natyrshëm vëmendje më vete. Sidoqoftë, ajo që trajtohet deri diku edhe pajtohet me realitetin e folur, por nuk shkon me atë që duhet të bazohet në faktorë të cilët kanë rrjedhat e veta historike dhe kulturore.

Ndryshe a do të na vinte në ndihmë ekzistenca e thellë toponimike sllavo-bullgare deri në Vlorë me “Novoselë”; më tej me “Boboshticë”, “Çorovodë”, “Starovë; “Zadrimë”, “Zvezdë” etj., që të themi se toponimet janë emërtesa të vëna qëllimshëm dhe zyrtarisht për të realizuar qëllime të njohura prej kohësh. Kuptohet fare qartë se gjatë sundimit bullgar, në hapësirën e Gollobordës ishte vënë shtresa e parë e toponimeve sllave dhe ky shtresim sllav ka vazhduar me intensitet edhe më të madh gjatë shekujve XIII e XIV, kur tokat arbërore u pushtuan dhe u administruan nga Nemanjidët serbë, për plot dy shekuj, deri në depërtimin e osmanlinjve aty rreth vitit 1389, të cilët mund të themi se ndërprenë sllavizimin e mëtejshëm të toponimeve dhe antroponimeve në viset verilindore dhe helenizimin e mëtejshëm në ato jugperëndimore të Arbërisë Mesjetare etnolinguistike dhe etnografike. Sikurse është vënë në dukje edhe nga profesor Eqerem Çabej [2], “për krijimin dhe ngulitjen e gjithë kësaj toponimie detyrimisht ka ndërhyrë administrata shtetërore bullgare”[3]. Kjo ndoshta mund të thuhet se mbi bazën e asaj kur dihet se gjuha nuk është mënyra e vetme për të përcaktuar përkatësinë etnike, natyrisht duheshin dhe forma të tilla, që të mbushnin arsyen e qëllimit (Siegel, 2017: 24).

Pas depërtimit të sllavëve në Ballkan dhe sidomos pas vendosjes së administratës së tyre në tokat arbërore gjatë shek. XIII – XIV, ata bënë ndryshime të mëdha në jetën shoqërore të popullsisë ballkanike, si në aspektin material, ashtu edhe në atë religjioz. Administrata dhe kisha sllave ka lënë gjurmë të thella në të gjitha fushat e jetës shoqërore, por këto gjurmë më së shumti mund të shihen në lëmin e ndryshimeve të toponimeve. Edhe mendimi i shumë dijetarëve vendës si edhe të huaj, e sidomos ai i bizantologut francez Alë Dykelie (Allain Ducellier[4]), dhe të historianit anglez Noel Malkolm (Malcolm[5]), është se gjatë sundimit mesjetar bullgar dhe atij serb, është vënë shtresa e parë e toponimeve sllave. Fakte të shumta të traditës së trashëguar gojarisht në këtë trevë ndoshta hedhin dritë në një errësirë që vjen nga shekujt si e tillë.

Thuhet se kur një fëmijë qante shumë, ndërsa lindte dhe nuk pushonte së qari, dhe kur nuk i njihej “dermani”, prindërit e dërgonin në një kishë aty afër, edhe pse fëmija mund të ishte i besimit Islam nga prindërit, pasi në heshtje kjo thuhej se ishte “derman i të parëve”, ashtu sikurse ky “derman” (shërim) shikohej dhe në mjaft aspekte të tjera kulturore, që dallonin nga lagjja në lagje, nga fshati në fshat e më tej në zonë. Veshjet ndryshe të grave, pothuajse për secilin fshat, fjalë dhe fjalëformime të ndryshme, pa pasur ndonjë afërsi me ndonjë gjuhë, sikurse ndodh me emërtesën “Rebori” për një vend që kishte dy emërtime. Njëra vinte si e tillë nga trashëgimia e mbetur, pra si “Rebori” dhe tjetra si “Bellana zemja” (toka e bardhë), nga rëra e bardhë gëlqerore, që gjendej aty, pikërisht në zemër të malit Ahu i Koços, që kishte toponimin sllav “Koçoska Buka”. Në kërkimet tona për këtë fjalë, pra për toponimin “Rebori” nuk gjendet ndonjë lidhje me gjuhët sllave, bullgare, serbe apo maqedonase, as me ndonjë zhargon vendas, por me një kuptim që hamendësohet të jetë krijuar nga barinjtë e fshatit Trebisht Bala, ndërsa atje retë bëheshin si bori, dhe mali në atë pjesë gjëmonte nga rrufetë. Kështu retë si bori, apo rrufetë që binin retë si bori, mund të ketë sjellë këtë emërtim toponimik, të pafshirë nga kujtesa në gjuhën e të parëve, duke mbetur vetëm si toponim “Rebori” i atij vendi që banorët e quajnë me dy emërtesa.

Kjo bëhet më efikase, pasi tashmë dihet se më tej me pushtimin nga serbët, filloi edhe ndryshimi i emërtimit të vendeve dhe vendbanimeve në hapësirën ku përfshihej edhe Golloborda. Vetë transformimi i emërtimit të kësaj zone nga “Dulgoberda” në variantin e sotëm “Golloborda”, duket se ka qenë më në favor të synimeve të pushtuesit, për ta cilësuar atë si një zonë me kodra të zhveshura në gjuhën e tij. Në studimin e I.S. Jastrebov[6] ndeshet dhe një emër tjetër për këtë zonë që ai e quan “Kollobormë” (1904: 120).

“Kriteri më i mirë për përcaktimin e përkatësisë etnike do të ishte një deklarim vetë-referencial i vetëdijes etnike, por ky kriter është i pa praktikueshëm” (Herrin dhe Saint-Guillain; 2011: 117-118). Atëherë edhe efekti i ndjekjes së rrjedhës së individit, në një formë a në një mënyrë tjetër, mbetet mjaft problematike. Fatkeqësisht kur bëhet fjalë për përshkrimin e njerëzve në një prosopografi[7], është e pamundur të përcaktohet se kush e foli atë gjuhë dhe kur. E vetmja konsideratë e qartë është se në zona etnike homogjene zakonisht flitej një gjuhë, ndërsa zonat me popullsi të përzier dhe familje të përziera janë dygjuhëshe. Në këtë drejtim, roli i vendit të banimit fiton rëndësi.

Gjatë ceremonisë së akordimit të titullit “Qytetar Nderi” nga Komuna e Arrasit e Dibrës, në Muzeun Historik Kombëtar me datën 26 maj 2008, historiani, profesor Kristo Frashëri iu përgjigj edhe një pyetjeje të bërë për Gollobordën. Pyetja ishte: Gollobordasit janë minoritet maqedonas, minoritet bullgar apo janë shqiptarë? Ai u përgjigj: “Historia shkruhet dhe argumentohet me dokumente”, – theksoi Frashëri.

Sipas tij, në Gollobordë banojnë tri grupe njerëzish: Në Gollobordën Perëndimore ka fshatra shqipfolës, identiteti i tyre as që vihet në dyshim që janë shqiptarë. Në Gollobordën Lindore ka fshatra dy gjuhë folës, shqip dhe bullgarisht. Rajoni i Vjetër i Maqedonisë ka qenë përbërë nga helenët, ilirët dhe thrakët. Pra, në qoftë se bëjmë fjalë për maqedonas etnikë, janë ilirët”. Sikurse e citova që në fillim se ky studim është një detyrim personal për të nxjerrë në dritë disa nga toponimet që flasin mes “dhimbjes” së tyre të hershme të mbuluar e të panjohur, por të ardhur vetëm mes rrëfimeve dhe interpretimeve nga më të moshuarit, dhe nuk ka për qëllim të merret me debate e mjete të tjera jashtë këtyre fakteve dhe faktorëve që flasin vetëm me aspektet e tyre kulturore, që u ngjizen toponimeve. Të tjerat janë një e tërë që kërkon lexim dhe jo interpretim ndryshe të këtij faktori që u bë objekt i këtij studimi.

Banorët e kohërave historike thonë në rrëfenjat dhe në tregimet e mbetura gojarisht brez pas brezi se popullsia e këtyre zonave shtohej dhe ndryshonte herë pas here dhe se ardhësit e rinj gjithnjë ishin fizikisht një popull i përzier i barinjve dhe endacakëve, që endeshin nëpër male dhe kodra të rajonit. Ndërsa ata banorë, të cilët e quanin veten vendësit dhe më vonë njiheshin si “majstori”, ishin në fazën para-metalike të civilizimit rreth 3000 p.e.s.. Provat kryesore të ekzistencës së tyre sigurohen nga gjetjet spontane dhe gërmimet e herëpashershme, sigurisht të rastësishme, që kanë ndodhur dhe që janë harruar, nga disa objekte që ndodhen diku nëpër muzeume, apo dhe disa të shkatërruara nga kohërat dhe mos-interesi institucional, por kuptimi i provave gojore dhe atyre të trashëguara kulturalisht në shumë raste është padyshim spekulativ.

Ata që pretendojnë për pastërtinë e racave në gjuhën e një banori nuk do të gjejnë tek ata asnjë provë të tillë mbështetëse për të vërtetuar pikëpamjet e tyre. Kjo zonë u çlirua në 1912 nga Perandoria Osmane, sikurse i gjithë territori shqiptar, dhe para kësaj kohe kjo pjesë u bë gropa që spontanisht u mbush me ardhjet dhe ikjet prej dhe drejt qytetërimeve të tjera. Njerëz të ndryshëm migruan dhe ata u infiltruan në kulturën e banorëve vendas, ashtu sikurse dhe ata që ikën e u larguan u përshtatën në kulturat e vendeve ku shkuan, gjatë okupimeve të ndryshme dhe shumë prej tyre gjatë okupimit shekullor Otoman u konvertuan në besimin Islam. Por bashkëjetesa e besimeve ka qenë mjaft efikase, faktet e ekzistencës së xhamive dhe kishave nëpër fshatra të ndryshëm të kësaj treve flasin për një fakt të tillë, përjashtuar disa fshatra që mbetën në besimin e vetëm kristian, apo dhe të tjerë në besimin e konvertuar mysliman.

Gjithnjë flitej dhe tregohej në fakt se deri në disa vite të mëvonshme fise dhe familje të ndryshme janë ngulur në këto treva dhe kanë gjetur qetësi dhe bashkëjetesë të paqtë me vendësit. Klima e tillë e butë e vendasve, rajoni ndoshta i përshtatshëm për tu mbrojtur nga ndërhyrjet brutale deri shfarosëse i kanë bërë këto veprime gjithnjë e më jetike, deri në gjetjen e gjuhës së përbashkët, akulturimit dhe përshtatjes. Në raste të tjera, kostumet që ende trashëgohen, janë gjithnjë e më shumë dalluese në fshatra të ndryshëm, gjë që ndoshta rrëfen qartë për këtë fakt. Sikurse e kemi cituar në këtë studim, kostumet tradicionale të grave janë dalluese, madje me to mund të dallosh ende dhe mjaft lehtë nëpër dasma e festa tradicionale se të kujt fshati janë ato. Këto kostume janë një trashëgimi, sikurse gjuha që trashëgohet për të sjellë në pah mjaft gjëra që janë dhe mbetet mister. Me këto dy fakte deri në një farë mënyre mund të themi se mund të hapet një dritë më shumë në përqasjen e fateve të popullsisë së kësaj zone, të paktën sot kur mundësitë janë më të lira në shfaqjen e mendimeve të bazuara në kërkime shkencore.

Gjatë viteve të shkollës së mesme në Elbasan, jam përballur, shumë herë, me emrin që quante banorin e lindur në këto fshatra “Gollo”, sepse kishte lindur në një nga fshatrat që prodhonte ndërtues me shkollën e trashëguar nga të parët, fshatra që janë pjesë e Gollobordës dhe flasin dygjuhësi edhe gjuhën e tyre tipike të përzier, që në disa raste e quajnë “nashki”, “bullgarsko”, por dhe “makedonski” dhe gjuhën shqipe. Ata e thërrisnin emrin e të rinjve që vendosin në qytet, për shkollim, edukim dhe në raste të tjera me prindërit e tyre familjarisht, në mënyrë nënçmuese, që tingëllonte keq dhe sillte konotacion mjaft të keq. Nuk do ta kisha mendjen nëse ata do të kishin thirrur së pari në ndonjë grup tjetër etnik shqiptar. Në fakt ishte absurditet i pakuptueshëm që i thërrisnin në këtë mënyrë, sepse ishin gollobordas dhe flisnin të dy gjuhët, pra një gjuhë që flitet dhe nuk shkruhet në zonën e Gollobordës dhe në gjuhën shqipe, gjuhë, sikurse shumë të tjerë në fshatrat që ndodhen në territorin e Shqipërisë, mjaft prej tyre e kishin mësuar në shkollë, pra në klasën e parë të shkollës tetëvjeçare.

Paraardhësit e tyre kishin veshje të ndryshme nga ajo e qyteteve ku vendoseshin ata, por ajo në kohën e tyre nuk ishte parësore, pasi komunizmi i kishte bërë unike veshjet, sepse ato shfaqeshin vetëm në festivale, e në disa ceremoni festive tradicionale, sigurisht nga jo të gjithë. Klima në Gollobordë ndoshta bënte më parësoren që veshjet të ishin më të trasha e prej leshi gjatë dimrit. Si rezultat, veshja në tërë Gollobordën, karakterizohej nga rroba të rënda leshi. Qytetet, duke përjashtuar atë klimë si e qytetit, kur bëhej fjalë për Shqipërinë e Mesme, ndodhte të ishte me një ndryshim klimatik më të butë, por mjaft fshatra ishin thuajse me dimra të ashpër.

Njësoj si në vendin fqinj, Maqedonia e Veriut, ku hershëm thuhet se gjuha maqedonase e shkruar nuk ekzistonte, Golloborda fliste një dialekt që përmban fjalë nga gjuha bullgare. Dhe kështu dhe në anën e Maqedonisë së Veriut, kur atje u zhvillua një lloj zyrtarizimi i gjuhës, ata të cilët u përshtatën me këtë gjuhë në vitet që pasuan, i quanin fshatrat e Gollobordës me nofkë dhe vendasit e tyre “torbesha” me vërejtje poshtëruese, duke i treguar analfabetë dhe jo shumë të zgjuar. Pra një zonë e mbetur nga të dy anët e nofkëzuar, me një gjuhë të lënë pas dore, natyrisht mund të thuhet se me të gjithnjë është luajtur me fatin e krijuar nga Zoti. Edhe pse njerëzit, burrat e kësaj zone kanë ndërtuar qytetet dhe kryeqytetet e të dy vendeve, dhe mjaft vendeve të tjera në kohëra të ndryshme, ajo që sillej akulturalisht me fatet njerëzore sillte në jo pak raste dyshime të thella. Fati përcaktohej vetëm nga gjuha. Edhe, nga dygjuhësia që sillej si një faktor i papëlqyeshëm tek të gjithë që flisnin vetëm një gjuhë, kjo mjaft e theksuar në kushtet e komunizmit, ku mirëfilli funksiononte si një racizëm nënsipërfaqësor, i strukur, por mjaft i rrezikshëm.

E gjithë historia ballkanike, kryesisht historia shqiptare gjatë komunizmit, bazohej në nacionalizëm duke mos marrë parasysh faktet historike. Fëmijët mësoheshin që në moshë të hershme të mendonin se asnjë vend tjetër me fjalë nuk është më i mirë dhe ka arritur bëma të një shoqërie të madhe të rëndësishme sesa Shqipëria. Aty të gjithë në fakt ishin të detyruar të pajtoheshin, mënjanonin vetveten, huazonin nga vetja, shkrinin nga tradita dhe dalëngadalë dhe humbisnin përditë e më shumë nga origjina. Kjo është e prekshme. Kjo është e ndjeshme. Kjo është e kuptueshme. Por, ajo që mbetet një problem është e shkuara. Është ajo që duhet të përcaktohet shkencërisht dhe pa hamendësime se ku i ka rrënjët dhe me cilët rrënjë është mbajtur gjallë kjo zonë, që tashmë ka fituar zyrtarisht statusin e etnicitetit bullgar.

Gjyshi dhe gjyshja gollobordase me siguri flisnin gjuhën e zonës, por gjuha e zonës ka lëvizur bashkë me ikje-ardhjet, bashkë me trazimet dhe zhdukjet e paevidentuara dhe hera-herës ata e trazonin atë, duke sjellë në vëmendje se kjo gjuhë nuk ishte një gjuhë e qëndrueshme, por një gjuhë që kishte mbetur e trazuar dhe e trashëguar me ndërhyrjet e dukshme dhe të padukshme të disa gjuhëve. Të parët me heshtjen dhe zgjuarsinë e tyre udhëzuan në fëmijërinë e secilit mes kësaj gjuhe që të bëhen ata që janë sot, i këshilluan të jenë të denjë, të edukuar dhe gjithnjë gëzoheshin kur u sillnin nipër e mbesa nga shkollat ku edukoheshin, nota të mira nga shkolla ku mësonin gjuhën shqipe. Por, dihet që mjaft të tjerë, dhe nga ata që përbënin një numër të konsiderueshëm që herët kishin folur dhe gjuhë të tjera, si turqisht, italisht, bullgarisht, greqisht e ndonjë gjuhë tjetër. Të parët gjithnjë tregonin me këto gjuhë në bashllagët e mbetur të varrezave dhe shpeshherë shfrynin me dihamën që e mbante guri dhe toka. Por atëherë askush nuk sillte nëpër mend se një ditë do të duheshin aq shumë ato rrëfime të tretura tashmë në dhe.

Sidoqoftë dhe mbi të gjitha shkolla e Trebishtit feston 110-vjetorin e saj në kushte ndryshe, ku secili tashmë që i përket lëvizjes globale, po aq dhe synimeve për një Europë të bashkuar është i lirë në zgjedhjen dhe përcaktimin e tij personal. Shkolla që ka nxjerr emra të mëdhenj ka natyrshëm meritën e saj dhe merita e përmbush urimin Gëzuar në shekuj!

________________________________________

[1] Libri është i ndarë në dy pjesë – tekst shkencor dhe materiale në terren. Teksti shkencor prek aspekte të rëndësishme nga historia, feja, traditat kalendarike dhe ritet familjare, muzika dhe identiteti i bashkësisë bullgare. Materialet në terren (të regjistruara dhe incizuar nga fshatrat Steblevë, Klenjë dhe Vërnicë, si dhe të njerëzve të shpërngulur nga Gollo Borda në qytetet Tiranë dhe Durës) përmbajnë: tregime të zgjedhura dhe intervista të lira për historinë, fenë, besimin dhe kulturën tradicionale të bashkësisë, si dhe identitetin etnik (me një përfytyrim personal për prejardhje, gjuhë dhe përkatësi etnike) të botuar në dialektin vendas: folklori muzikor-88 këngë me tekste me nota, harta dhe fotografi. Popullarizimi i këngëve dhe analizimi i tyre në tekst janë një farë aksenti i këtij botimi – deri në këtë moment folklori muzikor i bullgarëve nga Gollo Borda nuk është shkruar, incizuar, i shkruar me nota dhe botuar jo vetëm në Bullgari, por dhe në vendet fqinje ballkanike. Qëllimi i këtij libri është dokumentimi dhe ruajtja e dijes traicionale të bullgarëve nga Gollo Borda. Libri i njeh lexuesit me një bashkësi bullgare jashtë kufijve të Bullgarisë, e cila ka jetuar në një mjedis të huaj gjuhësor dhe të huaj për nga ana etnike, por që ka ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat bullgare gjatë kalimit të kohës.

[2] Cituar tek Sadikaj, H. (1999) Krahina e Gollobordës.

[3] Cituar tek Sadikaj, H. (1999) “Krahina e Gollobordës gjatë shekujve të XI-XIII, faqja 71.

[4] Alain Ducellier ishte një historian dhe profesor francez emeritus në Université de Toulouse-Le Mirail i cili u specializua në studimet bizantine dhe krishterimin në Lindjen e Mesme. Ai ishte autori ose redaktori i më shumë se 40 librave.

[5] Sir Noel Robert Malcolm, FRSL, FBA është një gazetar politik anglez, historian dhe akademik. Një studiues i King’s në Eton College, Malcolm lexoi historinë në Peterhouse, Kembrixh dhe mori doktoraturën e tij në histori nga Kolegji Trinity, Kembrixh.

[6] Jastrebov, S. I. (1904) Stara Serbija i Albanija (Serbia e vjetër dhe Shqipëria). Beograd: Putevije Beleshke.

[7] Në studimet historike, prosopografia është një investigim i karakteristikave të përbashkëta të një grupi historik të njerëzve (biografitë e të cilëve mund të jenë kryesisht të pashtershme) me anë të një studimi kolektiv të jetës së tyre, në një analizë të shumëfishtë-karrierës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura