Qeveria, para me interesa për KESH

Feb 29, 2012 | 11:15
SHPËRNDAJE

Zbardhet kontrata: Jepen 20 milionë USD me 0.5% interes.

Qeveria ka vendosur t’i japë një tjetër fond Korporatës Elektorenergjetike Shqiptare për të përballuar blerjen e energjisë nga kjo e fundit, në një kohë kur situata e saj financiare nuk është aspak e mirë. Këtë herë KESH do të marrë 20 milionë dollarë, të cilët do të jenë hua me interes 0.5 për qind. Sipas kontratës që nënshkruajnë palët, KESH do të duhet t’i shlyejë këto para në fund të afatit të maturimit që përcaktohet të jetë 6 muaj dhe, në rast se ka vonesa, do të zbatohen penalitete. “KESH do të paguajë një interes në masën 0.5% në vit, mbi bazën e principalit të huas së disbursuar. Llogaritja e interesit do të bëhet mbi bazën e numrit faktik të ditëve dhe të vitit prej 360 ditësh. Pagesa e interesit do të kryhet në të njëjtën datë me pagesën e principalit. Nëse KESH nuk do të kryejë pagesat e përcaktuara në nenet 4 e 5 të kësaj marrëveshjeje huaje, do t’i paguajë Ministrisë së Financave interesvonesa mbi shumën e detyrimeve të papaguara, në përqindje të barabarta me “Yeldin Mesatar të Bonove të Thesarit, 1-vjeçare, të rezultuar në ankandin e fundit të vitit 2011”, thuhet në kontratë. Por qeveria, duke i dhënë KESH paratë e pjesës tjetër të kontigjencës, duket se po parapërgatitet vetë për një borxh të ri. Këtë të enjte pritet të zhvillohet një ankand i jashtëzakonshëm obligacionesh 5-vjeçare, ku qeveria pretendon të marrë nga tregu 15 milionë dollarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura