Qyteti Studenti, si do të regjistrohen 1850 të rinjtë

Jul 30, 2011 | 10:37
SHPËRNDAJE

Janë 1850 studentë të rinj që do të akomodohen këtë vit në Qytetin Studenti. Punimet për përmirësimin e kushteve kanë ditë që kanë nisur.

Dhomat për studentët e vjetër kanë nisur të ndahen, ndërsa për të rinjtë do të ndahen në shtator. Sipas krerëve të Qytetit Studenti këto dy ditë pritet të bëhet zyrtare shpallja e listave ku përcaktohen godinat dhe ambientet
e akomodimit. “Jemi drejt përmbylljeve për sistemimin e banorëve të vjetër, ku përfshihen studentët nga vitet e dyta deri tek vitet e gjashta”,
sqarojnë burime nga Drejtoria e Qytetit Studenti. Sipas tyre, çdo student i vitit të dytë deri tek ai i viteve të gjashta do të mund të mësojë se në
cilën dhomë do të qëndrojë, si dhe shokët me të cilët do të banojë për vitin e ri akademik, që do të fillojë në muajin tetor. Gjithsej, bashkë me studentët më të vjetër, Qyteti Studenti për vitin e ri akademik do të akomodojë
rreth 6200 banorë. “Lidhur me ndarjen e dhomave mund të themi se po shkojmë drejt mbylljes për studentët e viteve të ndërmjetme, ndërsa
në mesin e muajit shtator, pasi të përcaktohen fituesit në universitete nga sistemi meritë-preferencë, do të çelim dhe procedurat e regjistrimeve
për banorët e rinj”, sqarojnë burimet zyrtare nga Drejtoria. Sipas tyre, për të
përmirësuar cilësinë e jetesës, prej kohësh kanë nisur punimet për lyerjen e godinave dhe rehabilitimi i tyre. “Po ashtu kemi parashikuar që për këtë vit pothuajse në 80 për qind të rasteve do të veprojmë me ndërrimin
e të gjithë dyshekëve nëpër dhoma. Duke iu referuar kapacitete pritëse dhe kërkesave për strehim, në çdo dhomë do të strehohen tre studentë”, bën me dije Drejtoria e QS. Sa i përket tarifës së strehimit, bëhet e ditur se
nuk do të ketë rritje të saj. Pra, çdo kandidat që do të strehohet në godinat e Qytetit Studenti në nisje të vitit akademik do të duhet të paguajë edhe koston vjetore të strehimit, e cila arrin në vlerën 40 mijë lekë. Për të
shmangur përplasjet apo kaosin në regjistrimin e banorëve pranë godinave, do të veprohet fillimisht me akomodimin e viteve të dyta deri
tek ato të gjashta, emrat e të cilëve do të hidhen në faqen zyrtare të Qytetit Studenti: www.qytetistudenti.com. Pas datës 11 shtator, kur do
të shpallen fituesit në universitetet publike, do të çelen dhe datat për regjistrimet e kandidatëve të rinj që vijnë nga vitet e para. Kjo procedurë
do të realizohet pas marrjes së listave zyrtare nga dekanatet e fakulteteve. QS
aktualisht është thuajse bosh, pasi studentët janë larguar për pushime, megjithatë gjatë kësaj periudhe janë çelur edhe dy godina: një për
djemtë dhe një tjetër për vajzat, të cilat kundrejt një tarife prej 600 lekësh do të qëndrojnë të hapura edhe gjatë sezonit të verës. Gjithashtu,
në planin e masave të marra përcaktohet se në të gjitha godinat do të ketë salla studimi. Ndërkohë që në dhomat e strehimit të studentëve
po vijon procesi i vendosjes së lavamanëve, pasqyrave, si dhe do të shtohen
dushet në katet përkatëse të godinave. Po ashtu premtohet dhe furnizimi me
ujë dhe energji elektrike në mënyrë të pandërprerë.

Dosja e regjistrimit duhet të përmbajë

1. Certifikatën me fotografi të periudhës korrik-tetor 2011 ose
fotokopje e kartës së identitetit, e shoqëruar me fotografi dhe e noterizuar
2. Fotografi – 3 copë

3. Vërtetimin nga fakulteti përkatës ku vazhdojnë studimet, i cili
duhet të jetë i vulosur (jo fotokopje)
4. Raport mjekësor nga rrethi përkatës
5. Për të përfituar shërbime mjekësore falas, studentët duhet të
sjellin pranë qendrës shëndetësore kartelën mjekësore.
6. Mandatpagesën
7. Urdhër-regjistrimi nga inspektorët regjistrues, që janë të vendosur
pranë çdo bujtine.

Matura, pas fituesve do shpallet formulari A3

Sot është afati i fundit i dorëzimit të formularit A2 nga maturantët. Me anë të tij do të përzgjidhen 10 degët e preferuara që do të ndjekin studentët në institucionet e arsimit të lartë. Sipas autoriteteve të arsimit nuk do të ketë afat tjetër, pasi të rinjtë kanë pasur kohë të mjaftueshme. Ndërkohë, specialistët shprehen se do të ketë ketë edhe një formular A3, në bazë të kuotave bosh që mund të mbeten në fakultete, duke u dhënë edhe një shans tjetër ish-maturantëve. “Është mirë që maturantët, hap pas hapi të shkojnë t’i dorëzojnë në grupime jo shumë të mëdha, në mënyrë që të krijohet mundësia që të dhënat e tyre të jenë sa më të sakta dhe ata të mos kenë kundërshtime”, kanë deklaruar specialistët e MASH.Për sa u përket shpërndarjeve të kuotave nga një fakultet në tjetrin, specialistët thonë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë më, pasi kuotat e propozuara janë në raport me kapacitetet dhe
stafin akademik. Disa ditë më parë, Ministria e Arsimit bëri publike dhe datat e Maturës tjetër Shtetërore, asaj në sezonin e vjeshtës. Në 9 shtator, 13 dhe 17 mbetësit do të rihapin provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje.

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura